2014-02-13 16:11:49

Drama e refugjatëve, në qendër të bisedës së Papës Françesku me dy vëllezër argjentinas, emigrantë në Suedi


Dje pasdite, Papa Françesku priti në Shtëpinë e Shën Martës, dy vëllezër argjentinas, Carlos e Rodolfo Luna, refugjatë politikë në Suedi, që nga viti 1970. Qe rasti për të theksuar edhe një herë se bota duhet të jetë solidare me refugjatët.
Në një bisedë shumë të përzemërt, Ati i Shenjtë kujtoi gruan e njërit prej vëllezërve, që e pati njohur dikur, e vjehrrën e tij; pastaj miqësinë me një pastor luteran, për t’u ndalur në gjendjen e emigrantëve e të refugjatëve, në kohën e sotme:
“Kemi shumë refugjatë, por askush nuk i do. Sot janë gati “fjalë e keqe”. Shpëtimi i një populli vjen kur ai bëhet vëlla i atyre, që e lënë atdheun për të kërkuar strehim tjetër. Sepse Zoti e bekon këtë. Kjo do të thotë të jesh vëlla me tjetrin! E ne, të fesë së krishterë, e dimë mirë se Jezusi u bë refugjat, kur deshën ta vrisnin që fëmijë… Është njëri nga mesazhet e para të Ungjillit. Jezusi është refugjat, jo turist. Nuk iku për të gjetur punë, iku nga vdekja. Si çdo refugjat”.
Pasi lavdëroi qëndrimin e Suedisë ndaj refugjatëve, Ati i Shenjtë iu përgjigj një pyetjeje mbi Lampeduzën, ishullin italian ku zbarkojnë shumë emigrantë e refugjatë, në kërkim të një jete më të mirë:
“Globalizimi i indiferencës na bën të themi: ‘Mbërritën refugjatët. Le të mendojnë ata!” Në Lampeduzë, populli ndjeu nevojën t’i presë mirë. Dhe i pret. Populli i Lampeduzës, së bashku me kryetaren e bashkisë, që është grua e fortë, e guximshme, e kuptoi se misioni i tij është mikpritja”.








All the contents on this site are copyrighted ©.