Më 10 shkurt përkujtohet shën Skolastika. U lind në Norcia (Itali) rreth vitit
480. Në librin “Dialogjet”, shkruar nga Shën Gregori i Madh, papë, Skolastika përshkruhet
si virgjra e urtë, që pëlqeu dashurinë dhe kundrimin e mistereve hyjnore, më shumë
se rregullat dhe institucionet njerëzore. Vdiq në Frosinone, rreth vitit 547 . Më
11 shkurt përkujtohet Zoja e Lurdit. Ky përkujtim lidhet me jetën dhe përvojën
mistike të Maria Bernarda Soubirou-së, që njihet si Shën Bernardeta. Më 11 shkurt
1858 iu shfaq për herë të parë Virgjëra Mari, tek shpella më Massabiele (Masabjej).
Shfaqjet e Zojës vijuan deri më 16 korrik të të njëjtit vit. Që atëherë, Lourdes është
vend shtegtimi për njerëz nga e gjithë bota. Më 12 shkurt përkujtohet Shën
Antoni, i quajtur “Cauleas” U lind në Kostandinopojë, në vitin 901, ku u bë patrik,
dhe gjatë perandorisë së Leonit VI punoi me të gjitha forcat për përforcimin e paqes
dhe bashkimin e Kishës. Më 13 shkurt përkujtohet Shën Martiniani. Libri
Romak i Martirëve thotë se jetoi si heremit pranë Cezaresë së Filipit dhe vdiq afër
Athinës, në Greqi. Banonte i vetmuar nëpër zona të egra në Cezare (Palestinë). Më
14 shkurt përkujtohen shen Cirili e Metodi. Vëllezër nga gjaku e nga feja, u lindën
në Selanik, në fillim të shekullit IX, ungjillëzuan popujt e Panonisë dhe të Moravisë.
Krijuan alfabetin sllav dhe përkthyen Shkrimin e Shenjtë në këtë gjuhë, së bashku
me tekstet e liturgjisë latine, për të hapur, për popujt e sapoungjillëzuar, thesaret
e fjalës së Hyjit dhe të sakramenteve. Duruan prova e vuajtje të shumta përgjatë gjithë
misionit. Cirili vdiq në Romë, më 14 shkurt 869. Bashkë me Shën Benediktin, janë pajtorë
të Evropës. Më 15 shkurt përkujtohet Shën Klaudi (De la Colombiere). U lind
në Grenoble (Francë), më 2 shkurt 1641. Në moshën 17 vjeçare hyri në rishtarinë e
Jezuitëve të Avignon-it. Studioi teologji në Paris dhe u shugurua meshtar në moshën
28 vjeçare. U bë epror i kolegjit në Paray-le-Monial dhe rrëfyes e Motrave të Takimit.
Në kuvend gjendej Margarita Maria Alacoque, përhapësja e devocionit ndaj Zemrës së
Krishtit, e cila u bë shenjtore. Në londër shërbeu si kapelan i asaj që do të bëhej
mbretëresha Maria Beatrice d’Este, por e arrestuan dhe e paditën se po punonte për
rivendosjen e Kishës Katolike në Angli. Pasi e përjashtuan nga Anglia, u kthye në
Paray-le-Monial, ku vdiq pas tre muajsh, më 15 shkurt 1682. Më 16 shkurt
është e diel, festa e Zotit.