P. Kovalçik, për 20-vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike: “Gjyqi universal, gjyq
mëshire”
Gjyqi universal do të jetë gjyq mëshire. Këtë nënvizon Katekizmi i Kishës katolike,
që i kushton faqe të rëndësishme Gjyqit të Mbramë. Jezuiti, atë Dariush Kovalçik,
kujton pikërisht këtë çast vendimtar për mbarë historinë e njerëzimit, në reflektimin
e 31-të të ciklit kushtuar Katekizimit, 20 vjet pas botimit.
Të krishterët
dëshmojnë se Jezu Krishti “do të vijë për të gjykuar të gjallët e të vdekurit”. Kjo
do të thotë se historia e botës dhe e secilit, do të numërojë orën e fundit. Në Katekizëm
lexojmë: “Ditën e Gjyqit, në fundin e botës, Krishti do të vijë në lumni për përmbushjen
e ngadhënjimit përfundimtar të së mirës mbi të keqen që, si gruri e egjra, u rritën
gjatë historisë (n. 681). Krishti është Zoti i të vdekurve e i të gjallëve
e, si i tillë, na thotë: “Kini besim; unë e munda botën”(Gjn 16,33). Por sovraniteti
i Tij nuk është vendosur ende plotësisht. Prej këndej, egjra vijon të rritet pranë
e pranë grurit. Gjithsesi, duhet ta dallojmë Gjyqin universal, që do të vijë në
fund të kohëve, nga gjykimi i veçantë, që vjen menjëherë pas vdekjes së njeriut. U
vendos, lexojmë në Letrën drejtuar Hebrenjve – që njerëzit të vdesin një herë të vetme,
pas së cilës vjen menjëherë gjykimi (9,27). Nuk ka kurrfarë rimishërimi. Historia
njerëzore zhvillohet në vijë të drejtë, ka fillim e fund. Kemi vetëm një jetë, e vetëm
një vdekje. Gjykimi i posaçëm lidhet me historinë e njeriut. Ndërsa Gjyqi universal,
me historinë e të gjitha breznive.
Të gjithë kemi parë paraqitje të gjyqit
e, nganjëherë, edhe tmerruese. Por, nësa i shikojmë, nuk duhet harruar se do të na
gjykojë Ai, që vdiq për ne mbi kryq. Prej këndej, do të jetë gjyq i mëshirës. Po!
“Do të dalin në dritë sjelljet e secilit; të fshehtat e zemrave” (KKK 678),
veç jo për t’i dënuar mëkatarët. Por për t’i pastruar e për t’i shëlbuar. E kriteri
kryesor i gjykimit do të jenë fjalët e Jezusit: “Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezër
të mi më të vegjël, e bëtë për mua”(Mt.25,40). E keqja do të zbulohet por,
para së gjithash, do të kujtohet çdo e mirë, edhe më e vogla, që i kemi bërë të afërmit”.