2014-02-23 13:35:36

Françesku: kardinali nuk hyn në një oborr mbretëror plot me intriga, por rrezaton dashurinë e Krishtit në botë


“Gjuha jonë të jetë ajo e Ungjillit; sjelljet, të Lumnive e udha jonë, ajo e shenjtërisë”. Këtë nënvizoi sot paradite Papa Françesku, gjatë kremtimit të Meshës në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke iu drejtuar 19 kardinajve të rinj, krijuar dje në Koncistor, si dhe Kolegjit Kardinalor. Të gjithë Papa i porositi të rrinë larg dokeve e sjelljeve të oborreve mbretërore, intrigave, thashethemeve, grupimeve e, të udhëhequr nga Shpirti Shenjt, të bëhen ‘kanale, nëpër të cilat rrjedh dashuria e Krishtit”.RealAudioMP3

Përplot me stoli, me lule e ngjyra, sot, Bazilika e Vatikanit: spikaste posaçërisht, ngjyra e gjelbër e veshjeve të kremtuesve dhe ngjyra e kuqe si gjaku e kësulave të kardinajve, në lutje, me Papën, që kryesoi Meshën Shenjte. Françesku e nisi homelinë, duke e marrë shtytjen nga lutja drejtuar Atit qiellor, përmes Jezu Krishtit, propozuar këtë të diel, e shtata e kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar: “Ndihma jote, o Atë i mëshirshëm, na jep hirin të jemi gjithnjë të vëmendshëm ndaj zërit të Shpirtit Shenjt”. Kjo lutje, shqiptuar në krye të Meshës, tha Papa, na kujton detyrën themelore:
“Dëgjimin e Shpirtit Shenjt, që e gjallëron Kishën, i jep jetë. Me forcën e Tij krijuese e përtëritëse, Shpirti Shenjt ngjall gjithnjë shpresa të reja në zemrën e popullit të Zotit, që vijon shtegtimin në udhët e pafundme të historisë. E mbështet gjithnjë, si Paraklit, dëshminë e të krishterëve”.
Por, ç’porosi jepte Shpirti Shenjt nga tekstet e sotme liturgjike? Papa i rikujtoi, duke nisur nga Libri i Levitikut, tek Ungjilli i Mateut - tekstet e sotme, që të gjitha, ftesë për t’i përngjarë në shenjtëri e përsosuri Atit tonë qiellor. Fjalë, që na bëjnë thirrje të gjithëve, tha Papa, duke iu drejtuar, posaçërisht, kardinajve të rinj:
“Të imitosh shenjtërinë e përsosurinë e Zotit mund të duket cak i paarritshëm. Gjithsesi, Leximi i parë dhe Ungjilli na kujtojnë shembuj konkretë, që sjellja e Zotit të bëhet rregull i mënyrës si veprojmë. Por ne të gjithë duhet ta kujtojmë se pa Shpirtin Shenjt, çdo përpjekje e jona do të ishte krejt e kotë. Shenjtëria e krishterë nuk është, në radhë të parë, vepra jonë, por fryti i bindjes - së dëshiruar e të kultivuar - ndaj Shpirtit të Zotit, tri herë shenjt”.
Është Shpirti Shenjt, theksoi Papa, ai, që mund të na pastrojë, të na formojë, të na i shndërrojë zemrat ditë për ditë, për të na bërë shenjtorë, sipas ligjit të ri, që i kundërvihet plotësisht atij të urrejtjes, të hakmarrjes, të persekutimit. Njeriun, që dëshiron ta ndjekë, kujtoi Ati i Shenjtë, Jezusi e porosit ta dojë atë, që nuk e meriton, pa i kërkuar asgjë, për t’i mbushur me dashuri zemrat, marrëdhëniet njerëzore, familjet, bashkësitë, botën:
“Vëllezër kardinaj, Jezusi nuk erdhi të na mësojë sjellje sallonesh. Për këtë nuk kishte nevojë të zbriste nga Qielli e të vdiste mbi kryq. Krishti erdhi të na shpëtojë, të na tregojë rrugën, e vetmja rrugëdalje nga rërat e lëvizshme të mëkatit. E kjo rrugë shenjtërie është mëshira. Ajo që Ai vetë, i pari, e bëri e vijon ta bëjë ditë për ditë me ne. Të jesh shenjt nuk është luks, është nevojë, për shëlbimin e botës”.
E kjo u kërkohet nga Zoti e nga Kisha Nënë edhe kardinajve: “Të jenë dëshmitarë të shenjtërisë me zell të zjarrtë, me gjithë zemër”:
“Prandaj t’i duam ata, që mbajnë qëndrim armiqësor ndaj nesh; t’i bekojmë ata, që na marrin nëpër gojë kot; t’i përshëndesim me buzë në gaz ata, që ndoshta as që e meritojnë; mos të lakmojmë dukjen, por t’i kundërvihemi prepotencës me butësi e t’i harrojmë poshtërimet e pësuara”.
Kardinajtë e udhëhequr nga Shpirti i Krishtit, pohoi Papa, mund të jenë kanale, nëpër të cilat rrjedh dashuria e krishterë. Kështu, theksoi në vijim, duhet të sillet kardinali:
“Kardinali hyn në Kishën e Romës, vëllezër, nuk hyn në një oborr mbretëror, prandaj duhen shmangur doket e sjelljet e oborrit: intrigat, thashethemet, grupimet, favoritizmat, preferencat. Gjuha jonë duhet të jetë ajo e Ungjillit: ‘po’, po’; ‘jo’,‘jo’; sjellja jonë duhet të jetë ajo e Lumnive, udha, ajo e shenjtërisë”.
Jeni tempull i Zotit, përsëriti Papa fjalët e Shën Palit, tempull i shenjtë, në të cilin kremtohet liturgjia e jetës, liturgji e dashurisë:
Kur në zemrën tonë gjen vend më i vogli nga vëllezërit tanë, është Zoti vetë që e gjen këtë vend; kur ky vëlla lihet përjashta, përjashta është vetë Zoti. Zemra pa dashuri është si kisha e çkishëruar, që mund të shërbejë për gjithçka, përveç shërbimit hyjnor”.
Në përfundim Papa u kërkoi kardinajve afërsi me lutje e këshilla e, sidomos, bashkëpunim të ngushtë, duke i porositur të kenë unitet të përkryer në lutjet drejtuar Shpirtit Shenjt, që Kolegji të jetë plot me dashuri të krishterë e me shenjtëri, duke e ndihmuar Kishën për të rrezatuar dritën e Krishtit në botën e sotme.









All the contents on this site are copyrighted ©.