2014-02-11 11:26:18

Atë Federico Lombardi: Benedikti XVI jeton në lutje, dorëheqja e tij e ka shënjuar historinë e Kishës.


Sot është përvjetori i parë i tërheqjes së Benediktit XVI nga shërbesa papnore. Gjesti epokal befasoi jo vetëm Kishën, por botën mbarë. Kur u mor vesh dorëheqja, shumë vëzhgues e pranuan se nuk ishin të përgatitur për një vendim me kaq peshë. Një vit pas dorëheqjes së Papës Benedikti, Radio Vatikani intervistoi Drejtorin e Radios dhe të Sallës së Shtypit të Vatikanit, Atë Federico Lombardi.RealAudioMP3
Kishin kaluar disa shekuj që një Papë nuk ishte tërhequr, prandaj, për pjesën më të madhe të njerëzve, bëhej fjalë për një gjest të pazakontë e befasues. Në të vërtetë, ata që e shoqëronin nga afër Benediktin XVI, e kishin kuptuar që e kishte një mendim mbi këtë temë, dhe e kishte thënë haptas në bashkëbisedimin me gazetarin Peter Seewald, para një farë kohe – para një kohe jo fort të shkurtër. Pra ishte një temë për të cilën ai lutej, mendohej, bënte vlerësime dhe një lloj përzgjedhjeje shpirtërore. Për këtë dha prova, pastaj, dhe na dha një farë njoftimi përmbledhës në ditën e tërheqjes, në ato fjalë të pakta, por të dendura, që shpjegonin absolutisht si duhet dhe me qartësi kriteret në bazë të të cilëve e kishte marrë vendimin. Ajo që unë them – dhe e pata thënë edhe atëherë – është se më dukej një akt i madh prej qeverisësi, domethënë një vendim i marrë lirisht, që ndikon vërtet në gjendjen aktuale dhe në Historinë e Kishës. Në këtë kuptim është një akt i madh prej qeverisësi, që buron nga thellësia shpirtërore, i përgatitur mirë nga pikëpamja e përsiatje dhe lutjes; një guxim i madh, sepse, meqë bëhet fjalë për një vendim të pazakontë, mund të lindnin të gjitha problemet ose dyshimet mbi “çfarë” donte të thoshte, probleme të cilat do të kishin pasur rrjedhoja për të ardhmen, për sa i përket pranimit nga ana e popullit të Hyjit, ose nga publiku. Qartësia me të cilën Benedikti XVI ishte përgatitur për këtë gjest dhe, do të thosha, feja me të cilën ishte përgatitur, i ka dhënë çiltërsinë dhe forcën e duhur për ta zbatuar, duke ecur me guxim e çiltërsi, me një vizion të vërtetë feje dhe duke pritur Zotin, që e shoqëron pandarë Kishën, drejt kësaj situate të re, që ai e ka përjetuar vetë i pari, për disa javë, dhe pastaj Kisha e ka jetuar me ndërrimin dhe zgjedhjen e Papës së ri, siç e dimë të gjithë. Pra, u vërtetua plotësisht kjo ndjesi se Kishën e shoqëron Shpirti i Zotit në ecjen e saj.
Të ndalemi tek kjo që thatë në fund: shumë vetë, para një viti, pyesnin si do të ishte bashkëjetesa e dy Papëve. Sot shihet se frika – ndoshta më shumë nga ana e “ekspertëve, sesa nga ana e popullit të Hyjit – qe e tepërt...
Po... nga kjo pikëpamje, mua më dukej absolutisht e qartë se nuk duhej pasur asnjë lloj frike. Pse? Sepse çështja është ajo e faktit se papati është një shërbim e jo pushtet. Nëse problemet përjetohen në prizmin e pushtetit, atëherë është e qartë se dy vetë mund të kenë vështirës për të bashkëjetuar, sepse mund të jetë i vështirë fakti i heqjes dorë nga pushteti për të bashkëjetuar me pasardhësin. Por, nëse gjithçka përjetohet vetëm si shërbim, atëherë një njeri, që e ka kryer shërbimin para Hyjit dhe, me vetëdije të plotë, ia kalon këtë shërbim një njeriu tjetër, që e kryen këtë detyrë si shërbim dhe me lirinë e plotë të ndërgjegjes, nuk ka absolutisht asnjë lloj problemi. Ndërmjet shërbëtorëve të Hyjit, që kërkojnë të mirën e popullit të Hyjit, duke i shërbyer Zotit, solidariteti shpirtëror është i thellë.
Papa Benedikti u largua, duke nënvizuar se do të vijonte t’i shërbente Kishës, me anë të lutjes: kjo është një ndihmesë e jashtëzakonshme, që ka dhënë dhe vijon ta japë ende, apo jo?
Po... një kujtim fare i vogël personal: kryesisht gjatë periudhës së parë të Papnimit të tij, sa herë që kishte një audiencë dhe unë shkoja për të përshëndetur Papën, si zakonisht, më jepte një Rruzare, sepse ndodh shpesh që të japë një figurë, një Rruzare, një medalje... Sa herë që Papë më jepte një Rruzare, thoshte: “Edhe meshtarët duhet të kujtohen të luten”. Këtë nuk e kam harruar kurrë, sepse kështu tregonte, në mënyrë fare të thjeshtë, bindjen e tij dhe vëmendjen, që i takon lutjes në jetën tonë, në veçanti në jetën e atij që ka përgjegjësinë për t’i shërbyer Zotit. Benedikti XVI ka qenë sigurisht gjithmonë njeri i lutjes, gjatë gjithë jetës së tij, dhe dëshironte, ndoshta, të kishte një kohë në të cilën ta përjetonte këtë përmasë të lutjes më gjerësisht, tërësisht the thellësisht. E kjo është tani koha e tij.
Nga ana tjetër, në jetën e lutjes së Papës Benedikti nuk mungojnë çastet e takimit, edhe me Papën Françesku, siç e dimë. Çfarë mund të na thoni për këtë përmasë të jetës së fshehur, por jo të izoluar, të Joseph Ratzinger-it?
Besoj se është e drejtë të kuptojmë se jeton me modesti, pa përmasën publike, por kjo nuk do të thotë se jeton i izoluar, i mbyllur si në një klauzurë të rreptë. Kryen veprimet normale për një njeri të moshuar – për një rregulltar të moshuar: pra jeton një jetë me lutje, lexime, shkrime – në kuptimin se u përgjigjet letrave që merr –, me bisedime dhe takime me njerëzit që ka më afër, të cilët i takon me dëshirë, me të cilët mendon se është e dobishme të bisedojë dhe që i kërkojnë këshilla ose ndihmë shpirtërore. Ja, pra, jeta e një njeriu të pasur nga pikëpamja shpirtërore, me shumë përvojë, i përkorë në marrëdhëniet me të tjerët... Ajo që mungon është përmasa publike, me të cilën ishim mësuar, meqë ishte Papa dhe për këtë ishte gjithnjë i pranishëm në ekrane televizive, nën vëmendjen e gjithë botës. Kjo nuk është tani, por përndryshe bën një jetë normale, ku janë ruajtur lidhjet. Ndër këto lidhje është edhe lidhja me pasardhësin, lidhja me Papën Françesku, që, siç e dimë, ka edhe çaste takimesh personale, dialogu... i shkojnë në shtëpi njëri-tjetrit. Pastaj janë format e tjera të kontaktit, si telefoni dhe mesazhet, që shkëmbejnë: marrëdhëniet janë krejtësisht normale, do të thosha, dhe solidare. Më duket se janë shumë të bukura për ne pamjet e rralla të dy papëve duke u lutur së bashku – ai i tashmi dhe paraardhësi. Është një shenjë shumë e bukur dhe inkurajuese e vijimësisë së shërbesës së Pjetrit në Kishë.
Në fund, Atë Lombardi, Ju keni ndjekur Benediktin XVI gjatë të gjitha viteve të Papnimit të tij. Çfarë merrni sot, që nga 11 shkurti i shkuar, personalisht, shpirtërisht, nga Papa Benedikti?
Unë e ndiej fort praninë e Papës Benedikti XVI, si prani e fortë shpirtërore, që na shoqëron, na jep paqe... Më sjell ndër mend figurat e mëdha të të lashtëve të Historisë së Kishës dhe të historisë së shenjtë. Për shembull, të gjithë mendojmë veçanërisht Simeonin, që merr në tempull Jezusin dhe shikon me gëzim fatin e tij të amshuar dhe të ardhmen e bashkësisë, që vijon të udhëtojë mbi këtë tokë. Ja, të gjithë ne e njohim vlerën e madhe të pranisë së të moshuarve mes nesh, të moshuar plot urti, plot fe, të paqtë: janë me të vërtetë një ndihmë e madhe për më të rinjtë, për të ecur përpara, duke parë të ardhmen me besim e shpresë. Kjo është për mua dhe, besoj, për Kishën Benedikti XVI: Plaku i Madh, i urtë, por le të themi edhe i shenjtë, që na fton të jemi të paqtë, sepse është gjë e bukur kur e shikojmë. Ai përçon me të vërtetë një paqe të madhe shpirtërore. Ka ruajtur buzëqeshjen e tij, që ishte e zakonshme, kur e takonim, dhe që na fton të ecim përpara, me besim e shpresë.









All the contents on this site are copyrighted ©.