2014-02-14 17:34:00

Imzot Chullikatt: përndjekja për arsye fetare është në rritje në të gjithë botën, edhe në atë perëndimore


Kërcënimet ndaj lirisë fetare nuk ndodhin vetëm nën regjimet totalitare, por edhe në demokracitë e mëdha nëpër botë. Kështu tha Nunci Apostolik pranë Kombeve të Bashkuara, Imzot Francis Chullikatt, të martën e kaluar, më 11 shkurt, gjatë një debati publik mbi lirinë fetare, në Washington. Liria fetare, që përfshin edhe të drejtën për të shfaqur në publik bindjet personale, është për Selinë e Shenjtë një e drejtë njerëzore themelore, nga e cila burojnë të drejtat e tjera, prandaj duhet mbrojtur. Megjithatë, sot, nënvizon Imzot Chullicatt, përndjekja fetare, drejtpërdrejt ose tërthorazi, “po shfaqet gjithnjë e më shpesh në të gjithë botën”, edhe në demokracitë perëndimore, bashkë me ndalimin me ligj të vendosjes së simboleve dhe pikturave të krishtera. Kjo është shenja se në krizë është themeli i këtyre demokracive, të cilat kanë lindur në takimin me krishterimin dhe në këtë kontekst e kanë zhvilluar kulturën e të drejtave njerëzore.
Nunci Apostolik ndalet tek përndjekjet fetare në Lindjen e Mesme, veçanërisht tek ato kundër të krishterëve. Asnjë i krishterë nuk është i përjashtuar, thotë Imzot Chullikatt, dhe kujton se të krishterët arabë janë një bashkësi e vogël, por domethënëse, nën shënjestrën e dhunës për asnjë arsye tjetër, përveç fesë së tyre. Tragjedia është edhe më e madhe, nëse mendojmë se këta njerëz janë qytetarë të atyre shteteve dhe kanë jetuar në paqe me fqinjët për brezni të tëra. Diplomati i Selisë së Shenjtë kujton sulmet kundër ndërtesave të kultit katolik dhe të kishave të tjera të krishtera natën e Krishtlindjes, sulme që përsëriten prej vitesh.
Është e qartë se qeveritë nuk janë duke e garantuar lirinë fetare siç duhet dhe, në rastin më të keq, dhunimet janë shprehje e përndjekjes nga ana e vetë shtetarëve.
Çdo vit në botë vriten 100 mijë të krishterë, për shkak të fesë. Shumë akte dhune ushtrohen në Lindjen e Mesme, Afrikë e Azi, kujton Imzot Chullikatt, ndërsa në disa vende perëndimore bëhet gjithnjë e më e fortë prirja për ta mbyllur krishterimin brenda sferës së jetës private. Gjatë fjalimit të tij, nunci apostolik citon fjalët e Papës Françesku dhe të Papës Benedikti mbi përndjekjen e të krishterëve dhe thotë se ligji duhet të mbrojë vendimet, që merren për arsye të ndërgjegjes. “Përndjekja e të krishterëve në Lindjen e Mesme zhvillohet në këtë teatër vuajtjesh”, thotë nunci, dhe “Asambleja e përgjithshme e kombeve të bashkuara është përballur me këtë çështje në disa rezoluta, të cilat ne kemi ndihmuar të negocioheshin”. Por, këto përpjekje nuk e arrijnë profilin që meritojnë në botë dhe “shtetet anëtare, veçanërisht ato me profilin e udhëheqësit, si Shtetet e Bashkuara, mund të marrin masa vendimtare” për të mbrojtur në botë të drejtën e lirisë fetare.








All the contents on this site are copyrighted ©.