2014-02-12 15:51:00

Më se 20 mijë të fejuar në Sheshin e Shën Pjetrit me Papën më 14 shkurt


Më se 20 mijë të fejuar pritet të vijnë në Sheshin e Shën Pjetrit, për audiencën me Papën Françesku, organizuar nga Këshilli Papnor për Familjen. “Vijnë nga 28 vende të botës – thotë një komunikatë e dikasterit – dhe do të martohen gjatë muajve të ardhshëm”. “Suksesi numerik i kësaj nisme, krejtësisht i paparashikuar para tri javësh, thotë kryetari i Këshillit Papnor, Imzot Vincenzo Paglia, tregon se ka të rinj, që shkojnë kundër rrymës, të cilët dëshirojnë që dashuria e tyre të qëndrojë përgjithmonë e të ketë bekimin e Hyjit, edhe pse bota në të cilën jetojnë nuk beson se lidhjet janë të qëndrueshme në amshim dhe se është mirë që secili të mendojë për vete”.
Audienca do të fillojë në orën 11. Gjatë orës së parë, të fejuarit do të përgatiten për takimin me Atin e Shenjtë, duke përshkuar fazat kryesore të historisë së një dashurie, me anë të tregimeve, të këngëve dhe të poezive të dashurisë. Rreth orës 12 Papa Françesku do të arrijë në shesh dhe do të bisedojë me tre çifte të fejuarish. Pyetje e të fejuarve do të prekin vështirësitë e sotme për të marrë një vendim përfundimtar, cilësitë e familjes së krishterë, stilin për kremtimin e sakramentit të martesës.
“Sot – vijon Imzot Paglia – vendimi për t’u martuar shtyhet vazhdimisht, në pritje të zgjidhjes së përgjithshme të të gjitha problemeve. Në të vërtetë, martesa bëhet për të ndërtuar së bashku të ardhmen, për të zgjidhur së bashku problemet, për të ndërtuar së bashku shtëpinë, për vete e për fëmijët. Sigurisht, përgjegjësit e të mirës së përbashkët duhet të jenë shumë më të vëmendshëm, për t’i ndihmuar dy të rinj, që të marrin vendimin për t’u martuar, me anë të politikës së vëmendshme për familjen dhe punën, sepse një familje e ndërtuar në rini është një pasuri e pakrahasueshme edhe për vetë shoqërinë”.
Audienca do të mbyllet me një çast lutjeje (është hartuar lutja e të fejuarve, pikërisht për këtë ngjarje) dhe me bekimin e Papës. Të gjitha çifteve do t’u shpërndahet një dhuratë e veçantë për kremtimin e martesës.








All the contents on this site are copyrighted ©.