2014-02-18 14:16:16

Papa: Fjalët e Jezusit na shërojnë e na shpëtojnë nga tundimi


Joshjeve dhe tundimeve mund t’u bëhet ballë vetëm “kur dëgjojmë Fjalën e Jezusit”. E pohoi Papa Françesku, gjatë homelisë në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Pavarësisht nga dobësitë tona, tha Papa, Krishti ka gjithmonë besim tek ne dhe na hap një horizont më të gjerë se kufizimet tona.RealAudioMP3

Tundimi shfaqet si një joshje pa të keq dhe, në fund, kthehet në një kafaz, në të cilin, shpesh herë, në vend që të kërkojmë të lirohemi prej tij, përpiqemi ta lehtësojmë sa më shumë skllavërinë, pa ia vënë veshin Fjalës së Hyjit. Gjatë homelisë, Papa Françesku shtjelloi një fakt dhe një rrjedhojë, që përshkruan Shën Jakobi në leximin e parë të liturgjisë së sotme. Fakti është se njeriun nuk e tundon kurrë Hyji, por e tundojnë epshet e veta. Rrjedhoja është ajo që shkaktojnë vetë epshet, të cilat, thotë Apostulli, “e ngjizin dhe e lindin mëkatin. E mëkati, kur të kryhet, shkakton vdekjen”:

“Nga vjen tundimi? Si vepron brenda nesh? Apostulli na thotë se nuk vjen prej Hyjit, por prej epsheve tona, prej ligështisë sonë të brendshme, prej plagëve, që ka lënë brenda nesh mëkati origjinal: prej andej vijnë tundimet, prej këtyre epsheve. Është diçka kureshtare, tundimi ka tri karakteristika: rritet, u ngjitet të tjerëve dhe shfajësohet. Rritet: fillon qetë-qetë, e rritet... Jezusi vetë e thotë këtë, kur flet për shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrës: rritej gruri, por edhe egjra e mbjellë nga armiku. E tundimi rritet, rritet, rritet... E nëse dikush nuk e ndalon, pushton gjithçka”.

Më tej, vijon Papa Françesku, tundimi “kërkon dikë tjetër, për shoqëri, e i ngjitet” dhe, “duke u rritur e duke u ngjitur, tundimi na mbyll në një mjedis, prej ku nuk mund të dilet lehtë”. Është përvoja e apostujve, për të cilën flet Ungjilli i sotëm, ku apostujt fajësojnë njëri-tjetrin në sytë e Mësuesit, sepse nuk kanë marrë bukë në barkë. Jezusi, thotë Papa, ndoshta duke buzëqeshur me këtë grindje, i fton të ruhen “nga tharmi i farisenjve, i Herodit”. Por apostujt ngulin këmbë, për pak kohë, pa e dëgjuar, “të mbyllur brenda problemit: kush e kishte fajin se nuk kishin marrë bukën me vete”. Ata, komenton Papa “nuk kishin hapësirë, nuk kishin kohë, nuk kishin dritë për Fjalën e Hyjit”:

“E kështu, kur jemi në tundim, nuk e dëgjojmë Fjalën e Hyjit: nuk dëgjojmë. Nuk kuptojmë. E Jezusit i është dashur t’u kujtojë shumimin e bukëve, për t’i nxjerrë nga ai mjedis, sepse tundimi na mbyll, na heq çdo aftësi për të parë larg, na mbyll çdo horizont dhe, kështu, na çon në mëkat. Kur jemi në tundim, vetëm fjala e Hyjit, Fjala e Jezusit na shpëton. Dëgjimi i asaj Fjalë që na e hap horizontin... Ai është gjithmonë i gatshëm për të na mësuar si të dalim nga tundimi. E Jezusi është i madh, sepse jo vetëm na bën të dalim nga tundimi, por na jep edhe më shumë mirëbesim”.

Ky mirëbesim, pohon Papa, është “një forcë e madhe, kur jemi në tundim: Zoti na pret”, “ka besim tek ne, që jemi aq të tunduar, mëkatarë”, “hap horizontet e reja”. Nga ana tjetër, përsërit Papa Françesku, djalli, me anë të tundimit, na mbyll dhe krijon një mjedis të ngjashëm me barkën e apostujve. Është e mundur të mos biem në “burgun” e këtij mjedisi vetëm “kur dëgjojmë Fjalën e Jezusit”:

“Ti lutemi Zotit, që gjithmonë, siç ka bërë me nxënësit e vet, me durimin e tij, kur të jemi në tundim, të na thotë: ‘Prit, qetësohu! Kujto çfarë bëra me ty atëherë, në atë çast, kujtohu! Çoji sytë, shikoje horizontin, mos e mbyll, mos u mbyll, ec përpara’. E kjo fjalë do të na shpëtojë nga rënia në mëkat në çastin e tundimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.