2014-02-16 19:35:49

Entuziazëm dhe emocion gjatë vizitës së Papës Françesku në famullinë romake të Shën Tomës Apostull


“Lidhja jonë me Zotin nuk mund të jetë e sinqertë, nëse nuk duam të jetojmë në paqe me të afërmin”. Ky është një nga konceptet e homelisë, mbajtur nga Papa gjatë Meshës, kryesuar në famullinë e Shën Tomës Apostull, në lagjen e Infernetto-s, sektor jugor i dioqezës së Romës.
Sapo arriti, duke u takuar, në oborrin para famullisë, me fëmijët e Kungimit të parë e të Krezmimit, Ati i Shenjtë nisi të bënte shaka me ta, nga që i dhuruan shumë këmbë e duar, realizuar me punë dore: “Ju falënderoj për gjithë këto duar, e edhe këmbë, sepse ecet me duar, e duartrokitet me këmbë, apo jo? Jo, e? E pra ka edhe njërëz që bëjnë kështu!”- u tha.
Shumë herë, nënvizoi më pas duke u folur besimtarëve, edhe gabojmë, gabojmë në mënyrën si duhet dashur Jezusi. Madje mund të harrojmë ta duam Jezusin:
“Atëherë po ju them një të fshehtë për ta dashur, ashtu si do vetë Jezusi: për ta dashur, duhet ta bëjmë Jezusin të na dojë! Është Ai, që e bën punën. Ai, që na do i pari!”.
Mos e harroni këtë, se jeta është shumë e vështirë e duhet të bëjmë shumë gjëra. Prandaj, edhe mund të gabojmë!
Pastaj, gjithnjë duke iu drejtuar besimtarëve, Papa u tha: “Ju falënderoj për mikpritjen e ju kërkoj një nder: lutuni për mua. Mos harroni!”.
Fjalët u pritën me duartrokitje miratimi, nësa Papa përfshinte me sy sheshin para kishës së Infernetto-s, mbushur sa më nuk zinte, ashtu si edhe rrugët, që çojnë në kishë, prej nga e ndiqnin me sy 10 mijë besimtarë.
Para këtij dialogu, Papën e përshëndetën tre fëmijë të kunguar e të krezmuar; Julia, Tomazi e Sofia, duke i treguar edhe datën kur janë pagëzuar, për ta bindur se e ndjekin porosinë për të mos e harruar kurrë një datë kaq të rëndësishme.
Pastaj Françesku hyri në mjediset e brendshme të famullisë, ku u takua me prindërit e fëmijëve të pagëzuar gjatë vitit, me të moshuarit e të sëmurët, me Shoqatën e familjeve, që kanë fëmijë të gjymtë e me disa meshtarë.
U ndalua edhe në rrëfyestore, ku rrëfeu pesë pendestarë. Veprimtaria kryesore, kremtimi i Meshës Shenjte në kishën e re, ndërtuar kohët e fundit, për t’iu përgjigjur kërkesave të një periferie në rritje të vazhdueshme, ndër ‘më të rejat’ e kryeqytetit, me 130 pagëzime në vit. Sot, plot me besimtarë, në festë.
Vizita vijoi me hyrjen e procesionit në kishë, ku Papa Françesku kryesoi Meshën. Gjatë homelisë së improvizuar, kujtoi faqen ungjillore të Shën Mateut, në të cilën rrëfehet sesi apostujt e Jezusit u ndalën në një arë e hëngrën grurë, sepse ishin të uritur. I panë e thanë: - shikoni, shikoni, shkojnë kundër ligjit, sepse kush e bën këtë, nuk i bindet ligjit dhe e njollos shpirtin. Duke vijuar reflektimin, Ati i Shenjtë kujtoi qëndrimin e Jezusit. E fjalët e tij. Jezusi vijon të na kujtojë se shpirtin nuk e ndot ajo, që marrim nga jashtë, por ajo, që vjen nga zemra jonë. Duhet ta pyesim veten, theksoi Papa: “Çfarë kam brenda vetes: i dua gruan, burrin, miqtë, banorët e lagjes? A e urrej ndonjërin? Apo thuhet se i dua të gjithë, veç këtij e atij. Kjo është urrejtje”.
Atëherë, shtoi, duhet ta pyesim veten nëse falim, apo urrejmë e shpirti ynë bërtet: “Do të ma paguash!”.
Jezusi, vijoi Papa, ka thënë se Urdhërimi ‘mos vrit’ na kujton se kush e urren vëllain, e ka vrarë në zemër të vet. "Kush e fyen vëllain, e urren vëllain, e vret në zemër të vet. Kush përgojon, vret!":
“Besoj se na bën mirë sot të mendojmë çfarë kemi në zemrën tonë, çfarë kemi brenda nesh, që nuk e di askush, e jo nëse shpirti ynë është i pastër apo i njollosur. E t’ia themi vetes të vërtetën” .
Ndonëse kjo nuk është e lehtë, sepse njeriu ka gjithnjë prirjen të fshihet, që të mos dalë në shesh çfarë ka në shpirt.
Prej këndej, Papa u bëri thirrje besimtarëve të hyjnë në zemrat e veta, të rrëmojnë ndërgjegjen, për të nisur një rrugë të re në jetën e krishterë. E u dha edhe disa porosi, me vlerë për të gjithë, duke nënvizuar, së pari: “Kush nuk e do vëllaun, e vret! Kush di të dojë, di edhe të falë”.
E duke iu kthyer përsëri Ungjillit, Ati i Shenjtë kujtoi se shpirtin nuk e ndot ajo, që marrim nga jashtë, prej këndej, porosia:
“T’i kërkojmë, prandaj, Zotit hirin për të njohur zemrat tona, për ta njohur atë, që kemi në zemër e të mos jetojmë duke gënjyer veten”.
Kështu u shpreh Ati i Shenjtë gjatë homelisë, duke i nxitur besimtarët ta pyesin veten çfarë ka secili prej tyre në zemër:
“Ka dashuri? Ka urrejtje? Ka dëshirë për t’i falur fajtorët, apo për t’u hakmarrë kundër tyre? T’i kërkojmë Zotit hirin për të bërë të mirën, që kemi në zemër, jo të keqen. E, kur dëgjojmë të flitet keq për tjetrin, nuk duhet harruar se jemi para mëkatit të shpifjes, sepse në zemër kemi urrejtje, antipati, jo dashuri”.
T’i lutemi, prandaj Zotit, nënvizoi Ati i Shenjtë, të na mësojë të zgjedhim të mirën. E nëse nuk mund ta duam një njeri, të lutemi për të. T’i lutemi Zotit të na japë hirin që ta duam. Zoti na ndihmoftë!
Në përfundim të Meshës, Papën e përshëndeti dhe e falënderoi don Antonio d’Errico, famullitar i Shën Tomës Apostull, famullia e katërt që viziton Papa Françesku që nga fillimi i papnisë.
Ati i Shenjtë u rikthye në Vatikan, duke lënë pas koncepte, porosi, emocione, që duhen medituar, në përpjekjen për të nisur një rrugë të re në jetën e krishterë.









All the contents on this site are copyrighted ©.