2014-02-21 13:11:10

Mesazhi i Papës Françesku për 50 vjetorin e Kushtetutës Sacrosanctum Concilium


Papa Françesku i dërgoi një Mesazh prefektit të Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, kardinalit Antonio Cañizares Llovera (Antonio Kanjisares Ljovera), me rastin e 50 vjetorit të miratimit të Kushtetutës Sacrosanctum Concilium.
Në fillim Papa shpreh mirënjohjen për “përtëritjen e thellë të jetës liturgjike, që u bë i mundur nga Magjisteri konciliar, për lavdinë e Hyjit dhe të mirën e Kishës” dhe nënvizon se ky përvjetor na shtyn që të angazhohemi edhe më tej “për ta pranuar dhe për ta zbatuar në mënyrë gjithnjë e më të plotë këtë mësim”.
Pasi vë në dukje se Sacrosanctum Concilium dhe zhvillimet e mëtejshme të Magjisterit na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë liturgjinë, në dritën e zbulimit hyjnor, si kultin e ushtruar nga trupi mistik i Krishtit, Ati i Shenjtë citon fjalën që mbajti Benedikti XVI mbi Koncilin, në Seminarin Romak, më 15 shkurt 2012: “Të jetuarit tonë të përditshëm në trupin tonë, në gjërat e vogla, duhet të gjejë frymëzim, duhet të jetë i kredhur, i zhytur në realitetin hyjnor, duhet të bëhet veprim bashkë me Hyjin. Kjo nuk do të thotë se duhet të mendojmë gjithnjë për Hyjin, por që duhet të jemi vërtet thellësisht të prekur nga realiteti i Hyjit, në mënyrë që tërë jeta jonë... të jetë liturgji, të jetë adhurim”.
Në përfundim të mesazhit drejtuar kardinalit Llovera, Papa Françesku thotë se duhet të ecim përpara në udhën që na tregojnë etërit konciliarë, sepse “mbetet ende shumë për t’u bërë, që të pagëzuarit dhe bashkësitë kishtare ta përvetësojnë si duhet dhe plotësisht Kushtetutën mbi Liturgjinë e Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.