2014-02-19 13:33:18

Imzot Shevçuk kërkon të ndalet gjakderdhja në Ukrainë


Thirrje që të ndalet gjakderdhja në Ukrainë e kërkesë që të gjitha kishat e vendit t’u bien këmbanave, për t’u kujtuar njerëzve se nëse vazhdohen ndeshjet si në Kiev, rreziku i vëllavrasjes është i lartë. Kreu i Kishës greko-katolike ukrainase, imzot Sviatoslav Shevçuk vazhdon kështu impenjimin e tij e të të gjithë meshtarëve përkrah manifestuesve të Mejdanit, për një Ukrainë demokratike dhe evropiane.
Që nga 22 nëntori, ditë e fillimit të protestave, Kisha greko-katolike i ka lënë hapur të gjitha vendet e kultit për të strehuar e për t’u dhënë një pjatë gjellë të ngrohtë manifestuesve. Edhe presidentit Janukoviç, imzot Shevçuk i pati thënë qartë: “Ne jemi, kemi qenë e do të jemi gjithnjë përkrah popullit”. Meshtarët luten vazhdimisht e thonë meshë në shesh.
Por dje, gjendja u keqësua, prandaj imzot Shevçuk, në një thirrje të re për vendin, e ndjen për detyrë të thotë: “Me keqardhje të madhe, vërej se thirrjet e Kishave për ndalimin e gjakderdhjes e për gjetjen e zgjidhjes paqësore të konfliktit, nuk janë dëgjuar. Dua të kujtoj me forcë se kush ka pushtetin, ka edhe përgjegjësinë e plotë për ç’po ndodh në vend. I bëj thirrje secilit të ndalet menjëherë gjakderdhja. U kërkoj të gjithë bijve të Kishës të agjërojnë, të luten e të solidarizohen me viktimat. Në këtë çast, në të cilin Ukraina përjeton rrezikun e vëllavrasjes, lërini të bien të gjitha këmbanat e kishave”.








All the contents on this site are copyrighted ©.