2014-02-17 15:11:35

Misioni ndërmjet popujve


“Missio ad gentes”, apo misioni ndërmjet popujve, ka të bëjë me ungjillëzimin e viseve, ku nuk është i pranishëm Ungjilli e ku ka rëndësi themelore të realizohet ungjillëzimi i parë. Po flitet për ditë e më shumë për këtë mision. Papa po dërgon, në drejtim të këtyre viseve, një mori familjesh. Të premten e kaluar, Ati i Shenjtë priti, në Shtëpinë e Shën Martës, drejtuesit e Lëvizjes Neokatekumenale e, së bashku me ta, nisi meshtarët përgjegjës në 28 “Missio ad gentes” në Evropë e në SHBA-të. Një nga këto misione do të shkojë edhe në Kosovë, ndonëse në këto troje Ungjilli është i pranishëm që në kohë apostolike.
Shumica e familjeve, dërguar nga Papa Françesku, janë spanjolle e italiane. Çdo ‘missio’ përbëhet nga katër familje, një meshtar, një anëtar, laik ose seminarist i lëvizjes neokatekumenale, që shoqëron grupin; një murgeshë e moshuar, në ndihmë të tri motrave të reja, të cilat bashkëpunojnë me misionin, pa i bërë ende kushtet. ‘Misiso ad gentes’ organizohet sipas modelit apostolik të Kishës së të krishterëve të parë. Misionarët e rinj e zhvillojnë misionin nëpër shtëpi, ndërmjet të papagëzuarve. Së bashku, krijojnë një bashkësi të krishterë, që i bën të dukshme, ndërmjet jo besimtarëve, shenjat e fesë: dashurinë (ashtu siç ju desha Unë) dhe bashkimin e përkryer (Atë, Ti je në mua e unë në Ty, të lutem të jenë edhe ata në Ne, si një gjë e vetme, që bota të besojë se Ti më dërgove).
Lëvizja është e pranishme në 124 kombe të ndryshme të botës, në të pesë kontinentet, pranë 1.479 dioqezave, me 20.432 bashkësi të pranishme në 6.272 famulli. Ka 100 seminare dioqezane misionare Redemptoris Mater, 2.300 seminaristë dioqezanë, që bëjnë pjesë në këtë nismë të krishterë e përgatiten për meshtari; 1.880 priftërinj dioqezanë të shuguruar në këto seminare.
Në mision janë më se 1 mijë familje, të shpërndara në 93 vende; 92 ‘misio ad gentes’.
Përmes misionit të tyre, që i shtohet veprimtarive të tjera, të shumta e nga më të ndryshmet, të Kishës katolike, Ungjilli vijon shtegtimin nëpër botë!








All the contents on this site are copyrighted ©.