Duhet një vullnet i ri politik i përbashkët, për një Shqipëri të ndritshme, realizuar
me impenjimin e të gjitha forcave të vendit
23 vjet më parë, në Tiranë rrëzohej monumenti i diktatorit e me të, edhe diktatura.
Rrëzohej gjatë një marshimi të madh popullor proteste, pas 50 vjet shkatërrimi e vdekjeje.
Kanë kaluar 23 vjet që nga ai 20 shkurt, që do të përkujtohet përsëri me një marshim-proteste,
thirrur nga opozita e sotme, po në Tiranë. Pas 23 vjetësh
nuk mund të mos e sjellim kokën, për të parë gjurmët, që lamë pas vetes në këtë copë
udhe të historisë sonë. A të dramës sonë kombëtare. Kemi nevojë të shohim qartë ku
ishim e ku arritëm. Të kundrojmë rrugën që rrahëm. Përparimin që bëmë. Të pyesim veten:
sa marshime proteste popullore u organizuan në rrjedhë të 23 vjetëve, pas rrëzimit
të monumentit të diktatorit? Gjithnjë me synimin e rrëzimeve, e me të njëjtat kërkesa,
herë nga pala e rrëzuesve, herë nga ajo e të rrëzuarve, në një vend, të cilit diktatura
i la trashëgim çorganizimin e organizuar. Paligjshmëria vijon ta kërcënojë botën
shqiptare. Papunësia, të ngjallë dëshprim e parazitizëm. Të ardhurat e ulta në mënyrë
të pabesueshme për banorët e Evropës, në mes të të cilëve duam të jetojmë, të shuajnë
çdo shpresë. 23 vjetori, prandaj, nuk mund të jetë thjesht kujtim historik, me
a pa marshime proteste. Duhet të jetë studim i thellë e mësim i gjallë, duke nisur
nga arritjet në fushën ekonomike, në industri, bujqësi, arsim, shëndetësi, në mbrojtjen
e pronës e të punës. E, sidomos, në mbrojtjen e dinjitetit të shqiptarit. Të qytetarit
e të fshatarit, të cilëve sot nuk u mjafton djersa e ballit për të mbajtur veten e
familjen, në një Shqipëri, që shikohet thjesht si bark e xhep për spekulatorët e
politikës. Derdhëm shumë djersë, lotë e gjak. E kur u mendua se do të kalonim
nga ankimet, në vepra, qahemi e ankohemi më shumë, të pushtuar nga psikoza e rrëzimeve.
Duhet të rrëzohet dikush, për të arritur diçka, si atë ditë, 23 vjet më parë, kur
u rrëzua monumenti i tiranit. Të trazuar shpesh nga mendimi ogurzi se ishim më mirë,
kur qemë më keq! Historia e këtyre 23 vjetëve nuk ka nevojë për shumë shpjegime. Shumica
e shqiptarëve qenë e janë aktorë e autorë të zhvillimeve të saj. Kanë në dorë votën!
Kush e shet, shet lirinë e vet e të vendit. Kush e blen, shet dinjitetin njerëzor,
duke u shndërruar në karikaturë politike. E theksojnë ipeshkvijtë e Kishës Katolike
të Shqipërisë në një nga thirrjet e tyre për zgjedhjet: “Shitblerja votës, është
shitblerje e lirisë”, pohohet me forcë. “Ai, që vjen në pushtet me këtë votë të vjedhur
apo të blerë, nuk e meriton atë vend”. “Kush shet votën, shet dinjitetin e tij, në
dëm të përbashkët. E po këtë dëm bën edhe vota nën kërcënim ose e lidhur me premtim
të vendit të punës”. 23 vjet pas ngjarjes, nuk mund të mos kujtojmë se monumenti
prej bronzi nuk u rrëzua për t’u liruar piedestalin politikanëve. Në se duam
të shikojmë sa kemi përparuar këto 23 vjet e sa rrugë mbetet për të bërë për realizmin
faktik të idealeve të popullit, ta shikojmë veten në pasqyrën e shpirtit shqiptar,
të ndërgjegjes kombëtare, që s’na lë të gënjejmë. Sa më lart të jetë morali i
shqiptarëve, aq më i madh është përparimi. Sa më i ultë morali, aq më poshtë përparimi.
Por, po të flasim me gojën e opozitës, që i bën thirrje popullit të tubohet në
marshim “protesta do të jetë kundër pasigurisë, paligjshmërisë, që ka ngritur në
sistem qeveria e sotme”, “do të jetë marshim i thirrur nga PD dhe opozita, për njerëz,
që kanë në mendje e në zemër flakën e idealeve kombëtare”. Të cilët duan t’ia ndryshojnë
faqen “një ekonomie, që flet për rritjen e varfërisë e të papunësisë. Për perspektivë
të mbyllur. Konsum e rritje ekonomike të tulatur. Nivele, në të gjitha fushat e jetës,
që nuk premtojnë asgjë pozitive”. E këto, rezultate të punës së qeverisë së re,
që nuk e ka mbushur ende vitin në drejtim të vendit! Të çudit shpejtësia me të cilën
e rrënoi punën e paraardhësve, në të gjitha drejtimet. Po aq sa na pati çuditur rrënimi
i plotë i vendit, menjëherë pas rrëzimit të monumentit të diktaturës. E jo më
pak çuditesh, po të kujtosh se fjalë të ngjashme, me këto që thuhen tani, shqiptarët
i dëgjuan para ndonjë viti, kur në shesh të mejdanit ishin pushtetarët e sotëm, asokohe
në opozitë. Ngjarje edhe me viktima, që urojmë të mos përsëriten kurrë më! E kaluara
na rrënqeth, e tashmja nuk na pëlqen, e ardhmja shfaqet e zhytur në mjegull. E, stërnipa
të denjë të plakës, që e dogji përsheshi, vijojmë t’i fryjmë edhe kosit. Në një
çast të tillë historik, kush i thotë vetes prijës, duhet të marrë mbi vete tri detyra:
të gjejë rrugëdaljen, ta shprehë qartë programin, të vërë në shërbim të realizmit
të tij të gjitha fuqitë e përbashkëta, për të arritur rezulate të dukshme të prekshme,
larg çdo hipokrizie të rafinuar. Duke pritur diplomatët, përfaqësues të vendeve
të ndryshme të botës pranë Selisë Apostolike, më 13 janar 2014, Papa Françesku u kujtoi
se: “Mbyllja dhe izolimi krijojnë gjithnjë atmosferë të rëndë, mbytëse, që heret
a vonë ta merr frymën. Ndërsa duhet një impenjim i përbashkët, i të gjithëve, për
të favorizuar kulturën e takimit, sepse vetëm kush është në gjendje të shkojë drejt
të tjerëve, është i aftë edhe të sjellë fryte, të krijojë lidhje bashkimi, të rrezatojë
gëzim, të ndërtojë paqe”. Populli shqiptar pret të shikojë, mbi pidestal, Shqipërinë
e fortë, Shqipërinë e organizuar, Shqipërinë e ndritshme, të realizuar me impenjimin
e përbashkët të të gjitha forcave të vendit.