Don Mikel Beltoja ka lé në fshatin Beltojë të Shkodres, me daten 17 Prill 1935, nga
Prindët Gjergj e Prenda Beltoja. Nen kujdesin e Imz. Ernesto Çobës u pergatitë per
me u ba meshtar në filozofi dhe teologji. U shugurue me daten 8 dhjetor 1961 në Shkoder.
Ishte famullitar në Dajç të Bregut të Bunës, e ma vonë në Barbullush. U
arrestue me daten 19 Prill 1973, pranë familjes së vet në Beltojë. U dënue 7 vjet
në gjykaten e Shkodres me 6 Gusht 1973, dhe u ridenue “me vdekje” me 4 Shtator 1973.
Vëprimi i tij fetar mbas mbylljes së Kishave, trimnia në predikimin e Ungjillit,
forca e fjalës së Tij në edukimin e brezit të rinj, gjithmonë në ballin e luftës kundër
ateizmit dhe komunizmit enverian, e rreshtojnë në vargun e Martirëve t Atdheut. *** Për
kohën që ishte i dënuem me vdekje, flet kjo letër e bashkvujtëses zonja Laura Keçi:
“Isha 16 vjeç kur u arrëstova dhe shprehja e parë që ndigjova porsa më futën në
hetuesi ishte: Ç’ti bësh, po të ishte pak më e madhe në moshë do ta pushkatoja pamëshirë
me priftin që sonte... dhe, më futën në një birucë aty afër tij. Dua të tregoj
si e torturonin njeriun e Zotit: Komandanti Basri Temja nga Lushnja i sillte gjellën
Don Mikelit, që ishte i lidhun kambësh e duersh me sigjir në birucën e tij, ku prist
vëndimin e Tiranës për pushkatim. Gjella si dukët ishte shumë e ngrohët mbasi nga
djegëja e sajë ndigjohej virrma e Priftit që nuk mund të kapërdihej. Kur mbyllte gojën
dëgjohej krizma e tasit të aluminit që rrokullisej nëpër çimento mbasi ia hidhte fëtyrës
“supën” përvluese. Kjo ishte një torturë që përsëritej gati çdo ditë ose edhe dy herë
në ditë. Një polic i birucave me emnin Shefik, vinte me çizmët e tija të randa, hapte
birucën e Don Mikelit, veç, kur ndigjohej krizma e kockave të kupave të gjunjëve nga
shqelmat që i binte të shkretit Prift. Goditjet ishin aq të forta sa që, betohëm,
se kam ndigjue me veshët e mij kockat e Don Mikelit tue u thye... Njëditë, përsonaliteti
dhe vëndosmënia e Tij e friksoi antikatolikun Shyqyri Qoku, i cili shfreu dufin e
tij patologjik prej sadisti tue e torturue aq shumë fizikisht Don Mikelin, sa, kur
më mori mue fillë mbas tij në zyrën e hetuesisë, u tmerova dhe gati nxora zorrë e
mushkni nga goja, kur pashë një bluzë të bardhë me të cilën na mbështillnin gjatë
torturës, të lame me gjakun e pastër të Martirit dhe me njolla ngjyrë jeshile të bame
nga vjelljet, prej shqelmave të tyne... E mbajta vedin, u kapërdiva dy-tre herë
për mos me kënaqë xhelatin e përbashkët të tonin e komandantin që ishte me te. Kur
i pashë fëtyrat e tyne të zverdhuna si fëtyra të vdekuni që zbulonte ndërgjegjën e
tyne të randueme me krime e, që shpesh edhe i kalonte në bisha të pavetëdijshme, m’u
duk sikur po analizonin pafajsinë e Don Mikelit dhe peshën e randë të “fajeve” të
mija, që nuk isha aspak ma shumë se 16 vjeçe... mora zemër nga qëndrimi i mpimë i
këtyne dy kafshëve të tërbueme e, u thashë: Shihni vehtën në pasqyrë!... Shihni si
jeni ba!... Moralisht jeni të dy të mposhtun nga Don Mikeli, ju jeni si të vdekun
para Tij, Ai ka fitue mbi ju edhe pse fizikisht ndoshta, Ai asht i shkatrruem, ju
jeni të shpartalluem në ndërgjegjën tuej mbasi nuk dini se për çka e torturoni. Kjo
asht dëshmia ma e kjartë e fitorës së Jezu Krishtit përmes dyshepullit të Tij Don
Mikelit, i cili, ju ban ju, me pa me sy praninë e Jezusit në tokë, kenjën e fuqisë
së Zotit këtu, që na jep né forcë për me përballue torturat tueja... Përgjegja
e tyne kje vetëm kjo: Prandej asht tue ju ndihmue... Kur pashë gjunjëzimin e tyne
mora edhe njëherë zemër dhe ju thashë: Pse, ndihmë e vogël ju dukët ju lutja e Tij,
ju e torturoni dhe Ai lutët për shpirtin tuej të kacafytun me djallin...Pse, a ndihmë
e vogël ju duket ju që unë një vajzë e re nuk frigohëm aspak para jush?... Hë... pse
nuk keni forcë me na mposhtë? Ku asht forca e atij kryexhelatit tuej? Veç, një virrëm
qeni ndigjova: Dil jashtë... jashtë!... Aq shumë ishte torollosë sa kishte harrue
se unë nuk kisha si me lëvizë, se isha e lidhun për karrigë. Kur u kujtue komandanti
më zgjidhi, urdhnoi policin që ishte mbas dere me më çue në birucë. U shtrina përtokë
si zakonisht por e kënaqun... fjeta pak... Mbas pak kohe më doli gjumi nga zani
i fuqishëm i Predikonjësit të Ungjillit. Don Mikeli ishte zgjue para meje dhe po bante
lutjen e përditëshme për shpëtimin e shpirtit të torturuesve të Tij: Mos torturoni
vëllaun tuej... Jam tue u lutë për shpëtimin tuej edhe pse ju më torturoni mue, kërkoni
falje Jezusit, se Ai asht aq i mëshirëshëm sa ka me i falë gjynahet tueja... Mos kini
turp me ju drejtue Nanës së Tij, Virgjinës Mari, Ajo asht Nana e gjithë njerëzimit,
asht edhe Nana e juej... Pendohuni!..Tregoni edhe Hoxhës e Shehut, se edhe ata që
nuk kanë lanë gja pa ba mbi kristjanët dhe besimtarët e Zotit, edhe ata kanë dyert
e hapuna tek Zemra e Nanës Mari, tregoni se ndëshkimi i Zotit asht aq i madh për krimet
që kanë ba sa fundi i shekujve nuk ka me i shpëtue... Tregoni atyne që me krimet që
kanë ba kanë shkretnue familjet Shqiptare dhe kanë vorfnue edhe kombin tonë... Hiqni
dorë nga vrasjet e djelmëve, vëllazënve tuej, mos veshni zi nanat, motrat e gratë
Shqiptare që tash sa vjet nuk i kanë hjekë rrobat e zisë... I thoni damave të tyne
mos u kënaqni me vrasjët e gjakun e bijve e bijave të Shqipnisë! Keni harrue se jeni
tue vra Shqiptarë! Shkatrruet Atdheun! Ndigjova se u hap biruca numur 3, ku
ishin dy përsona për çështje ordinere dhe u futën në birucën ku ishte tue predikue
Don Mikeli. Filluan me i ra me shqelma mbasi torturat që i banin ata Priftit, ishin
mjet lehtësues për vuejtjen e tyne. Shpesh ata i çonin në dhomën e Tij për me e zgjue
nga dremitja e agonia e vuejtjes së vazhdueshme. Erdhi një kohë që zani i Tij
ndigjohej ma rrallë, filluen me i ba gjylpana për me e vue në gjum. Tashti e kuptoj
se i banin gjylpana se, kur fillonte me i ikë efekti, ndigjohëshin gjamët e dhimbjeve
e si nëpër gjum fliste: Ah, moj nanë... nuk kam kockë të pathyeme...Ah, sa janë kah
më dhambin eshtnat!.. Ai vuante pandërpremje e bashkë me Té edhe unë, që ndigjojshe
me veshë dhe, shpesh, nga një vrimë e vogël e derës e shihja tue e marrë rrëshqanë
për me e çue në tortura, ose tue e këthye nga zyrat e tmerëshme të hetuesisë ku, vuejtjet
ishin ma të mëdha se ata të fundit të ferrit. Asnjëherë nuk e pashë atë njeri tue
u këthye me kambët e veta në birucë...por gjithmonë zharg... Mbas pak ditësh,
nuk mora vesh sësi isha zhytë në një gjum deke. Po shihja andrra të llahtarëshme,
vuejtje, tortura, gjak, një tmerr i vërtetë më kishte pushtue, u dridhësha si thupra
në ujë nga frika, një frikë që nuk e kuptoja nga vjen. Isha mbushë me vajë, vajë
frike apo dëshprimi nuk e kuptoja, një tmerr i vërtetë....isha e lame në djersë...
Disi u skapullova kur pashë se jam në birucë por, sidukët, ndër andrra kisha lëshue
ndonjë thirrje, veç kur pashë sportelin e hapun të derës prej ku shihej fëtyra e kriminelit
Alush Bakalli, që me gisht vërtikal para gojës lëshoi një sh sh sh...t!!, shenjë me
të cilin urdhnonte heshtje... Një lëvizje rojesh jo e zakonëshme në atë orë. Nuk dija
çka ka ndodhë... Edhe zhurma që më zgjoj ndryshonte, mujta me dallue zanin e katilit
Shyqyri Qoku, që i vërriste Don Mikelit: Pusho... pusho, po të tham... Këtë herë dallohej
se nuk ishte vetëm. Në atë lamsh mendimësh përzi me zhurmën e vargojve ndigjova zanin
e Don Mikelit, e zemra m’u mbush me vajë. Ishte mjedis kafshëve të egra që donin
ta shkynin, e thërriste: “O Jezu Krisht! Zoti em, më jep forcën e fundit, o Shenjtja
Mari, Nana e eme e përjetëshme për të fundit herë po të kërkoj, fali vëllaznit e mijë,
kij mëshirë për ta se nuk dinë shka bajnë! Fali o Krisht! O Zot ndihmoje Shqipninë
me shpëtue nga këta kriminelë komunistë. Zoja e Bekueme, Nana e Krishtit dhe e gjithë
Botës, lutju Birit tand Zotit tonë Jezu Krishtit, që të më pranojnë në Mbretninë Qiellore,
në duert Tueja të Bekueme ardhët Shpirti em!...Rrnoftë Shqipnia, Rrnoftë Krishti!”
Zani i Tij sa vinte e fikej derisa nuk u ndigjue ma... U mbyllën edhe shulat e
dyerve...edhe dryjtë. Isha me sy nga dritaria tue vështrue nëse ndigjohet prap zani
i Tij por, kuptova ma vonë se isha ngritë kot për një kohë të gjatë, derisa, u kujtova
se iku! Ai iku në Mbretni të Qiellës... Jam kenë interesue se çka u ba me
Don Mikelin, mbasi e morën atë natë, nga një roje që ndryshonte pak nga të tjerët
me emnin N. Ai më pat tregue se janë nisë për Tiranë dhe rrugës i kanë ba një ingjeksion
dhe ka vdekë. E kanë çue të vdekun në Ministrinë e Mbrendshme dhe prej aty e kanë
futë në një kasetë frigoriferike me nr. 7 (shtatë). Mendonte se Ai asht coptue nga
mjekët e besueshëm qeveritarë për studim, nga studentët e fakultetit të mjeksisë së
Universitetit të Tiranës. Atëherë, dhe sot, që ka kalue një çerek shekulli nga
kjo ngjarje, i drejtoja dy pyetje vehtës për këtë njeri që torturohej aq mizorisht
nga kriminelët komunistë: 1. Pse e torturonin ndryshej nga të tjerët dhe, 2. Ku i
merrte forcat Don Mikeli për me përballue ato tmerre vuejtjesh?- Gjithmonë e njajta
përgjegje: E para, vetëm pse ishte Prift Katolik dhe e dyta, Ai fliste me Jezu Krishtin
çdo çast që goditej nga kriminelët... Vetëm Ai e forconte Até dhe mue...Gjithmonë
kam besue se Don Mikeli asht Shenjt i pashpallun në Mbretninë e Qiellit! Ai asht i
përjetëshëm në kujtimet dhe lutjet e mija! Shkodër, 15 shtator 2000 Bashkëvuejtësja
e Tij, Laura Keçi d.v.” Nga shkrimi i z. Gjergj Kola, në librin “Martirizimi
i Kishës Katolike Shqiptare”, kam shkëputë pak rreshta për me plotësue portretin e
Martirit Don Mikel Beltoja, i cili asht arrestue pse ka thanë: “Dashnia e Zotit asht
e përjetëshme, drejtësia e njerëzve asht e përkohëshme... Bashkë me bukën e përditëshme
duhet t’i jepni fëmijëve edhe virtytin. Atdheu forcohet nga virtyti i bijve tuej.
Dëvotshmënia ndaj Zotit asht dëvotshmëni ndaj Kombit.” Kjo ishte “agjitacioni e propaganda”,
për të cilat dënohej Don Mikeli...” Nga një deshmi e një personi që asht kenë
i pranishem kur asht nxjerrë nga dega e mbrendshme e Shkodres kam veçue këte thanje:
“Don Mikel Beltojen kur ka shkue terroristi Shyqyri Qoku me e marrë per me e pushkatue,
e ka gjetë tue ba lutjen e fundit nder gjunjë...Bashkë me kriminelët tjerë e kanë
kapë dhe e kanë shkye per gjymtyrësh, ashtu të vdekun e kanë nisë per Tiranë. Ai ka
dalë i shkymë nga Dega e Shkodres... Atë ditë asht kenë data 10 Shkurt 1974.” (Dëshmi
gojore nga NP, 1992) Shpesh, pyes veten: “Cilit shekull i perkasin terroristët
Enver Hoxha e pasuesit e tij barbarë, që vazhdojnë me kenë ‘heronjë’, vetem, pse vrisnin
e shkynin Klerikë Katolik Shqiptar e Atdhetarë të nderuem? Si mundet me u heshtë perballë
këtij Gjenocidi?!”... Fritz Radovani, Melbourne, Shkurt 2014.