2014-02-09 16:11:33

Papa: e pranoj ftesën për të vizituar Sri Lankën, duke i uruar vendit paqe e pajtim


“E pranoj ftesën për të vizituar Sri Lankën” pohoi Papa Françesku dje, në Bazilikën e Vatikanit, gjatë takimit me bashkësinë srilankeze në Itali. Një delegacion i madh ishte për vizitë në Shën Pjetër, për të nderuar Zojën e Bekuar, 75 vjet pasi vendi aziatik iu kushtua Marisë:
“Falënderoj kardinalin Ranjith për ftesën që të vizitoj Sri Lankën. E pranoj ftesën e besoj se Zoti do të na e japë këtë hir”.
Takimi me bashkësinë srilankeze në Itali nisi me këtë kumt të gëzuar, pasuar nga duartrokitjet e pareshtura të bashkësisë. Pak përpara, ishte kardinali Ranjith, kryeipeshkëv i Kolombos ai, që i drejtoi Papës ftesën për të vizituar vendin aziatik, në përfundim të një kremtimi në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Duke iu drejtuar besimtarëve, Papa foli edhe për arsyen e kësaj vizite të srilankezëve në Vatikan. Kujtoi se 75 vjet më parë ata kërkuan ndihmën e Marisë që, shtoi Papa, i shpëton gjithnjë bijtë e vet nga rreziqet. Kur në qiellin e Sri Lankës u dynden retë e zeza të Luftës II Botërore, besimtarët kërkuan ndihmën e Zojës së Bekuar. Atëherë kryeipeshkvi i Kolombos, imzot Zhan-Mari Mason, rregulltar i Zojës së Papërlyer, bëri kushtin të ndërtojë një shenjtërore në nder të Zojës, në se ishulli do të shpëtonte nga pushtimi i huaj. E kështu edhe ndodhi. Atëherë u ngrit Shenjtërorja e Zojës së Lankës, në Tewate, kushtuar 40 vjet më parë.









All the contents on this site are copyrighted ©.