2014-02-20 14:26:59

Mesazhi i Papës drejtuar Akademisë Papnore për Jetën


“Plakja dhe paaftësia” është temë shumë aktuale, të cilës Kisha i kushton një vëmendje të madhe, nënvizon Papa Françesku, në një mesazh drejtuar asamblesë plenare të Akademisë Papnore për Jetën, që u mblodh këto ditë në Romë, për të diskutuar pikërisht mbi këtë argument.
Mesazhi i Papës, në të cilin kujtohet edhe 20 vjetori i themelimit të kësaj Akademie nga Gjon Pali II, tregon se angazhimi specifik është “studimi, informimi dhe formimi në lidhje me problemet kryesore të biomjekësisë dhe të së drejtës, si edhe respekti, përkrahja dhe mbrojtja e jetës”, me qëllim që, në dritën e fesë së krishterë dhe të mësimeve të Kishës, “t’i ndihmojmë njerëzit vullnetmirë të kuptojnë se shkenca dhe teknika, kur janë në shërbim të personit njerëzor dhe të drejtave të tij themelore, ndihmojnë për të mirën e përgjithshme të njeriut”.
Duke folur për temën që trajton këtë vit Akademia për Jetën: “Plakja dhe paaftësia”, Ati i Shenjtë nënvizon aktualitetin e saj dhe rëndësinë që i jep Kisha. “Në të vërtetë – shkruan Papa – në shoqëritë tona vihet re mbizotërimi tiranik i një logjike ekonomike përjashtuese, nganjëherë edhe vrastare, që shkakton shumë viktima, duke filluar nga të moshuarit tanë”. Në fakt, vijon Papa Françesku, duke cituar thirrjen apostolike Evangelii Gaudium, gjendemi përballë kulturës së mbeturinave, e jo vetëm asaj të shfrytëzimit e të shtypjes. Të përjashtuarit as që merren parasysh, janë vetëm hedhurina, “mbeturina”.
“Në themel të diskriminimeve dhe të përjashtimeve – thotë mesazhi i Papës – qëndron çështja antropologjike: sa vlen njeriu dhe ku mbështetet vlera e tij? Shëndeti është një vlerë e rëndësishme, por nuk përcakton vlerën e njeriut. (...) Për këtë arsye, mungesa e shëndetit dhe paaftësia nuk mund të jenë kurrë arsye për ta përjashtuar apo, edhe më keq, për ta zhdukur një person”.
Duke folur për familjen, si “mësuesja e pranimit dhe e solidaritetit”, ku “kujdesi për tjetrin është themeli i ekzistencës njerëzore dhe sjellje morale që duket përkrahur”, “mision që duhet përmbushur”, mesazhi i Papës përfundon me këto fjalë:
“Shoqëria është vërtet mikpritëse ndaj jetës, kur e pranon se ajo është e çmueshme edhe në pleqëri, në gjendjen e paaftësisë, në sëmundje të rënda, madje edhe kur është duke u shuar; kur mëson se thirrja për realizimin e njeriut nuk e përjashton vuajtjen, përkundrazi, mëson të shohë tek personi i sëmurë dhe i vuajtur një dhuratë për mbarë bashkësinë, një prani që bën thirrje për solidaritet dhe përgjegjësi. Ky është Ungjilli i jetës, që jeni të thirrur të përhapni, me anë të kompetencave tuaja shkencore e profesionale dhe me ndihmën e hirit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.