2014-02-23 11:26:43

Java VII gjatë vitit - Dashuria e përsos Ligjin


Leximi i parë (Lev 19,1-2.17-18)
Zoti foli me Moisiun e tha: “Fol me mbarë bashkësinë izraelase e thuaju: Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë, Zoti, Hyji juaj! Mos e urre në zemrën tënde vëllanë tënd. E ke detyrë ta qortosh bashkëvendasin, të mos kesh pjesë në mëkatin e tij. Mos u hakmerr as mos ushqe hidhërim ndaj bijve të popullit tënd. Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. Unë jam Zoti”.
Nga Psalmi 103 (102)
Ref: Zoti është i mirë e i madh në dashuri

Bekoje, shpirti im Zotin,
dhe krejt qenia ime Emrin e tij të shenjtë.
Bekoje, shpirti im Zotin,
e mos i harro bamirësitë e tija.

Ai i fal të gjitha fajësitë e tua,
Ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua;
Ai ta shpëton jetën prej varrit,
ai të kurorëzon me mirësi e dashuri,

Zoti është i mirë e i mëshirshëm,
i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur.
Nuk zemërohet gjithherë
as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës.

Sa është lindja larg perëndimit
aq larg i hedh prej nesh fajet tona.
Sikurse baba ka dhimbje për fëmijët e vet,
ashtu Zoti ka dhimbje për ata që e druajnë.

Leximi i dytë (1Kor 3,16-23)

Vëllezër, po ju a nuk e dini se jeni Tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju? Nëse ndokush e rrënon Tempullin e Hyjit, Hyji do ta humbasë atë, sepse Tempulli i Hyjit është i shenjtë ‑ e ky Tempull jeni ju! Askush mos ta gënjejë vetveten! Në qoftë se ndokush prej jush kujton se është i mençur sipas parimeve të shekullit, le të bëhet i marrë për të qenë i urtë. Sepse dija e kësaj bote është marri para Hyjit, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Ai i zë të dijshmit në dredhitë e tyre.’ dhe përsëri: ‘Zoti i njeh mendimet e të mençurve,
e di se janë të kota.’ Prandaj, askush prej jush mos ta vërë mburrjen e vet në njerëz, sepse gjithçka është juaja: Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, e tashmja, e ardhmja! Gjithçka është juaja, ju jeni të Krishtit e Krishti është i Hyjit!

Ungjilli (Mt 5,38-48)

Në atë kohë, Jezusi tha: “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Syrin për sy e dhëmbin për dhëmb’. Unë po ju them: Mos u kacafytni me të keqin, por atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe të tjetrën. Atij që do të të qesë në gjyq për të të marrë këmishën, jepja edhe pallton. E nëse ndokush të shtrëngon të ecësh me të një milje, ti bëji dy; atij që të lyp, jepi, e atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën.”
“Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd. E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët. Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit? E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët?
Jini, pra, të përkryer, siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!”



Urdhri i dashurisë për të afërmin nuk ishte i panjohur para Jezusit. Në të vërtetë, në Besëlidhjen e Vjetër nuk është menduar kurrë se mund të duhej Hyji, pa u interesuar për të afërmin. Tek Fjalët e Urta gjendet një pohim, të cilin Jezusi e përsërit pothuajse fjalë për fjalë: “Nëse armiku yt ka uri, jepi të hajë bukë; nëse ka etje, jepi të pijë ujë... e Zoti do të të shpërblejë (Fj. Ur. 25,21-22).

Urdhërimi paradoksal

Urdhërimi i Jezusit është i ri e revolucionar në formulimin e tij, në përmbajtje e në kërkesat e tij të forta. Është i ri, sepse është universal, sepse ka një shtrirje të gjerë horizontale: nuk njeh asnjë përjashtim, nuk mban parasysh kufijtë, racën fenë, por i drejtohet njeriut si i tillë, i barabartë me të gjithë të tjerët për vetë natyrën e tij. Është i ri për vetë masën e tij, për dendurinë dhe shtrirjen vertikale. Masën na e jep vetë modeli që na parashtrohet: “Po ju jap një urdhër të ri: duajeni njëri-tjetrin; sikurse unë ju desha ju, ashtu diajeni edhe ju njëri-tjetrin” (Gj 13,34). Masa e dashurisë sonë për të afërmin është dashuria që vetë Krishti ka për ne. Ose, më mirë, dashuria që vetë Ati ka për Krishtin, sepse: “Sikurse Ati më ka dashur mua, kështu ju desha edhe unë ju” (Gj 15,9). Hyji është dashuri dhe kështu shfaqet dashuria e tij: ai na do i pari dhe dërgon Birin e vet për të shlyer mëkatet tona (1 Gj 4,10). Është i ri për arsyen që na parashtron: duhet të duam për dashuri të Hyjit, për qëllimet e tij hyjnore; pa asnjë lloj interesi; me dashuri të kulluar; pa hijen e shpërblimit (Mt 5,46). Duhet të duhemi si vëllezër, me një dashuri që kërkon të mirën e personit që duam, jo të mirën tonë. Duhet të duam si Hyji, që nuk kërkon të mirën tek njeriu që do, por e krijon të mirën tek ai, duke e dashur. Është i ri, sepse Krishti e ngre në nivelin e dashurisë për vetë Hyjin. Nëse botëkuptimi hebraik mund të lejonte të krijohej opinioni se dashura vëllazërore ka të njëjtën vlerë si urdhërimet e tjera (Lv 19,18), botëkuptimi i krishterë i jep asaj një vend qendror, krejtësisht të veçantë. Në Besëlidhjen e Re dashuria për të afërmin është e pazgjidhshme nga dashuria për Hyjin.

Duhet të krijojmë rastet për t’u takuar

“Armiqtë nuk janë vetëm ata që na urrejnë e na bëjnë keq, ata me të cilët kemi kundërshtime të pandreqshme, por edhe ata që bëjnë gabimin të mendojnë ndryshe nga ne, duke luftuar në krahun tjetër, ata që, pa na vënë re fare, na braktisin në vetminë tonë. I takon dashurisë të krijojë për ta rastet e takimit dhe të gatishmërisë, të angazhohet për të thyer vetërrethimin, për të krijuar mikpritjen, për të sfiduar indiferencën. Nëse duam të afrojmë ardhjen e mbretërisë, duhet të ndryshojmë metodën e bashkëjetesës dhe t’i japim rëndësi takimit. Miqësia jo vetëm duhet ofruar, por edhe duhet pranuar me të njëjtin angazhim. Kështu do të lulëzojë mirënjohja, që është ana tjetër e dashamirësisë. Nuk mjafton të duash të afërmin bashkë me Hyjin, duhet ta pranojmë dashurinë, nëse nuk duam të heqim dorë nga përgjigjja, që Hyji na e jep nëpërmjet të afërmit”.

Domosdoshmëria e faljes

Të krishterët janë ndarë, në emër të fesë dhe të Krishtit, duke e shqyer, kështu, trupin e Krishtit. Kanë parë armikun tek vëllai, e kanë “çkishëruar” njëri-tjetrin, duke u quajtur heretikë, duke djegur libra e flamuj... Është derdhur gjak, ka shpërthyer urrejtja e janë bërë luftëra fetare. Krenaria, përçmimi dhe mungesa e dashurisë kanë karakterizuar debatet teologjike dhe shkrimet apologjetike. Armiqtë e Hyjit, të Kishës, të fesë janë luftuar me armë e me urrejtje. Janë hapur fushata e kryqëzata. Sot Kisha i ka tejkaluar dhe përpiqet t’i tejkalojë këto kufizime. Nuk ekzistojnë më heretikët, por vëllezërit e ndarë; nuk ka më armiq, por bashkëbisedues; nuk shohim më gjërat që na ndajnë, por para së gjithash ato që na bashkojnë; nuk i dënojmë fetë e tjera në tërësinë e tyre, por shohim tek ato vlerat njerëzore që na lejojnë të hyjmë në dialog. Por, mungesa e tolerancës dhe polemikat rrinë gjithnjë në pritë. A nuk ndodh që, brenda të njëjtës Kishë, të ushtrojmë po atë sulm e polemikë të tepruar, që përpara u drejtohej të tjerëve? Sa të krishterë të angazhuar, pasi kanë mbetur pa një tabelë qitjeje përjashta, janë kthyer për të kërkuar “armiqtë” e brendshëm të Kishës, të cilët i luftojnë me ngulm, pa i dashur e pa i falur!
Leximet e sotme na ndihmojnë të ndryshojmë sjellje.



Në Ungjillin e sotëm Jezusi e përmbys konceptin e rendit, të themeluar mbi drejtësinë, dhe paraqet dashurinë si themelin e ri të paqes mes njerëzve. Dashuria ka forcën për të bërë të drejtë çfarë është shtrembëruar për shkak të padrejtësive njerëzore. Mësimi i ungjillit të sotëm, sikurse të gjitha mësimet e ungjillit, mund të kuptohen vetëm në dritën e pashkëve të Krishtit. Ajo, për të cilën bën thirrje Jezusi sot, është pikërisht çfarë ka përjetuar ai vetë, gjatë orëve të gjykimit dhe të dënimit: “Por, unë po ju them, ju mos iu kundërvini të ligut!” (Mt 5,39). Nëse mbajmë parasysh mundimet e Krishtit, mund të kuptojmë se, me këto fjalë, Jezusi nuk ka ndërmend të mësojë një moral të ri, por ai hap një rrugë të re, rrugën e dashurisë. Kush dëshiron të jetë nxënës dhe ndjekës i Krishtit, duhet të ecë në këtë udhë.
Jezusi nuk iu kundërvu ligësive njerëzore, duke i mundur njerëzit, qoftë edhe me drejtësi, por duke e pësuar të keqen, deri në vdekje, në kryq, për ta shndërruar atë në burim bekimi për të gjithë ata që besojnë në Krishtin.
Duke dëgjuar këtë pjesë të ungjillit sipas Mateut, sytë tanë nguliten tek mundimet e Krishtit, tek kryqi i tij: “Nëse dikush të godet në faqen e djathtë, ti ktheji edhe tjetrën!” (Mt 5,39) – thotë Ungjilli i sotëm. Në fund të Ungjillit sipas Mateut gjejmë këtë fragment të mundimeve të Krishtit: “Duke e pështyrë, i hoqën nga dora kallamin dhe e qëllonin në kokë” (Mt 27,30).
Jemi gjithnjë në atë kontekst të mësimeve të Jezusit, në të cilin ai thotë se nuk ka ardhur për ta zhbërë ligjin, por për ta plotësuar. Ligji i Hyjit është udha e drejtësisë së njerëzve, por edhe mjeti i ndëshkimit të Hyjit për padrejtësitë tona. Jezusi ka ardhur për të na shpëtuar nga ndëshkimi, që meritojmë, për shkak të paaftësive tona për ta zbatuar ligjin. Ai na shpëton nga ky ndëshkim, duke iu nënshtruar plotësisht paudhësisë njerëzore. Dashuria e tij nuk e thyen ligjin, nuk i heq dhe nuk i shton atij asnjë presje, por e plotëson atë, duke marrë përsipër rrjedhojat e mosbindjes njerëzore dhe duke i vuajtur mbi kryq. Pasi e plotëson ligjin gjer në fund, mbi kryq, Jezusi i liron njerëzit nga ndëshkimi i ligjit, me lutjen, që i drejton Atit: “Fali, o Atë, se nuk dinë çfarë bëjnë” (Lk 23,34). Dashuria, prej së cilës buron falja, e shndërron armikun në mik. Në kryq, Krishti ka shfaqur këtë dashuri për njerëzit dhe ka realizuar shndërrimin e madh të njerëzve në miq. “Unë nuk ju quajta shërbëtorë, por miq”, thotë në Ungjillin sipas Gjonit (khs. Gj 15,15). Ai, që e ka realizuar këtë shndërrim, thotë në Ungjillin e sotëm: “Duajini armiqtë tuaj dhe lutuni për ata që ju përndjekin” (Mt 5,44).
Dashuria për armikun mbart vulën e kryqit dhe i këput vargonjtë e urrejtjes e të hakmarrjes. Kush e takon Krishtin dhe beson në të, e gjen këtë dashuri, që i pastron zemrat nga mekanizmat e ligjit dhe i bën zemra të lira e bujare. Njeriu sipas Krishtit nuk shqetësohet për të qenë në rregull me ligjin, por jeton për t’iu dhuruar krejtësisht të tjerëve. Kjo liri fitohet duke kaluar nga “Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve” në “Por unë po ju them”, nga ligji, tek hiri, nga Moisiu, tek Krishti.
Krishti na zbulon, në misterin e kryqit e të ringjalljes, se drejtësia e Hyjit, e themeluar mbi mëshirën, na bën të drejtë, jo vetëm sepse na bën të aftë t’i zbatojmë urdhërimet, por edhe t’i përsosim ato, me Krishtin. Në këtë perspektivë duhet parë porosia e Jezusit në Ungjillin e sotëm: “Nëse dikush të qëllon në faqen e djathtë, ktheja edhe tjetrën” (Mt 5,39). Kjo porosi i jep fund të drejtës së ligjit “sy për sy e dhëmb për dhëmb”, jo duke e shfuqizuar atë, por duke e përsosur me anë të mëshirës.
Kërkimi i së drejtës e mbyll njeriun në rrethin vicioz të argumentit dhe kundër-argumentit. E drejta ligjore vë gjithmonë në qendër kërkesat vetjake të njeriut. Kush kërkon të drejtën, që mund t’i takojë me ligj, rrezikon të mbetet vetëm. Sëmundja e madhe, prej të cilës Jezusi ka ardhur për të na shëruar, është pikërisht ajo e vetëpohimit. Jezusi na shëron nga kjo sëmundje me anë të vetëmohimit në kryq. Prandaj njëra ndër kërkesat themelore për ndjekësit e tij është ajo e vetëmohimit: “Nëse dikush dëshiron të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet çdo ditë e të më ndjekë” (Lk 9,23). Vetëmohimi nuk është shterpë, përkundrazi, është kushti për pohimin e tjetrit, mënyra e krishterë e shndërrimit të tjetrit nga armik në njeri të dashur. Vetëmohimi na bën të heqim dorë nga të drejtat, që na takojnë me ligj, por na bën edhe të fitojmë personin, për të cilin pranojmë të heqim dorë nga të drejtat. Dashuria vendos njeriun në qendër të vëmendjes dhe jo ligjin. Në një pjesë tjetër të Ungjillit Jezusi thotë se e shtuna është krijuar për njeriun, jo anasjelltas.
Në pjesën e parë të ungjillit të sotëm, Jezusi thotë: “Atij që të thërret në gjyq, për të të marrë tunikën, jepi edhe gunën” (Mt 5,40). Tunika, në traditën hebraike, është veshja që u takon me të drejtë të gjithëve dhe i merret vetëm atij që shitet si skllav. Libri i Zanafillës tregon se kur vëllezërit, bijtë e Jakobit, ua shitën egjiptianëve Jozefin, ia hoqën tunikën, ndërsa Ungjilli na tregon se edhe Jezusit, para se ta kryqëzonin, ia hoqën tunikën. Jezusi vetë është dorëzuar si shërbëtor në duart e njerëzve: “Unë rri mes jush si ai që shërben” – thotë ai vetë në Ungjillin sipas Lukës (22,27). Jezusi u kërkon nxënësve të tij të jenë si ai: t’ua dhurojnë vetveten të tjerëve, të jetojnë me logjikën e kryqit, ta dorëzojnë lirinë, me liri të plotë. Atij që të kërkon tunikën, jepi edhe gunën. Guna u shërbente hebrenjve për t’u mbuluar natën. Në librin e Daljes Hyji i porosit hebrenjtë kështu: “Nëse i ke marrë peng të afërmit tënd gunën, ktheja para perëndimit të diellit, sepse ajo është i vetmi petk me të cilin mbështjell trupin dhe s’ka tjetër në të cilin të bjerë të flejë. Nëse ankohet para meje, do ta dëgjoj, sepse kam dhembshuri” (Dal 22,25-26). Jezusi na porosit të heqim dorë nga këto të drejta ligjore, sepse na jep ligjin e përsosur të dashurisë: “Duajini armiqtë tuaj dhe lutuni për ata që ju përndjekin” (Mt 5,44). Kjo dashuri buron nga identiteti ynë, që është i njëjtë me atë të Krishtit, sepse, në Krishtin, jemi bërë bij të Atit qiellor. Ai “bën të lindë dielli mbi të këqijtë e mbi të mirët dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët e mbi të padrejtët” (Mt 5,45).
Kjo mënyrë sjelljeje i shpëton të krishterët nga rreziku për t’u mbyllur në vetvete e për të krijuar grupime që e shikojnë botën si kërcënim. Dashuria vetëm për ata që na duan është jehonë e shurdhër, që tingëllon brenda një mjedisi të mbyllur e të zbrazët. Dashuria për armikun është misionare, na shtyn përtej gardhit të vathës së mbyllur, jo vetëm në kërkim të deles së humbur, por drejt gojës së ujkut. Kisha e hershme e ka kuptuar thellë këtë porosi të Jezusit dhe e ka ungjillëzuar botën me anë të martirizimit. Edhe Kisha e sotme, në të katër anët e botës, vijon ta dëshmojë Zotin me anë të martirizimit. Është bashkimi i plotë me Birin e mishëruar, i cili, sikurse na prin drejt kryqit, për dashuri ndaj të gjithë njerëzve, ashtu na hap edhe udhën e ringjalljes e të lavdisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.