2014-02-17 15:11:09

Filloi në Vatikan mbledhja e tretë e Papës me Këshillin e kardinalëve


Filloi sot mbledhja e tretë e Papës Françesku me “Këshillin e Kardinalëve”, krijuar më 13 prill 2013 dhe miratuar me Kirografin (Dorëshkrim) e 28 shtatorit të shkuar, për të ndihmuar Atin e Shenjtë në qeverisjen e Kishës universale dhe për të përgatitur rishikimin e Kushtetutës Apostolike Pastor Bonus mbi Kurjen Romake. Mbledhja përfundon më 19 shkurt. Për takimin e paradites së sotme, Atë Lombardi dha disa njoftime, që po i përmbledhim në vijim.
"Jemi në fillim të një jave, ose, më mirë, të dhjetë ditëve të ngjeshura – tha në fillim atë Lombardi. Sot paradite, sikurse ishte parashikuar në program, filluan punimet e grupit të Këshillit të kardinalëve. Kardinalët kremtuan meshë me Papën në orën 7.00, në shtëpinë e Shën Martës, si herët e tjera, kur gjenden në Romë. Pastaj filluan punimet në sallën, që gjendet në Shtëpinë e Shën Martës, jo larg kapelës. Ishte i pranishëm, e do të vijojë të jetë i pranishëm, Sekretari i Shtetit, Imzot Parolin”, së shpejti Kardinal.
“Sot paradite – vijon deklarata e Atë Lombardit – u morën në dëgjim përfaqësuesit e Komisionit referues për studimin dhe drejtimin e organizimit të strukturës ekonomike-administrative të Selisë së Shenjtë. Pra, paraditja iu kushtua kryesisht kësaj teme. Ishin të pranishëm disa përfaqësues të këtij komisioni, jo gjithë komisioni. Ishte i pranishëm kryetari, Prof. Zahra; zëvendëssekretari, Imzot Vallejo Balda dhe gjermani Jochen Massemer, i cili është edhe kontrollori ndërkombëtar i Prefekturës së Çështjeve Ekonomike. Ata njoftuan mbi punën e komisionit gjatë këtyre muajve. Tashmë u bënë 7-8 muaj, që nga themelimi i komisionit, i cili ka nisur disa punë” dhe “ndoshta zotëron edhe skicat e para të ideve ose propozimeve të mundshme”.
“Nuk u mor asnjë vendim” – theksoi zëdhënësi i Vatikanit. Këshilli i kardinalëve do ta shqyrtojë më thellësisht këtë raportim. “Edhe pasdite Këshilli do t’i vijojë punimet, pa praninë e përfaqësuesve të Komisioneve”. Tani kardinalët janë për drekë tek Kardinali Bertello. “Prandaj – shtoi Atë Lombardi – edhe një çast bashkësie dhe kthjelltësie për Këshillin”.
"Nesër paradite – vijoi – parashikohet dëgjimi i Komisionit tjetër njoftues, ai mbi IOR-in. Pasditën e të mërkurës parashikohet një takim edhe me kardinalët anëtarë të Këshillit të Pesëmbëdhjetëve, që do të gjenden këtu edhe për Koncistorin dhe do të kenë rastin për t’u takuar me Këshillin e të Tetëve. Pra, një bashkërenditje e këtyre dy Këshillave, me një mbledhje të mërkurën pasdite”. “Programi e këtyre tri ditëve i Këshillit të të Tetëve – saktësoi – është mjaft i dendur”.
“Për të vijuar perspektivën e këtyre ditëve – thotë më tej Atë Lombardi – të enjten paradite më 20 shkurt fillon Koncistori i jashtëzakonshëm, mbledhje në të cilën janë të thirrur të gjithë kardinalët. Do të mblidhet në sallën e re të Sinodit, si herët e tjera. Salla e re gjendet pranë sallës Pali VI. Fillon në orën 9.30, me lutjen e Orës së Tretë; përshëndetja e kardinalit dekan, kardinali Sodano; një përshëndetje dhe pak fjalë nga Ati i Shenjtë për kardinalët dhe, pastaj, kumtesa hyrëse e Kardinalit Kasper mbi temën e Familjes. E dimë se tema e koncistorit është familja. Vijojnë pastaj ndërhyrjet e lira të kardinalëve, si gjatë pasdites, ashtu edhe të nesërmen paradite. Oraret janë: 9.30-12.30; 16.30-19.00.








All the contents on this site are copyrighted ©.