2014-02-13 13:36:52

Kremtohet 6-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës


Gjashtë vjetori i Pavarësisë së Kosovës do të kremtohet edhe në Romë, më 17 shkurt, duke nisur nga ora 19.00, me një koncert të kitarristit kosovar, Petrit Çeku, pasuar nga pritja, që jep Shkëlqesia e Saj, zonja Bukurije Gjonbalaj, ambasadore e Republikës së Kosovës pranë Republikës së Italisë, në Pallatin e Kancelerisë, Piazza della Cancelleria, Romë.
Në programin e koncertit të kitarristit Petrit Çeku, përfshihen pjesë të kompozitorëve të mëdhenj, si Johann Sebastian Bach me Cello Suite No. 4 BWV 1010; Dionisio Aguado, me Fandago Variado, op.16; Joaquín Rodrigo, me Tres piezas españolas; Agustin Barrios me Chôro de saudade, Un Sueño en la Floresta.
Petrit Çeku, i lindur në Prizren, me studime të rregullta, të kryera nga Akademia Muzikore e Zagrebit, në Peabody Conservatory të Baltimorës, i vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare, ka dhënë koncerte në disa vende të Evropës e të Amerikës veriore. Tani, koncerti në Romë, për nder të një date kaq të rëndësishme, siç është kjo e Pavarësisë së vendlindjes, gjashtë vjet pas realizmit të kësaj ëndrre, së cilës kitarristi i mirënjohur i këndon me kitarrë të Ross Gutmeier.
Në përfundim të koncertit, pritja nga ana e Ambasadës së Republikës ë Kosovës në Itali.









All the contents on this site are copyrighted ©.