2014-02-13 13:29:13

Papa: të krishterët kthehen në paganë, për shkak të krenarisë, e paganët marrin fenë, falë përvujtërisë


Besimtari mund ta humbë fenë, për shkak të pasioneve dhe rendjes pas kotësive, ndërsa një pagan mund të bëhet besimtar, me anë të përvujtërisë së tij: kështu mund të përmblidhet homelia që mbajti Papa Françesku në meshën e mëngjesit, të kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.RealAudioMP3

Leximet e ditës na bëjnë të mendojmë mbi dy udhë: “nga idhujtaria tek Hyji i gjallë” dhe, e kundërta, “nga Hyji i gjallë drejt idhujtarisë”. Meditimi i Papës niset nga Ungjilli, ku një grua e guximshme, një kananease, pra pagane, i lutet Jezusit t’ia çlirojë të bijën nga djalli. Është një nënë “e dëshpëruar” – komenton Papa – “dhe nëna, për shëndetin e fëmijës, bën gjithçka”. “Jezusi i shpjegon se ai ka ardhur së pari për delet e shtëpisë së Izraelit, por ia shpjegon me një gjuhë të ashpër: ‘Lër një herë që të ngihen bijtë, se nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua japësh këlyshëve’. Kjo grua, e cila sigurisht nuk e kishte kryer universitetin, diti si të përgjigjej”. Dhe përgjigjet, thekson Papa, “jo me inteligjencën e saj, por me afshin amnor, me dashurinë e saj: ‘Po edhe këlyshët hanë çfarë bie nga tryeza; m’i jep mua këto thërrime!’”. Kjo grua, shpjegon Papa, “nuk pati frikë” dhe falë fesë së saj, Jezusi “ia bëri mrekullinë”:

“Ajo rrezikoi të turpërohej, por nguli këmbë dhe, nga paganizmi e nga idhujtaria, gjeti shëndetin për të bijën e për vete gjeti Hyjin e gjallë. Kjo është udha e një njeriu me vullnet të mirë, që e kërkon Hyjin dhe e gjen. Zoti e bekon. Sa njerëz e bëjnë këtë udhë e Zoti i pret! Por është vetë Shpirti i Shenjtë që i shtyn të bëjnë këtë udhë. Çdo ditë në Kishën e Hyjit ka njerëz që e bëjnë këtë udhë, në heshtje, për të gjetur Zotin, sepse e lejojnë Shpirtin e Shenjtë t’i çojë përpara”.

“Por ekziston edhe udha e kundërt” – vëren Papa – ajo e Salomonit, siç tregohet në leximin e parë. Salomoni ishte “njeriu më i urtë i tokës”, kishte marrë prej Hyjit shumë bekime, kishte “famë universale, gjithë pushtetin”, ishte “besimtar në Hyjin, por çfarë ndodhi?”. I pëlqenin gratë e kishte shumë konkubina pagane, që e bënë zemrën e tij “të humbte rrugën, për të ndjekur hyjni të tjera”: kështu futi idhujt në Izrael. “E këto gra ia ligështuan zemrën Salomonit, dalë ngadalë, dalë ngadalë. Zemra e tij nuk qëndroi e patëmetë me Zotin, si Zemra e Davidit, atit të tij”:

“Iu ligështua zemra e kështu u ligështua e humbi fenë. Njeriu më i urtë i botës u shty nga një dashuri e papërkorë, pa përkorje; e tërhoqën zvarrë epshet. 'Por, atë, Salomoni nuk e humbi fenë, ai besonte në Hyjin dhe ishte i aftë të recitonte Biblën!’. Po, është e vërtetë, por të kesh fe nuk do të thotë të dish të thuash Besojmën. Mun ta recitosh Besojmën e të kesh humbur fenë”.

Salomoni, vijoi Papa, “ishte mëkatar, si i ati, Davidi. Por pastaj ka shkuar më tej e, nga mëkatar, është bërë i korruptuar. Zemra e tij ishte korruptuar, për shkak të kësaj idhujtarie. I ati ishte mëkatar, por Zoti ia kishte falur të gjitha mëkatet, se ishte i përvuajtur e kërkonte falje”. Salomoni, përkundër, ishte “shumë i urtë”, por kotësitë dhe epshet e bënë të korruptohej. Është pikërisht zemra vendi ku humbet feja”:

“Fara e ligë e epsheve të tij u rrit në zemrën e Salomonit dhe e çoi drejt idhujtarisë. Dëgjuam, pas leximit të parë, gjatë Alelujës, këtë këshillë të mirë: ‘Pranojeni me dëgjesë Fjalën’ – me dëgjesë – ‘Fjala që u mboll në ju, mund t’ju çojë drejt shëlbimit’. Të bëjmë udhën që bëri gruaja kananease, udhën e asaj gruaje pagane, duke e pranuar Fjalën e Hyjit, që është mbjellë në ne dhe do të na çojë drejt shpëtimit. Na ruajte, në këtë rrugë, Fjala e Hyjit, e fortë, dhe mos lejoftë që të përfundojmë në korruptim e ky të na çojë drejt idhujtarisë!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.