2014-02-09 13:06:30

Papa në mesazhin për DBR-në 2014: ta rivendosim solidaritetin në qendër të kulturës njerëzore


Bota e brezat e rinj kanë sot nevojë të ndjekin udhën e Lumnive ungjillore e të mendojnë më shumë për të varfërit. Këtë shkruan Papa Françesku në mesazhin për Ditën Botërore të Rinisë, që këtë vit, do të kremtohet në nivelin dioqezan, më 13 prill, në të Dielën e Larit. Në veçanti, Ati i Shenjtë u kërkon të rinjve të kujdesen për të varfërit, të jenë të ndjeshëm ndaj nevojave të tyre shpirtërore e materiale.
“Ju të rinjve – shkruan Papa në mesazh – ju besoj në mënyrë të veçantë detyrën për të rivendosur në qendër të kulturës njerëzore, solidaritetin. Para formave të vjetra e të reja të varfërisë – papunësia, emigracioni, vartësitë e çdo lloji – e kemi për detyrë të jemi vigjilentë, të vetëdijshëm e tw mos tundohemi nga indiferenca”.
“Le të mendojmë – vazhdon Ati i Shenjtë – është për ata, që nuk e ndjejnë kurrë dashurinë, që nuk kanë shpresa për të ardhmen, që nuk impenjohen më në jetë, sepse shkurajohen, deziluzionohen, frikësohen. Duhet të mësojmë si të rrimë me të varfërit – thekson Papa Françesku. Të mos e mbushim gojën me fjalë të bukura për të varfërit! T’i takojmë, t’i shohim në sy, t’i dëgjojmë. Të varfërit janë për ne rasti konkret për t’u takuar me vetë Krishtin, për të prekur korpin e Tij në mundime”.
Pikë tjetër, për të cilën flet Papa, është protagonizmi i të varfërve, që duhet siguruar në çdo shoqëri. “Të varfërit – shkruan Ati i Shenjtë – nuk janë thjesht njerëz, të cilëve u falim diçka. Edhe ata kanë shumë për të na dhuruar, për të na mësuar. Kemi shumë për të mësuar nga urtia e të varfërve!” Për Papën argjentinas, të varfërit, në një farë kuptimi, janë mësuesit tanë. “Na mësojnë se njeriu nuk vlen për pasurinë që ka, për llogarinë e tij bankare. I varfëri, njeriu që s’ka asgjë pas shpirtit, ruan gjithnjë dinjitetin e vet. Të varfërit mund të na mësojnë shumë edhe përsa i përket përvuajtërisë e besimit në Zotin”.
Vërtet, jep një shembull Papa, në shembëlltyrën e fariseut e të publikanit, Jezusi e paraqet këtë të fundit si model, sepse është i përvuajtur dhe e di se ka bërë shumë mëkate. Edhe vejusha, që jep dy monedha për thesarin e tempullit, është shembull bujarie i njeriut, që megjithëse ka pak, jep gjithçka ka. “Gëzimi më i bukur e më spontan, që kam parë gjatë gjithë jetës sime – u tregon Ati i Shenjtë të rinjve – është ai i të varfërve, që kanë pak. Ungjillëzimi, në kohën tonë, do të jetë i mundur vetëm kur ky gëzim të bëhet ngjitës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.