2014-02-19 19:30:33

Toka e Shenjtë. Patriarku Tual: t’i mbrosh palestinezët, nuk do të thotë të jesh kundra Izraelit


Problemet dhe konfliktet ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve do të marrin fund, kur të pranohet se fetë luajnë një rol vendimtar në procesin e paqes. Nuk mund të pretendojmë të gjindet rrugëdalja, pa marrë parasysh përmasën shpirtërore të kësaj toke”. Kështu u shpreh patriarku latin i Jeruzalemit, imzot Fuad Tual, gjatë bisedës me funksionarin amerikan, Shaun Casey, kushtuar kontributit vendimtar të bashkësive fetare për paqen në Tokën e Shenjtë. Casey, njofton një notë e agjencisë Fides, drejton Office of faith-based Community Initiatives, organizëm i lidhur me Departamentin e Shtetit të SHBA, themeluar nga sekretari i Shtetit, John Kerry, me mision të përtërijë e të përforcojë rolin e bashkësive fetare në politikën e jashtme të SHBA-ve. Gjatë bisedimeve, përmbajtja e të cilave u bë e njohur nga burime të Patriarkatit latin të Jeruzalemit, si i dërguari i SHBA-ve, ashtu edhe Patriarku, u shprehën plot besim e entuziazëm për vizitën e Papës Françesku në Tokën e Shenjtë.
Casey pohoi se mbrojtja e të krishterëve, ashtu si liria e kultit dhe e hyrjes në Viset e Shenjta, janë në qendër të vëmendjes si nga ana e Vatikanit, ashtu edhe e SHBA-ve. Posaçërisht, Sekretari aktual i Shtetit Amerikan, nënvizoi Casey, e njeh mirë forcën e fesë në procesin e paqes, i ndjek me vëmendje të posaçme shqetësimet e të krishterëve në Tokën e Shenjtë dhe propozon të hartohen vijat kryesore të një marrëveshjeje, para vizitës papnore. Jam i sigurt, shtoi Casey, se mesazhet e Papës me rastin e shtegtimit të tij të ardhshëm, do të jenë shumë të rëndësishme në ndihmë të përpjekjeve të të dy popujve për të ecur në këtë drejtim.
Nga ana e tij, patriarku shprehu vlerësimin lidhur me krijimin e zyrës për nismat ndërfetare, parë si njohje konkrete e rolit vendimtar të bashkësive fetare në proceset e e paqes. Sipas imzot Tual, Jeruzalemi duhet të mbetet “qytet i hapur për dy popujt e të trija fetë”. Gjatë bisedimeve, të dyja palët nënvizuan edhe dobinë e Izraelit. “Të mbrosh palestinezët, pohoi patriarku, nuk do të thotë të jesh kundër Izraelit. Të gjithë duhet ta kuptojnë se paqja do të ishte në dobi të të dyja palëve e jo vetëm në këndvështrimin e të drejtave të njeriut, por edhe në atë ekonomik, shtoi lidhur me këtë, Shaun Casey.











All the contents on this site are copyrighted ©.