2014-02-19 14:57:40

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme: “Mos kini frikë nga Rrëfimi! Është përqafim i Zotit”


Pajtimi është dhanti e Shpirtit Shenjt. Vetëm nëse pajtohemi, nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, me Atin e me vëllezërit, mund të jemi vërtet në paqe. Këtë nënvizoi sot paradite Papa, gjatë audiencës së përgjithshme, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, në një ditë me shenjat e ndjeshme të pranverës. Ati i Shenjtë e përqendroi katekizmin tek Sakramenti i Rrëfimit.RealAudioMP3

Të ndiemët e mëkateve, falja e fajeve, tha Papa, nuk është fryt i përpjekjeve vetjake, por dhuratë e Shpirtit Shenjt, që e shëron shpirtin tonë të brishtë:
Falja e mëkateve nuk është gjë, që mund ta bëjmë vetë. Nuk mund të them: ‘Unë ia fal vetes mëkatet!’. Ndjesa kërkohet, i kërkohet një tjetri, e në Rrëfim ia kërkojmë faljen Jezusit”.
Vetëm kur na falen mëkatet, mund të gjejmë paqen e vërtetë të shpirtit:
E këtë e ndjejmë të gjithë kur shkojmë të rrëfehemi, me një peshë të rëndë në shpirt e jo pa trishtim... E kur dëgjojmë se Jezusi na fali, mbi shpirtin tonë ndehet paqja, një paqe tejet e bukur, që vetëm Jezusi mund ta japë, vetëm Ai”.
Vendi ku e ndjejmë praninë e Shpirtit Shenjt, shtoi Papa, është bashkësia e krishterë:
“Ja, pra, pse nuk mjafton t’i lypim falje Zotit në mendjen e në zemrën tonë, por është e nevojshme t’ia rrëfejmë me përvujtëri e besim mëkatet tona Meshtarit, ministrit të Kishës”.
Në kremtimin e këtij Sakramenti, meshtari nuk përfaqëson vetëm Zotin...:
“...por gjithë bashkësinë, që pranon brishtësinë e çdo anëtari të saj, që e ndjen, e prekur në shpirt, pendimin e secilit, pajtohet me të, i jep zemër dhe e shoqëron në udhën e kthimit e të pjekurisë njerëzore e kristiane”.
Papa kujtoi pse është e nevojshme t’i drejtohemi edhe meshtarit e të mos mjaftohemi me rrëfimin drejtpërdrejt me Zotin:
Ndokush mund të thotë: ‘Unë rrëfehem vetëm me Zotin’. Po, mund t’i thuash Zotit: ‘Më fal, o Zot!’ e t’ia rrëfesh mëkatet tua. Por ne mëkatojmë edhe kundër vëllezërve, kundër Kishës, e prandaj është e nevojshme t’i kërkojmë ndjesë edhe vëllezërve e edhe Kishës, duke e bërë këtë përmes meshtarit”.
Kur nisemi për t’u rrëfyer, edhe turpi është ilaç për shpirtin: na mjekon e na shëron:
“Edhe turpi është i mirë. Është e shëndetshme të kesh pak turp. Turpi të bën mirë. Të kujton se duhet të jesh paksa më i përvuajtur. Meshtari e ndjek me dashuri e butësi rrëfimin e, në emër të Zotit, fal”.
Nuk duhet pasur frikë, pra, nga rrëfimi:
“Është gjë e bukur të flasësh me vëllain e ta shkarkosh në shpirt të meshtarit barrën, që ke në zemër: është shfrim para syve të Zotit, Kishës e vëllait. Ndonjeri, kur vihet në radhë për t’u rrëfyer, i ndjen të gjitha këto shqetësime, edhe barrën e turpit, por pastaj, kur përfundon rrëfimin, del nga rrëfyestorja i lirë, i madh, i bukur, i falur, i lum”.
Në vijim, Papa i drejtoi secilit një pyetje:
“Që kur s’je rrëfyer? Që prej dy ditësh? Dy javësh, njëzet vjetësh? Dyzet? Mos e humb më asnjë ditë të vetme: ec, shko në rrëfyestore. Meshtari do të jetë i mirë me ty. Mos harro, atje është vetë Jezusi. E Jezusi është më i mirë se priftërinjtë. Jezusi të pret. Me shumë dashuri. Zemër, pra, shko e rrëfeju!”.
Të kremtosh sakramentin e rrëfimit, pohoi në përfundim Papa, do të thotë të ndjesh përqafimin e ngrohtë të mëshirës së pafundme të Atit qiellor:Sa herë që rrëfehemi, Zoti na rrok, Zoti është në festë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.