2014-02-13 13:30:01

Papa Françesku: hebrenj e të krishterë të veprojnë së bashku për një botë më të drejtë e vëllazërore


Pasuria e njohjes së ndërsjellë dhe e miqësisë mes hebrenjve dhe katolikëve u duhet përçuar brezave të ardhshëm. Kështu uron Papa Françesku, që sot u takua në Sallën e Koncistorit, në Vatikan, me rreth 55 anëtarët e delegacionit të American Jewish Committee (Komisioni Hebraik Amerikan)RealAudioMP3

Edhe sot e kësaj dite, Deklarata Nostra aetate e Koncilit II të Vatikanit përbën “pikën e pashmangshme të referencës” për Kishën, për sa u përket marrëdhënieve me “vëllezërit tanë të mëdhenj”. Duke u nisur nga ky dokument, që vitin e ardhshëm mbush 50 vjet, është zhvilluar me forca të ripërtërira përsiatja mbi pasurinë e përbashkët shpirtërore “që përbën themelin e dialogut tonë”. E thotë Papa Françesku, në takimin me Komisionin hebraik amerikan, ndaj të cilit thotë se është mirënjohës, sepse i ka dhënë, gjatë viteve, “një ndihmesë cilësore” vëllazërisë ndërmjet hebrenjve dhe të krishterëve:

“Ky themel është teologjik, dhe jo thjesht shprehje e dëshirës sonë për respekt e vlerësim të ndërsjellë, prandaj është e rëndësishme që dialogu ynë të mbartë thellë shenjën e vetëdijes së marrëdhënies sonë me Hyjin”.

Përveç dialogut, kemi edhe veprimin dhe Papa Françesku nënvizon se hebrenjtë dhe të krishterët mund të veprojnë së bashku “për ndërtimin e një bote më të drejtë e vëllazërore”, duke u kushtuar vëmendje në veçanti të varfërve e të vuajturve dhe, siç na e kujton libri i Daljes, duke mbrojtur të venë, jetimin e të huajin. “Është një detyrë, që na e ka besuar Hyji”, thotë Papa, “një detyrim i mirëfilltë fetar”.
Pastaj Papa Françesku kujton se duhet “t’u përçojmë brezave të rinj pasurinë e njohjes së ndërsjellë, të vlerësimit dhe të miqësisë së ndërtuar gjatë këtyre viteve, falë edhe angazhimit të shoqatave si e juaja”:

“Uroj që tema e marrëdhënieve me hebraizmin të mbetet e gjallë nëpër seminare dhe në qendrat e formimit të laikëve katolikë, sikurse besoj se edhe tek komunitetet hebraike dhe tek rabinët e rinj të rritet interesi për njohjen e krishtërimit”.

Në përfundim Papa kujton shtegtimin e ardhshëm në Tokën e Shenjtë, më 24-26 maj. “Pas pak muajsh, pohoi, do të shkoj me gëzim në Jeruzalem, atje ku, siç thotë Psalmi, të gjithë kemi lindur dhe ku një ditë do të mblidhen të gjithë popujt”:

“Më shoqëroni, ju lutem, me uratat tuaja, që ky shtegtim të sjellë frytet e bashkimit, të shpresës e të paqes. Shalom”!








All the contents on this site are copyrighted ©.