2014-02-11 12:50:07

Imzot Gänswein: dorëheqja, “akt revolucionar”


Tërheqja qe një “akt i madh guximi, por edhe një akt revolucionar, që hapi një mundësi, për të cilën askush nuk mund mendonte në atë kohë”. Këto janë fjalët që i vijnë në mendje sekretarit personal të Papës Benedikti XVI dhe prefektit të Shtëpisë Papnore, Imzot Georg Gänswein, kur kujton njoftimin e dorëheqjes së Benediktit XVI, gjatë një interviste me qendrën televizive të Vatikanit, që do të dalë e plotë më 14 shkurt.
“11 shkurti qe një ditë shumë e veçantë. Pas njoftimit të tërheqjes përziheshin ndjenjat e trishtimit me ato të mirënjohjes. Është e qartë se largimi është gjithmonë një gjë e trishtueshme, që lëndon e dhemb. Nga ana tjetër, ndjeva mirënjohje për vitet gjatë të cilëve pata mundësinë të jetoja përkrah një Papë të madh. Unë e dija që më parë dhe, kjo është e kuptueshme, kur Papa ma tha, më urdhëroi të mos flisja me asnjeri dhe unë nuk fola. Unë e dija, por në çastin kur e njoftoi ai, u përmallova. Për mua, dita e fundit e papnimit të tij qe një ditë fort e dhimbshme”.
Imzot Gänswein nënvizon gjithashtu vijimësinë ndërmjet dy papnive. Sipas tij, forca emocionuese e papës Françesku për besimtarët varet edhe nga gjesti i Benediktit XVI. “Unë besoj fort – thotë Imzot Gänswein - se ky është një aspekt që nuk duhet nënvlerësuar. Ndikimi i Papës Françesku në botë, jo vetëm tek besimtarët në Kishë, por në botë, është një ndikim shumë i madh, i cili u mundësua nga dorëheqja e Benediktit XVI. Ai hapi një mundësi, që deri atëherë nuk ekzistonte, dhe u pa se Papa Françesku e mori situatën në dorë. Sot jemi të kënaqur, që gjërat rrodhën kështu”, përfundon prefekti i shtëpisë papnore.








All the contents on this site are copyrighted ©.