2014-02-13 13:35:13

Papa, ipeshkvijve bullgarë: Kisha duhet të jetë misionare e të dialogojë me ortodoksët


Popull që, edhe në mesin e ngjarjeve të hidhura të historisë, e ka mbajtur gjallë flakën e fesë në Krishtin: këta janë bullgarët, në fjalët e Papës Françesku, i cili priti sot ipeshkvijtë e vendit në vizitë “ad Limina”. Në fjalimin, të cilin ua dorëzoi ipeshkvijve, Ati i Shenjtë përshkon etapat e historisë së Bullgarisë, duke e ftuar Kishën të bëjë hapa përpara në dialogun me ortodoksët.
Papa Françesku nuk harron se Bullgaria, me rënien e komunizmit, u gjend para dy zjarresh, ashtu si gjithë Evropa Lindore. Nga njëra anë, boshllëku shpirtëror lënë nga regjimi ateist e, nga ana tjetër, sulmi materialist i botës perëndimore, e cila hynte furishëm në një tokë pothuaj djerrë, e papërgatitur për shoshitjen e nevojshme para pseudovlerave, që i propozoheshin. Katolikët janë pakicë në vend, vëren Ati i Shenjtë, por dëshmojnë me guxim Ungjillin e Krishtit. Është e rëndësishme, nënvizon Papa Françesku, që të gjitha institucionet civile ta vlerësojnë pozitivisht kontributin e Kishës Katolike dhe ta njohin rolin e Selisë së Shenjtë si autoritet shpirtëror e moral në gjirin e Bashkësisë ndërkombëtare. “Dëshmitë e shumta e të guximshme të besnikërisë ndaj Krishtit e Kishës në periudha dramatike – shkruan Papa argjentinas – si edhe udha e ndërmarrë në këta dy dhjetëvjeçarë të lirisë së rigjetur, t’ju mbushin me mirënjohje ndaj Zotit e me besim në veprimin e Provanisë Hyjnore në histori”.
Duke e ftuar Kishën Katolike t’i japë rëndësi kryesore përmasës misionare të veprimtarisë së saj e të impenjohet me të gjitha forcat në favor të të varfërve, Papa Françesku i këshillon ipeshkvijtë të punojnë me ngulm për formimin e besimtarëve, përmes katekizmit, baritorisë për të rinjtë e solidaritetit vëllazëror ndërmjet meshtarëve, shembull për t’u ndjekur, në sytë e Popullit të Zotit. Pastaj, urimet për Patrikun ortodoks Neofit, i cili feston pas pak ditësh përvjetorin e parë të zgjedhjes në detyrë. Me Kishën Ortodokse, shkruan Ati i Shenjtë, duhet të jemi gjithnjë në dialog vëllazëror. “Duke e dëgjuar së bashku e në lutje Fjalën e Zotit, uroj të hapen zemrat e mendjet e të gjithëve, që të bëhet gjithnjë e më konkrete shpresa për të kremtuar bashkërisht Flijimin eukaristik”.
Më 27 prill, kujton Papa, do të shpallen shenjtorë Gjoni XXIII e Gjon Pali II, të dy të lidhur me historinë e popullit bullgar. Papa Vojtila vizitoi vendin në maj të vitit 2002, ndërsa Papa Ronkali pati shërbyer për nëntë vjet në Bullgari si Legat Apostolik. Ati i Shenjtë shprehu kënaqësinë për praninë e delegacioneve bullgare të nivelit të lartë në meshën e shenjtërimit, që do të kremtohet në Vatikan.








All the contents on this site are copyrighted ©.