2014-02-21 14:12:32

Deklaratë e drejtorit të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, në emër të Koncistorit të jashtëzakonshëm të kardinjave


Më pas, gjatë konferencës për shtyp të zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, u vu sërish në dukje shqetësimi i kardinajve për gjendjen në Ukrainë. Kardinali Anxhelo Sodano, në emër të Koncistorit dhe të Papës, u dërgoi një mesazh solidariteti kardinajve ukrainas. Po shqetësimet nuk përfundojnë me ish-vendin sovjetik. Në një deklaratë të veçantë, miratuar nga kardinajtë dhe nga Papa Françesku personalisht, shprehet kujdesi e vëmendja për gjendjen e të krishterëve të persekutuar në botë, por edhe për konfliktet në vende të tjera, sidomos në Republikën Qendroafrikane. Është deklaratë e drejtorit të Sallës së Shtypit, sqaroi atë Lombardi, por paraqet mendimin, qëndrimin, ndjenjat e Papës, së bashku me ato të Koncistorit. Ta dëgjojmë:RealAudioMP3
“Gjatë Koncistorit të jashtëzakonshëm, Ati i Shenjtë dhe Kolegji Kardinalor i lartuan Zotit një lutje të veçantë për të krishterët e shumtë, që, në shumë anë të botës, janë gjithnjë e më shpesh viktima të akteve të intolerancës, ose të persekutimit. Ati i Shenjtë dhe kardinajtë dëshirojnë t’i sigurojnë ata, që vuajnë për shkak të Ungjillit, se luten vazhdimisht për ta. Gjithashtu, u bëjnë thirrje të qëndrojnë të fortë në fe e t’i falin nga zemra persekutuesit, duke imituar Zotin Jezus.
Njëkohësisht, mendimi i Papës dhe i kardinajve shkoi edhe tek kombet, që në këtë çast, po vuajnë nga konfliktet e brendshme, ose nga tensione të rënda, që lëndojnë bashkëjetesën normale civile, si në Sudanin e Jugut apo në Nigeri, kunjë rrjedhë e vazhdueshme atentatesh shkakton shumë viktima të pafajshme, në një atmosferë indiference në rritje. Këtyre orëve, zgjojnë shqetësime të veçanta, zhvillimet dramatike të gjendjes në Ukrainë, për të cilën urojmë të ndalet menjëherë çdo veprim i dhunshëm e të rivendosen pajtimi e paqja.
Në të njëjtën mënyrë, shqetëson jashtëzakonisht vazhdimi i konfiliktit në Siri, që duket larg gjetjes së një zgjidhjeje paqësore afatgjatë, ashtu siç shqetëson edhe konflikti në Republikën Qendroafrikane, i cili merr çdo ditë përmasa më të mëdha. Ndjehet gjithnjë e më shumë urgjenca e një nisme të bashkësisë ndërkombëtare për të favorizuar paqen dhe pajtimin e brendshëm, për të garantuar rivendosjen e sigurisë e të shtetit të së drejtës e për të mundësuar hyrjen e domosdoshme të ndihmave humanitare.
Fatkeqësisht, [kardinajtë] vërejnë se shumë nga konfliktet aktuale përshkruhen si fetare - jo rrallë, duke i nxitur fshehurazi të krishterët e myslimanët njëri kundër tjetrit - ndërsa kemi të bëjmë me konflikte me natyrë kryesisht etnike, politike, ose ekonomike. Nga ana e saj, Kisha Katolike, duke dënuar çdo dhunë të ushtruar në emër të përkatësisë fetare, do të vazhdojë impenjimin e saj për paqen e pajtimin, përmes dialogut ndërfetar dhe veprave të shumta të bamirësisë, që çdo ditë, u japin ndihmë e ngushëllim nevojtarëve kudo në botë”.
Atë Federiko Lombardi foli më pas për tematikat e diskutuara këtyre ditëve. Dha lajmin e emërimit të tre presidentëve të Sinodit për Familjen, që do të jenë: kryeipeshkvi i Parisit, kardinali Vingt-Trois; kryeipeshkvi i Manilës, kardinali Tagle dhe kryeipeshkvi i Aparesidës, kardinali Damasceno Assis. Tashmë, komentoi zëdhënësi vatikanas, ekipi që do të udhëheqë Sinodin është i plotë.RealAudioMP3
Në diskutimet e tyre, mëse 50 kardinaj vunë në dukje gjendjen e vështirë të familjes së krishterë, në një shoqëri të shekullarizuar, por edhe vështirësitë e Kishës Katolike për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme. Atë Lombardi vuri në dukje se kardinajtë përmendën dokumentet kryesore të doktrinës së krishterë, por edhe – e kjo mund të jetë pikë interesante referimi për të ardhmen – “teologjinë e trupit” të të Lumit Gjon Pali II, i cili pati paraqitur magjisterin e tij mbi dashurinë e seksualitetin në katekizmin e audiencës së përgjithshme të së mërkurës, nga viti 1979 deri në vitin 1984. Të rëndësishme, sipas atë Lombardit, diskutimet mbi gjendjen e të divorcuarve të rimartuar dhe pranimin e tyre në Sakramente:
“Për këtë, pati një sërë ndërhyrjesh shumë të rëndësishme, mjaft të zgjeruara e të qeta. Besoj se qe një reflektim i kënaqshëm për të gjithë pjesëmarrësit, por nuk u mor asnjë vendim e nuk pati asnjë prononcim për ndonjë orientim të veçantë, përveç impenjimit për të arritur në ndërthurjen sa më të mirë të temës së besnikërisë ndaj Fjalës së Zotit me temën e mëshirës e të dashurisë në jetën e Kishës. Kardinajtë treguan ndjeshmëri të madhe e kujdes ndaj të gjitha aspekteve, që duhen marrë parasysh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.