2014-02-16 13:06:45

E diela VI gjatë vitit


Leximi i parë (Sir 15, 15-20)

Nëse do t’i mbash urdhërimet edhe ato të ruajnë;
nëse ke besim në Të, edhe ti do të jetosh.
Para t’i vuri ujin e zjarrin,
ku të duash, shtrije dorën tënde!
Përpara njeriut jeta e vdekja, e mira dhe e keqja:
çka ai të parapëlqejë, ajo do t’i jepet.
Sepse e madhe është urtia e Hyjit,
Ai është i madh në pushtet e pandërprerje sheh gjithçka.
Sytë e Hyjit priren mbi ata që e druan,
Ai i njeh të gjitha veprat e njeriut.
Askujt s’i ka urdhëruar të jetë i patenzonë
dhe askujt s’i ka dhënë leje të mëkatojë.

Psalmi 119 (118)
Refreni: Lum ai që ec në ligjin e Zotit
Lum njeriu me sjellje të pastër,
që ecën në Ligjin e Zotit!
Lum kush i mban dëshmitë e tija,
që e kërkon me gjithë zemër.

Ti i shpalle urdhërimet e tua
që të mbahen përpikërisht.
Oh, sikur të ishin të drejta udhët e mia
për t’i zbatuar rregulloret e tua!

Bëja këtë të mirë shërbëtorit tënd:
që të jetoj e ta mbaj fjalën tënde.
M’i hap sytë të shikoj
mrekullitë e ligjit tënd.

Urdhri yt më bëri më të dijshëm se armiqtë e mi,
sepse gjithmonë është me mua.
Shpirti im i ruan ligjet e tua
dhe i desha ato me gjithë shpirt.

Leximi i dytë (1Kor 2, 6-10)
Ne shpallim dijen në mes të përsosurve, por jo dijen e këtij shekulli, as të princave të kësaj bote të gjykuar për dënim, por predikojmë dijen e Hyjit të fshehur në mister, atë që Hyji e kishte paracaktuar para shekujve për lumturinë tonë, atë që asnjë nga princat e kësaj bote nuk mund e njohi; sepse, po ta kishin njohur, nuk do ta kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë. Por, sikurse thotë Shkrimi shenjt: ‘Çka syri nuk pa e veshi nuk dëgjoi dhe në zemër të njeriut nuk hyri, atë ua bëri Hyji gati atyre që e duan.’
Hyji na e zbuloi këtë të vërtetë me anë të Shpirtit Shenjt: sepse Shpirti Shenjt depërton të gjitha, edhe vetë thellësinë e natyrës hyjnore.

Ungjilli (Mt 5, 17-37)
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: «Mos mendoni se kam ardhur për të shfuqizuar ligjin e Moisiut apo profetët. Unë nuk kam ardhur për t’i shfuqizuar, po për t’i përmbushur. Me të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë ‘i’ dhe asnjë pikë mbi ‘i’ nuk do t’i hiqet ligjit të Moisiut para se të ndodhë gjithçka. Prandaj, kushdo që e shpërfill njërin nga këto urdhërime, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë edhe të tjerët të bëjnë po ashtu, ai do të jetë më i vogli në mbretërinë e qiejve. Ndërsa ai që do t’i zbatojë dhe do t’ua mësojë të tjerëve, do të jetë i madh në mbretërinë e qiejve. Ja, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve.»
«Keni dëgjuar se të parëve u qe thënë: Mos vrit. Ai që vret, do të dalë në gjyq. Por unë po ju them: kushdo që zemërohet kundër vëllait të veta, do të dalë në gjyq, por kush i thotë vëllait të vet “i pamend”, do të përgjigjet para sinedrit, dhe nëse i thotë “i marrë”, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit. Nëse kur sjell dhuratën e blatimit në altar, kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, atëherë lëre dhuratën aty para altarit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd, pastaj kthehu e kushtoje dhuratën tënde. Shpejto të merresh vesh me kundërshtarin tënd ndërsa je ende rrugës me të, që ai të mos të dorëzojë te gjykatësi, gjykatësi te roja dhe të përfundosh në burg. Me të vërtetë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit.»
«Keni dëgjuar se është thënë: Mos bëj tradhti bashkëshortore. Por unë po ju them: kushdo që e shikon një grua me dëshirim, ka bërë tashmë tradhti bashkëshortore me të në zemrën e vet. Nëse syri yt i djathtë të çon në mëkat, nxirre dhe hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët, sesa të të hidhet i tërë trupi në ferr. Dhe nëse dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje e hidhe larg teje, sepse është më mirë për ty të humbasësh vetëm njërën nga gjymtyrët, sesa të të shkojë i tërë trupi në ferr.»
«Është thënë edhe: Kushdo që e ndan gruan, duhet t’i japë asaj letrën e ndarjes. Por unë po ju them: kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, e shtyn atë në tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore.»
«Keni dëgjuar edhe se u qe thënë të parëve: Mos bëj betim të rremë, por bëj atë për të cilën je betuar para Zotit. Ndërsa unë po ju them: mos u betoni kurrë. As për qiellin, se është froni i Perëndisë, as për tokën, se është shtroja e këmbëve të tij, as për Jerusalemin, se është qyteti i mbretit të madh. Mos u beto as për kokën tënde, se as edhe një fije floku nuk mund ta bësh të bardhë a të zezë. Kur të flisni, thoni ‘po’ kur është ‘po’ dhe ‘jo’ kur është ‘jo’. Çfarë thuhet më shumë, vjen nga i ligu.»

***** ***** *****

Ligji i ri

Jezusi nuk ka ardhur për ta shlyer ligjin, por për ta përmbushur, për t’i dhënë atë “më shumë”, që na bën ta tejkalojmë si ligj e ta pranojmë si zgjedhje shpirtërore. Drejtësia e hebreut i përmbahet zbatimit të neneve të ligjit, ndërsa drejtësia e të krishterit nuk varet para së gjithash nga zbatimi i thjeshtë i ligjit, por nga fakti se kohët e fundit janë përmbushur në Jezusin dhe se Jezusi është i pari që ia ka dalë t’i bindet ligjit, i bashkuar me Atin. Krishti cakton një kriter të ri për ta vlerësuar moralin: qëllimin personal.

Çfarë ka “më shumë” ligji i ri?

Vendimin për t’u sjellë më me vërtetësi dhe në mënyrë më rrënjësore, njeriu e merr thellë në zemrën e vet. Asaj duhet t’i kushtojmë vëmendje dhe brenda saj duhen marrë vendimet: kjo është kërkesa më e lartë e ligjit, ajo “më shumë”, me të cilën Krishti e përmbush dhe e përsos.
Nuk mjafton të mos vrasim, është e nevojshme të mos zemërohemi (Mt 5,21). Nuk mjafton të mos e thyejmë kurorën, duhet të mos dëshirojmë gruan e tjetrit (Mt 5,27). Nuk mjafton të lajmë duart para se të hamë, duhet të pastrojmë brendinë e njeriut (Mt 7,1-23). Nuk mjafton t’u ngremë monumente profetëve, duhet të mos ua mbyllim gojën, duke i vrarë (Mt 23, 29vv). Nuk Mjafton të themi “Zot, Zot”, por “duhet të bëjmë vullnetin e Atit, që është në qiell” (Mt 7,21). Nuk mjafton të themi fjalë pa fund në lutje, duhet të kemi besim në mirësinë e Hyjit( Mt 6,7). Nuk mjaftojnë flijimet, nuk duhet gjë kulti dhe zbatimi i rregulloreve të hollësishme, nëse nuk vëmë në vendin e parë, në jetën tonë morale, drejtësinë, mëshirën dhe fenë (Mt 9,13; 12,7; 23;23).
Ligji i imponohet njeriut nga përjashta. Nëse Jezusi do të ishte ndaluar vetëm tek dhënia e ligjit shpirtëror, përsosja e tij do të ishte e paplotë. Ai synon të prekë vullnetin, zemrën. Risia, që sjell Krishti, është tjetërkund: nëse Jezusi kërkon diçka “më shumë”, këtë e mbështet në shprehjen “por unë po ju them”. Ai që urdhëron është Krishti, i cili dha shembullin i pari. Dashuria për armiqtë, durimi i vuajtjes dhe i përndjekjes janë bërë të mundura për të krishterët, sepse ata janë të nxitur dhe realisht të ndihmuar nga shembulli që kanë përpara. I Krishteri nuk i bindet vetëm një ligji, por vihet në gjurmët e Krishtit, që i prin dhe bëhet për të model, ligj, forcë e brendshme, me anë të dhuratës së Shpirtit (Mt 3,11), dhe çmim i dashurisë së lumnueshme.

Një hap përpara drejt vëllazërimit

Fjalët e Jezusit e ftojnë të krishterin për të bërë diçka “më shumë”, për të bërë një hap përpara drejt vëllazërimit. Nuk mjafton të mos e vrasësh vëllain, duhet ata respektosh, jo ta nënçmosh, jo të mendosh se je më lart se ai. Mund ta vrasësh me fjalë, me një gjykim të rreptë, me sjelljen përbuzëse. Mund ta vrasësh vëllain, duke e izoluar, duke ia shuar entuziazmin dhe duke ia bllokuar projektet e mira, duke mos e lejuar të shprehet lirshëm. Të mënjanuarit, të moshuarit e mbyllur nëpër azile, të sëmurët mendorë, “të largëtit”, i vrasim me mosinteresimin tonë të pashpirt, me mbylljen tonë në vetvete, duke i treguar me gisht... Nuk mund ta nderojmë Hyjin, nëse çnderojmë vëllain, sepse Hyji është tek çdo vëlla që takojmë, veçanërisht tek të varfrit, tek të vegjlit, tek të përvuajturit, të përçmuarit, tek ata që ne, nganjëherë, i quajmë tutkunë.

Një hap më tej në dashuri dhe në sinqeritet

Dashuria e burrit dhe e gruas nuk është dëshirim dhe kërkimi egoist për të kënaqur vetveten. Dashuria është dëshira për të mirën e të dashurit, është takim i lirë dhe çlirues. Tërheqja fizike pa dashurinë është shenjë tjetërsimi dhe papjekurie, është mohimi i lirisë dhe dinjitetit të personit, është orvatje për ta shkatërruar tjetrin, për ta kthyer në send, në objekt.
Një dashuri e vërtetë, e themeluar në tërësinë e njeriut, hyn në rrymën e vetme të dashurisë, që është Hyji, dashuri që dhuron Birin: një dhuratë totale, sepse Krishti ka dhënë jetën e vet për ne. Një dashuri, që ka premtuar se do të jetë e pranishme tek ata që e duan dhe, me zemër të drejtë e të sinqertë, e ruajnë fjalën e tij”.
Familja duhet t’i jetojë këto karakteristika të dashurisë, që e shënjojnë thellë dhe përforcojnë bashkimin e saj. Dhuratë totale. Dashuria në martesë ose është e tillë, ose nuk është asgjë. Totale deri në dhurimin dhe flijimin e plotë.
Fjalët nuk janë krijuar që njerëzit t’i përdorin për të mashtruar njëri-tjetrin, por që secili prej tyre t’u bëjë të ditur të tjerëve mendimet e veta. T’i mashtrosh të tjerët do të thotë t’i ndryshosh përdorimin shenjës së fjalës, ta bësh mjet përçarjeje e pështjellimi, kur duhet të jetë mjet bashkimi e qartësie. Krishti e tejkalon ligjin jude, kur e ndalon gënjeshtrën në çdo rrethanë, duke e bërë të kotë betimin.
(Nga "maranatha.it")


Në Ungjillin e sotëm, Jezusi flet për Ligjin. Për hebrenjtë, Ligji, që Hyji i dha Moisiut në shkretëtirë, përmban kushtet e miqësisë së tij me popullin. Nëse populli i zbaton këto kushte, do të gëzojë mbrojtjen e Hyji, por nëse do t’i shkelë apo harrojë ato, do të humbë forcën e do t’u nënshtrohet popujve të tjerë. Zbatimi i ligjit, pra, duhet të jetë thjesht shprehje e dashurisë mes njerëzve dhe Hyjit. Gjatë shekujve, Ligji e kishte humbur këtë natyrë dhe ishte bërë shprehje e virtytit të njeriut, shfaqje e aftësisë së tij për të qenë i përsosur. Kush e zbatonte ligjin, në vend që të mbeste i përvuajtur dhe mirënjohës për marrëdhënien e dashurisë me Hyjin, që ngroh zemrën dhe i jep kuptim jetës, mburrej para të tjerëve për virtytet e veta, tregonte sa shumë është lodhur për t’i mbajtur ato dhe gjykonte e dënonte ata që nuk e zbatonin Ligjin. Ligji kishte zënë vendin e Hyjit, megjithëse ligji nuk është i zbatueshëm pa Hyjin. Nuk është Ligji ai që e bën njeriun të lumtur, por miqësia me Hyjin, prej së cilës buron jeta sipas ligjit. Kur njeriu e humb marrëdhënien e gjallë me Hyjin, e ngrin atë në ngurtësinë e ligjit, në ftohtësinë e korrektesës, për shkak të frikës apo për interes, e kështu dyzohet, bëhet shtiracak. Institucionet fetare të Izraelit, në kohën e Jezusit, e shikonin ligjin shkronjë për shkronjë dhe gjykonin duke u mbështetur tek zbatimi apo moszbatimi i tij i dukshëm. Duke u kapur pas ligjit, në emër të Hyjit, njerëzit kishin harruar Hyjin, që e kishte dhuruar ligjin. Largësia ndërmjet njeriut dhe Hyjit, e bën ligjin të rëndë dhe të rreptë, madje edhe të pazbatueshëm. Shën Pali e përshkruan mirë këtë situatë, në kapitullin e dytë të letrës drejtuar Romakëve, ku shkruan: “Nëse, pra, ti, që quhesh jude, që pushon i qetë në ligjin e që mburresh me Hyjin; ti, që ia njeh vullnetin; ti, që, i mësuar me anë të ligjit, di të dallosh çka është më e mirë; ti, që ia ke mbushur mendjen vetes se je udhëheqës i të verbërve, dritë për ata që janë në errësirë, edukator i të padijshmëve, mësues i të vegjëlve, sepse në Ligj ke rregullën e dijes së vërtetë; ti, pra, që mëson tjetrin, veten pse nuk e mëson? Ti, që predikon të mos vidhet, vetë pse vjedh?...” (Rom 2,17-21). Që marrëdhënia e hebreut me ligjin ishte tjetërsuar dhe kishte krijuar dyzimin ndërmjet brendisë dhe dukjes së njeriut, del qartë pak më poshtë në këtë kapitull të letrës drejtuar Romakëve: “Judeu i vërtetë nuk është ai që shitet përjashta si i tillë, as rrethprerja e vërtetë nuk është ajo, shenja e pashme në mish, por judeu i vërtetë është në brendinë dhe rrethprerja e vërtetë është në zemër, sipas shpirtit e jo sipas germës.” (Rom 2,28-29).
Gjatë predikimit të tij, Jezusi u tërheq vëmendjen bashkëkombësve të vet pikërisht mbi këtë dyzim mes germës e frymës, mes dukjes së jashtme dhe brendisë së njeriut. Jezusi ka ardhur për të shëruar brendinë e njeriut, për ta rithemeluar njeriun në brendinë e tij më të thellë. Ai nuk ka ardhur për të siguruar zbatimin e ligjit, por për t’i dhënë njeriut Shpirtin e tij, që është Shpirti i Shenjtë i Hyjit, në mënyrë që, duke jetuar sipas Shpirtit, njeriu të jetojë plotësinë e ligjit. Ungjilli na tregon se vetë Jezusi u drejtohet me fjalë të forta atyre që kapeshin pas ligjit, për ta mbështetur aty pushtetin mbi ndërgjegjen e të tjerëve, në emër të fesë, prandaj u thotë: “Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që u përngjani varrezave të zbardhura me gëlqere, që duken përjashta të bukura e përbrenda janë gjithë eshtra të vdekurish me gjithë farë ndyrësie!” (Mt 23,27).
Në pjesën e sotme të Ungjillit sipas Mateut, Jezusi na tregon se ky dyzim i njeriut nuk është për faj të ligjit, por për faj të shpërdorimit të tij nga ana e njerëzve, sidomos e atyre që kanë për detyrë t’i udhëheqin njerëzit drejt bashkimit me Zotin. Për këtë arsye thotë: “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer ligjin ose Profetët. Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej” (Mt 5,17).
Si e përkryen Jezusi ligjin? Para së gjithash me anë të mëshirës dhe faljes. Në bazë të ligjit, njerëzit ishin nën ndëshkimin e Hyjit, sepse, sikurse thotë Shën Pali në letrën drejtuar Romakëve: “Të gjithë kanë mëkatuar dhe u mungon lavdia e Hyjit” (Rom 3,23). Jezusi sjell faljen e mëkateve. Ai e përkryen Ligjin në kryq, ku, pasi ka marrë mbi vete ligështinë tonë për shkak të mëkatit, i drejtohet Hyjit me fjalët: “Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë!” (Lk 23,34). Hyji nuk e ka bërë ligjin për t’i vrarë njerëzit. Përdorimi i ligjit, për t’i skllavëruar njerëzit, është vepër e armikut të njeriut. Jezusi ka ardhur për ta mundur armikun e njeriut, për ta çliruar njeriun nga pushteti i ligjit dhe për t’i dhënë Shpirtin e Hyjit, që është shpirti i shenjtërisë. Nëpërmjet Shpirtit, që është fryti i pashkës të Krishtit, fryti i vdekjes dhe ringjallje së tij, njeriu mund ta shohë ligjin të përsosur në jetën e tij. Vetëm Krishti e ka këtë forcë dhe këtë pushtet.
Vetëm duke pasur parasysh kryqin e Krishtit, mund ta kuptojmë pohimin e tij në Ungjillin e sotëm: Mos mendoni se erdha për ta zhbërë ligjin! Nuk erdha për ta zhbërë, por për ta përmbushur. Në Ungjillin sipas Gjonit, Jezusi vdes duke thënë: gjithçka u përmbush. Ai është njeriu i vetëm që e ka përmbushur ligjin, sepse është njeriu i vetëm pa mëkat. Dhe e ka përmbushur për ne, në vendin tonë. Ne nuk mund ta përmbushim ligjin, duke u mbështetur në forcën e virtytit, por vetëm falë hirit të bashkimit me Krishtin. Nëse bashkohemi me të, me anë të fesë, ligji i Hyjit bëhet për ne jo bindje ndaj një disiplinë të urdhëruar nga sipër, por sjellje që buron nga shpirti i shëruar prej mëkatit. Me Krishtin nuk ndryshon vetëm sjellja jonë e jashtme, por mbi të gjitha ajo e brendshmja. Përsosjen e ligjit, që realizon Krishti, e shohim pikërisht në këtë përmbysje: Keni dëgjuar se qe thënë..., por unë po ju them....
Ajo që na thotë Krishti, në Ungjillin e sotëm, duket më e vështirë se ajo që kemi dëgjuar se na qe thënë, por, në të vërtetë, është mënyra e vetme, që na e bën të mundur të ecim me gëzim në udhën e ligjit. Krishti kërkon të na shërojë ndjenjat, zemrën, mendjen, shikimin. Ai është bashkuar aq thellë me ne, sa është në gjendje ta prekë botën tonë të brendshme, me hirin e tij, dhe ta shndërrojë, ta shenjtërojë. Bashkimi me Krishtin na pastron nga zemërimi me të tjerët, nga epshi, nga ndjenjat e armiqësisë, nga nevoja për t’i bindur të tjerët me anë të besimit. Ai e përsos ligjin, sepse përsos njeriun dhe e përsos njeriun, sepse bashkohet me të në gjithçka. Bashkohet me vuajtjen e njeriut, me pafuqinë e tij, njeh largësinë e njeriut nga Hyji dhe hyn thellë në vdekjen e njeriut.
Nëse e lejojmë Krishtin të hyjë në jetën tonë, ai do të na lirojë nga pesha e ligjit dhe do të na japë gëzimin e ndjekës së ligjit të tij të përsosur.








All the contents on this site are copyrighted ©.