2014-02-17 18:19:35

Indi: në Mumbai qeveria kërkon shpronësimin e pjesshëm të një shtëpie të Nënë Terezës


Qeveria lokale e Mumbait dha njoftimin për shpronësimin e truallit të “Cardinal Gracias Destitute’s Home” (Shtëpisë Kardinal Garcias për të varfërit) , ku strehohen të sëmurë në prag të vdekjes, nën kujdesin e motrave të Nënë Terezës. Administrata kërkon të marrë 3,5 m2 për zgjerimin e rrugës, gjë që, sipas saj, do ta lehtësonte trafikun tepër të dendur në zonë. Por aktivistët dhe rregulltaret shpjegojnë se trafiku has pengesa në zonën rreth stacionit, e jo pranë shtëpisë në fjalë. Në “Shtëpinë Kardinal Gracias për të varfërit”, nënvizon për agjencinë AziaNjuz motra Praksi, Nëna eprore e Motrave të Bamirësisë, themeluar nga Nënë Tereza, aktualisht jetojnë 70 gra. Nëse shpronësohet trualli, duhet të rrënohet kapela, kushtuar Zojës së Bekuar dhe cisterna. Gjithashtu duhen prerë tetë drurë. Do të ngushtohet edhe hyrja, ku kalon ambulanca. Struktura i përket kishës së Zemrës së Krishtit.
Që në vitin 1983, shpjegon në AziaNjuz famullitari, atë Vernon Aguilar, kisha ka dhënë 58 m2 truall për zgjerimin e rrugës. Në pikën, ku mendohet të bëhet shpronësimi, lartohet edhe një kryq, i vendosur aty që prej 150 vjetësh.
Imzot Nereus Rodrigues, një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Nënë Terezës, në të kaluarën famullitar i kishës së Zemrës së Krishtit, shpjegon për AziaNjuz vlerën që ka kjo shtëpi për qytetin e Mumbait: “Cardinal Gracias Destitute’s Home” u përurua më 24 maj 1962, në festën e Zojës Ndihmëtare. Trualli ku ngrihet, i është dhuruar Kishës, edhe sot e kësaj dite pronare e tij. Nënë Tereza vinte ta vizitonte shpesh këtë shtëpi, me të cilën kishte lidhje të veçantë.









All the contents on this site are copyrighted ©.