2014-02-20 13:02:09

Papa: për të njohur Jezusin, nuk mjafton katekizmi, duhet ta ndjekim si nxënës


Jezusi njihet duke i shkuar pas, më mirë se duke e studiuar, pohoi Papa Françesku gjatë meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Çdo ditë, shpjegoi Papa, Krishti na pyet kush është ai për ne, por përgjigjen mund ta japim duke jetuar si nxënësit e tij. RealAudioMP3

Nëse i krishteri dëshiron të dijë kush është me të vërtetë Jezusi për të, duhet të jetojë si nxënës i tij e jo si studiues i tij. Duhet të ecë gjurmëve të mësuesit, ku mund të ndërthuren dëshmi të pastra e tradhti, rrëzime e hove të reja, e ku nuk arrihet vetëm njohja intelektuale. Papa Françesku merr si model Pjetrin, të cilin Ungjilli i sotëm e paraqet njëkohësisht si dëshmitar guximtar – ai që, pyetjes së Jezusit, drejtuar apostujve: “Po ju, kush thoni se jam unë?”, i përgjigjet: “Ti je Krishti” – e menjëherë pastaj si kundërshtar, kur e qorton Jezusin, pasi ai tregon se duhet të vuajë e të vdesë, për t’u ringjallur. “Shpesh herë – vëren Papa – Jezusi na drejtohet neve e na pyet: Po për ty, kush jam unë?” dhe merr “të njëjtën përgjigje si ajo e Pjetrit, atë që kemi mësuar në katekizëm”. Por kjo nuk mjafton:

“Duket se, për t’iu përgjigjur pyetjes, që të gjithë e ndjejmë në zemër – ‘Kush është Jezusi për ne?’ – nuk mjafton ajo që kemi mësuar dhe studiuar në katekizëm, i cili është i rëndësishëm, duhet ta studiojmë e ta njohim, por nuk mjafton. Për të njohur Jezusin, duhet të bëjmë udhën që ka bërë Pjetri: pas këtij poshtërimi, Pjetri ka ecur përpara me Jezusin, ka parë mrekullitë që bënte Jezusi, ka parë pushtetin e tij, pastaj ka paguar taksat, siç i kishte thënë Jezusi: ka zënë një peshk, ka hequr një monedhë dhe ka parë shumë mrekulli të tilla. Por, në një farë pike, Pjetri e mohoi Jezusin, e tradhtoi Jezusin dhe mësoi atë dijen aq të vështirë të lotëve, të vajit – më shumë se dije, urti “.

Pjetri, vijoi Papa Françesku, i kërkon falje Jezusit dhe, pavarësisht nga kjo, pas ringjalljes, Jezusi e pyet tri herë, në bregun e Tiberiadit dhe ndoshta – thotë Papa – ndërsa pohonte dashurinë e vet totale për Mësuesin e tij, qau e u turpërua, duke kujtuar kohën kur e kishte mohuar tri herë:

“Pyetja e parë – ‘Po ju, kush thoni se jam unë’ – drejtuar Pjetrit, kuptohet vetëm udhës, pas një udhe të gjatë, pas një udhe me hir e me mëkate, pas udhës së nxënësit. Jezusi, nuk i ka thënë Pjetrit, as Apostujve të vet, “Më njih!”, por “Më ndiq!”. Ndjekja e Jezusit na bën ta njohim Jezusin. Ta ndjekim Jezusin me virtytet tona, edhe me mëkatet tona, por ta ndjekim Jezusin gjithmonë. Gjëja e domosdoshme nuk është studimi i gjërave të domosdoshme, por jeta prej nxënësi”.

Është i nevojshëm, ngulmon Papa Françesku, “takimi i përditshëm me Zotin, çdo ditë, me fitoret e dobësitë tona”. Por, shton më tej, këtë rrugë nuk mund ta bëjmë vetëm. Duhet ndihma e Shpirtit të Shenjtë:

“Njohja e Jezusit është dhuratë e Atit. Ai na bën ta njohim Jezusin. Është punë e Shpirtit të Shenjtë, i cili është punëtor i madh. Nuk është sindikalist, është punëtori i madh e punon brenda nesh, gjithmonë. Punon për të shpjeguar misterin e Jezusit dhe për të na dhënë ndjesinë e Krishtit. Të shohim Jezusin, Pjetrin, apostujt dhe të ndjejmë në zemër këtë pyetje: Kush jam unë për ty? E, si nxënës, t’i lutemi Atit të na japë njohjen e Krishtit, në Shpirtin e Shenjtë, e të na e shpjegojë këtë mister”.








All the contents on this site are copyrighted ©.