2014-02-16 13:06:03

Imzot Genshvajn: Benedikti XVI e përjetoi me qetësi të madhe 11 shkurtin e këtij viti


“I tërhequr, me lutjen time, do të jem gjithnjë me ju e, së bashku, do të shkojmë përpara me Zotin”. Me këto fjalë, Benedikti XVI ndahej me famullitarët e Romës, më 14 shkurtin e vitit të kaluar, pasi lajmëroi, më 11 shkurt, tërheqjen e tij nga shërbimi pjetrin. Një vit nga ai gjest epokal, ia drejtuam mikrofonin sekretarit të veçantë të Papës së nderit, prefektit të Shtëpisë Papnore, imzot Georg Genshvajn. Të dëgjojmë si e përjetoi Benedikti XVI përvjetorin e parë si Papë i nderit:
11 shkurti i këtij viti qe një ditë si gjithë të tjerat: mëngjesi filloi me meshën, pastaj lutjet, pastaj mëngjesi e kështu me radhë, vazhdoi dita. Natyrisht, u fol edhe për 11 shkurtin e vitit 2013, sepse ishte ditë historike, e paharrueshme, për të gjithë ata që e jetuan. Menduam për të, folëm, por kjo nuk ndryshoi asgjë në 11 shkurtin e vitit 2014. Benedikti XVI e kaloi me qetësinë e tij të zakonshme, që e karakterizoi edhe pas 11 shkurtit të vitit të kaluar.
Papa i nderit jeton “i fshehur nga bota” siç pati thënë ai vetë, kur sqaroi se për Kishën do të ishte mirë të kishte në krye një papë me forca më të mëdha se ai vetë. Si e kalon ditën?
Është e bukur ajo që tha atë Lombardi: Papa Benedikti jeton i fshehur, pa u përzier, por s’është aspak i izoluar. Siç e dimë, jeton në kuvendin Mater Ecclesiae, ka kontaktet e veta, ritmin e vet të përditshëm: ka vizitat, korrespondencën, kontaktet e jashtme… Ai deshi të lutej kështu për Kishën e për pasardhësin e tij e kjo i pëlqen. Shumë dyshuan nëse do të funksiononte bashkejetesa e dy papëve në Vatikan, por kush e njeh Benediktin XVI e dinte fare mirë se nuk do të ndërhynte në punët e pasardhësit. E ishte vërtet diçka e bukur që Papa Françesku, menjëherë pas zgjedhjes, deshi ta kontaktojë e kështu, filloi një miqësi, që ushqehet përditë.
Ka shumë njerëz, që duan ta takojnë Benediktin XVI, t’i flasin. Dimë se shumë i shkruajnë. Ç’mund të na thoni për këtë?
Për Papën Benedikti, ky është ngushëllim i madh, ia mbush zemrën me gëzim e mirënjohje ndaj njerëzve, që e duan. Falenderon Zotin për këtë. Por duhet kuptuar, se nuk mund t’u përgjigjet të gjitha kërkesave për ta takuar, sepse janë jashtëzakonisht shumë. E jo vetëm nga Italia, por nga e gjithë bota. Gjithsesi, Benedikti XVI është shumë, shumë mirënjohës për këto shenja dashurie dhe afërsie.







All the contents on this site are copyrighted ©.