2014-02-18 15:54:06

Dita e dytë e mbledhjes së Papës Françesku me tetë kardinalët. Tema, financat e Vatikanit


Komisioni Papnor Njoftues për IOR-in, i njohur ndryshe si banka e Vatikanit, dha një raport të gjatë e të hollësishëm sot paradite, para Papës Françesku dhe Këshillit të Kardinalëve, që ndihmon Atin e Shenjtë për riorganizimin e Kurjes Romake. Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Atë Federiko Lombardi, gjatë takimit me gazetarët, pohoi se komisioni raportoi jo vetëm për gjendjen e Institutit për Veprat Fetare, por edhe “për problemet e shkuara dhe shkaqet e tyre”. “Kardinalët – vijon deklarata e Atë Lombardit – treguan vlerësim për paraqitjen e komisionit dhe bënë pyetje” për një thëllim të mëtejshëm të çështjeve të caktuara.
Asnjë vendim nuk u mor, pas përfundimit të punimeve të paradites, por, theksoi atë Lombardi, “i rëndësishëm është kuptimi më i thellë i misionit të Institutit në perspektivën e shërbimit fetar e baritor të Kishës”.
Punimet e pasdites përqendrohen mbi të njëjtin argument dhe, nëse do të jetë nevoja, mund të merret përsëri në pyetje ndonjëri nga raportuesit e paradites.








All the contents on this site are copyrighted ©.