“Feja, që nuk jep fryt në vepra, nuk është fe”. Me këtë pohim e hapi sot Papa homelinë
e Meshës, kryesuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ia kushtoi Flijimin eukaristik kardinalit
Piovaneli, kryeipeshkëv nderi i Firencës, në ditëlindjen e tij të 90-të, duke e falënderuar
për punën, dëshminë dhe mirësinë e tij.
Bota është
përplot me të krishterë, që s’pushojnë s’i përsërituri fjalët e Atynës, po shumë pak
i vënë në jetë. E edhe me të ditur, që flasin për mundësitë e shumta të teologjisë,
pa arritur, pastaj, t’i pasqyrojnë konkretisht në praktikë. Është një rrezik ky, që
e pati frikësuar dymijë vjet më parë Shën Jakobin e që Papa Françesku e rikujtoi sot
në homeli, duke komentuar fragmentin e Letrës, ku Apostulli e thekson këtë. Pohimi
i Jakobit, vërejti Papa, është i qartë: feja pa fryt në jetë, feja, që nuk shndërrohet
në vepra, nuk është fe: “Edhe ne gabojmë shpesh lidhur me këtë: ‘Po unë kam
shumë fe’, dëgjojmë të thuhet. ‘Unë e besoj gjithçka, gjithçka…’. E ndoshta njeriu,
që i thotë këto fjalë, ka një jetë të vakët, të ligshtë. Feja e tij është si teori,
por nuk gjallon në jetën e tij. Jakobi Apostull, kur flet për fenë, e ka fjalën pikërisht
për doktrinën, për përmbajtjen e fesë. Ju mund t’i njihni të gjitha urdhërimet, të
gjitha profecitë, të gjitha të vërtetat e fesë, por nëse kjo nuk vihet në praktikë,
nuk bëhet vepër, nuk shërben. Mund ta themi Besojmën teorikisht, edhe pa fe, e shumë
njerëz e thonë pikërisht kështu. Edhe djajtë! Djajtë e dinë mirëfilli atë, që thuhet
në Besojmë, e dinë edhe se kjo është e vërtetë”. Papa Françesku rikujtoi fjalët
e Shën Jakobit: “Ti beson se ka një Zot të vetëm? Bën mirë; edhe djajtë e besojnë
e dridhen prej frike”. Ndryshimi, shtoi Papa, është se djajtë nuk kanë fe, sepse të
kesh fe, nuk do të thotë të kesh dije, por ta marrësh mesazhin e Zotit nëpër Krishtin.
Në Ungjill, vijoi Papa Françesku, ka dy shenja për ta dalluar atë, që e di ç’ duhet
të besojë, por nuk ka fe. Shenja e parë është kazuistika, e përfaqësuar nga ata, që
e pyesnin Jezusin nëse ishte e lejueshme të paguanin taksat ose cili prej shtatë vëllezërve
duhet të martohej me gruan e vejë. Shenja e dytë, është ideologia…: “Janëtë krishterët, që e mendojnë fenë si sistem idesh, si fe ideologjike: ishin edhe
në kohën e Jezusit. Shën Gjoni Apostull thotë për ta se janë antikrishti, ideologë
të fesë, të çfarëdolloj natyre. Asokohe ishin gnostikët, po do të vinin shumë e shumë
… E kështu, ata që bien në kazuistikë, ose në ideologji, janë të krishterë të cilët
e njohin doktrinën, por nuk kanë fe, si djajtë. Me një ndryshim: djajtë dridhen nga
frika, këta nuk dridhen fare: jetojnë krejt të qetë”. Përkundazi, kujtoi Papa
Françesku, në Ungjill ka edhe shembuj njerëzish, që nuk e njohin fare doktrinën, e
janë plot me fe. Ati i Shenjtë citoi episodin e Kananeases që, me fenë e saj, me bindjen
e plotë se për Zotin nuk ka asgjë të pamundur, arrin të fitojë hirin e shërimit të
së bijës. E kështu edhe Samaritania, që ia hap zemrën Zotit, sepse, shpjegoi Papa,
nuk takohet me të vërteta abstrakte, por me vetë Jezu Krishtin. E akoma, i verbëri,
që shërohet nga Jezusi e për këtë merret në pyetje nga farizenjtë e doktorët e ligjit,
derisa gjunjëzohet me thjeshtësi dhe e adhuron Atë, që e shëroi. Tre njerëz, tha në
përfundim Papa, që tregojnë se feja dhe dëshmia janë të pandashme:“Feja është
takim me Jezu Krishtin, me Hyjin, e që aty lind e të çon drejt dëshmisë. Këtë dëshiron
të thotë Apostulli: feja pa vepra, feja, që nuk të vë në lëvizje, nuk është fe. Janë
fjalë e asgjë më shumë se fjalë”.