2014-02-09 13:05:54

Leximet biblike për të dielën V gjatë vitit


Leximi i pare (Is 58,7-10)
Lexim prej librit të Isaisë profet
(Is 58,7-10)
Kështu thotë Zoti: “Ndaje bukën tënde me të uriturin, pranoji në shtëpinë tënde skamnorët e të Pashtëpitë. Kur ta shohësh të zhveshurin, vishe dhe mos e përbuz farefisin tënd. Atëherë do të zbardhë porsi agimi drita jote, shërimi yt do të vijë më shpejt para teje do të ecë drejtësia jote e do të përcjellë lavdia e Zotit. Atëherë do të thërrasësh e Zoti do të të dëgjojë, do ta thërrasësh e ai do të përgjigjet: »Këtu jam!” Nëse do ta zhdukësh prej mesit tënd zgjedhën gishtin paditës dhe fjalën e keqe, nëse do t’ia japësh kafshatën tënde të uriturit, nëse do ta ngish të uriturin, atëherë në errësirë do të shndritë drita jote, terri yt do të jetë porsi mesdita.
Fjala e Zotit

Psalmi 112 (111)
Refreni: I drejti shkëlqen porsi dritë

Lum ai njeri që e druan Zotin,
Ka lindur për të drejtët një dritë në errësirë:
I ëmbël është njeriu që përdëllen e huajon,
punët e veta i kryen me ndërgjegje,

Ai askurrë nuk do të bjerë poshtë.
nuk i trembet lajmit të keq.
E patrandshme është zemra e tij
me shpresë në Zotin,

Të fortë e ka zemrën, nuk do të trembet
Është dorëdhënë, u fal skamnorëve;
drejtësia e tij qëndron në shekuj të shekujve,
balli i tij ngallit për nder.

Leximi i dytë (1Kor 2,1-5)
Lexim prej Letrës së parë të shën Palit Apostull drejtuar Korintasve
Edhe vetë, o vëllezër, kur erdha në mesin tuaj, nuk erdha për t’ju kumtuar misterin e Hyjit me fjalë të larta e me urti të stërholluar, sepse nuk desha në mesin tuaj të di tjetër përveç Jezu Krishtit - dhe Atë të kryqëzuar. Edhe vetë u paraqita në mes jush i ligshtë, me frikë e me tmerr të madh. Fjalët e mia e predikimi im nuk ishin (fjalime) të stërholluara që mbushin mendjen me fuqi të urtisë njerëzore, por ishin dëftim i Shpirtit Shenjt dhe i fuqisë, që feja juaj të mos themelohej në dijen e njerëzve, por në fuqinë e Hyjit.
Fjala e Zotit

Ungjilli (Mt 5, 13-16)
Lexim prej Ungjillit të Shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: »Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveç të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit.
Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.«
Fjala e Zotit
_________________________________________________

Njerëzit e dritës

Pjesa e Ungjillit është në kontekstin e Lumnive. Ata që janë shpallur të lumë, nuk janë të tillë vetëm për vete, por edhe për botën: janë kripë dhe dritë për realitetet tokësore. “Ju jeni drita e botës”. Jezusi ua thotë këto fjalë para së gjithash besimtarëve, nxënësve të tij, që janë të varfrit, të butët, ata që kanë uri dhe etje për drejtësi... Ata janë dritë jo aq pse i përkasin Kishës, ose ngaqë kanë doktrinën e shpëtimit, as sepse janë njerëz të lutjes e besnikë të kultit, por sepse janë të varfër, të butë, të pastër në zemër dhe punëtorë të paqes...
Të shohin veprat tuaja të mira
Leximi i parë e thekson këtë aspekt. Popullit hebre, që ishte i kujdesshëm për të kryer me përpikëri ritet e kultit, i zënë me rindërtimin e tempullit të shkatërruar, Hyji i kujton se, më shumë se shkëlqimi i tempullit, i pëlqen strehimi i të pastrehëve, ndarja e bukës me të uriturin... “Atëherë po, drita jote do të dalë si agimi”. Nuk mjaftojnë lutja dhe agjërimi. Lutja dhe agjërimi duhet të shoqërohen me veprimin, në mënyrë që të shndrisë drita juaj në errësirë. Heqja dorë nga ushqimi ka pak vlerë, nëse nuk ushqen të uriturin.
Si mund të bëhet nxënësi konkretisht kripa e tokës dhe drita e botës e thotë qartë Ungjilli, ku shkruhet: “Të shohin veprat tuaja të mira dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiell”. Ardhjen e mbretërisë së Hyjit nuk e dëshmojmë vetëm me fjalë, por duke e jetuar personalisht, duke u angazhuar me të tjerët e për të tjerët. Nxënësi duhet të shkrihet e të depërtojë thellë në botë, për t’i dhënë shije botës e për të futur në botë tharmin e Krishtit.
Kur pagëzohet një fëmijë, pagëzuesi u jep prindërve të të pagëzuarit një qiri të ndezur tek qiriu i pashkëve. Krishti i ringjallur është drita. I pagëzuari është i ndriçuari, që ka hyrë në vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit. Atë e pret angazhimi për të jetuar me dritë. Veprat e dritës janë veprat e shpirtit të Shenjtë, prandaj nuk krenohet, nuk mburret e nuk kërkon lavdinë personale.

Ku është sot drita e shpëtimit?

Ungjilli flet për kripën pa shije, që nuk shërben për asgjë tjetër, përveçse për t’u hedhur e për t’u shkelur nga njerëzit. Flet për dritën e fshehur nën magje. Kjo na shtyn ta provojmë cilësinë e kripës sonë të krishterë sot dhe të vërejmë me çfarë mjetesh e fshehim dritën e Ungjillit. Konkretësia e Isaisë nuk na lejon as të luajmë, as ta interpretojmë si të duam Fjalën e Hyjit.
Sot në botë ka qindra milionë njerëz që vuajnë nga uria. Numri i tyre është gjithnjë në rritje, sepse kështu do logjika e ftohtë dhe e egër e sistemit ekonomik çnjerëzor, që grumbullon pasuri mbi pasuri në shtëpitë e atyre që janë të ngopur dhe zhvesh e zhvat të shtypurit e të mjeruarit. Nëse i hedhim një sy hartës së urisë në botë, hartës së mjerimit dhe të shtypjes, nuk mund të mos na vijë turp. Vendet me traditë të krishterë gjenden në anën e pasurisë dhe të mirëqenies.

Shenjë apo pengesë?

Atëherë lind pyetja mos vallë edhe ne të krishterët e ushqejmë këtë sistem të padrejtë e shtypës të të dobëtëve dhe të të varfërve? Varfëria e botës së tretë dhe gjeografia e vendeve të pazhvilluara nuk mund të shpjegohen me mospasjen e teknikës, as duke folur për përtacinë e pashërueshme të njerëzve të këtyre vendeve, por me shfrytëzimin shumëshekullor të lëndëve të para, me nënshtrimin me dhunë të një race tjetër, me tregtinë ndërkombëtare të ushtruar me shantazhe, me “ndihmat” ndërkombëtare, që nuk janë gjë tjetër, por vetëm pastrim magazhinash nga gjërat e tepërta. Atëherë mbetet pyetja: drita e Krishtit a ndriçon ende në këtë botë, apo mos duhet të ecim drejt një tjetër bote, më të ndriçuar?
Bashkësia e krishterë e ditëve tona rrezikon ta fshehë dritën e Krishtit pas qelqeve të errësuar nga pluhuri i shekujve. Mungesa e dëshmisë së përbashkët, mosinteresimi për ta shprehur bashkarisht fenë, larja e duarve nga faktet me të cilat nuk kemi të bëjmë drejtpërdrejt, mbrojtja pa u menduar e rendit të vendosur, e pengojnë bashkësinë tona që ta çlirojë dritën. Duhet të mendohemi mirë, që strukturat të mos bëhen pengesa ose kundërdëshmi nga ana e Kishës. E mendimet duhet të prodhojnë veprime, me urti e me vlerë, pa shkatërruar asgjë të dobishme dhe duke u kujdesur për farën e së mirës, që Hyji ka mbjellë kudo në botë.
***********************

Pjesa e Ungjillit të sotëm, nga Mateu, vjen menjëherë pas Lumnive. Lumnitë përvijojnë profilin shpirtëror të nxënësve të Jezusit. Ai ka ardhur për të shpallur praninë e Mbretërisë së Hyjit mes njerëzve, që realizohet falë misterit të mishërimit të tij dhe fillon të hyjë brenda nesh, nëse bëhemi të varfër në shpirt: “Lum të varfrit në shpirt, sepse e tyre është mbretëria e Hyjit” (Mt 5,3). Mbretëria e Hyjit është mbretëria e lumnisë. Ajo nuk ndërtohet me anë të forcës, por është vepër e dashurisë së Zotit. Në Krishtin Hyji vjen pranë njerëzve, që, sipas logjikës së botës, janë të dobët, dhe i shpall të lumë. Këta janë të varfrit, të pikëlluarit, të butët, ata që janë të uritur e të etur për drejtësi, të mëshirshmit, të pastrit në zemër, të përndjekurit dhe viktimat e dhunës së pushtetit. Nëse, sipas logjikës së botës, këta njerëz janë në kufijtë e shoqërisë, si barrë e saj, sipas logjikës së Hyjit, këta janë në qendrën e mbretërisë, që ai e shpall të pranishme mes nesh. Ky është fillimi i Ungjillit sipas Mateut, ku Jezusi u drejtohet të vetëve dhe botës, për t’u treguar udhën e së vërtetës, me anë të fjalëve dhe mësimeve, por më vonë, nga fundi i tregimit ungjillor, vërejmë se mësimi i vërtetë i Krishtit është ai i mundimeve, vuajtjeve dhe vdekjes në kryq, prej ku shpall faljen dhe e themelon mbretërinë mbi hirin e jo mbi forcën. Njeriu bëhet i lum jo për faktin se është i pikëlluar, i mëshirshëm, i butë, i përndjekur dhe viktimë e drejtësisë së korruptuar, por sepse në këtë gjendje të tij takon Krishtin, i cili e merr përdore njeriun dhe ecën me të, gjer në thellësitë e vdekjes. Është vetëdija për praninë e Krishtit ajo që ia jep lumninë njeriut dhe i hap dyert e një mbretërie tjetër, krejtësisht të ndryshme nga mbretëritë e kësaj bote. Kjo vetëdije është besimi, feja se, duke ndjekur Krishtin gjer në vdekje, do të gjejmë, përtej vdekjes, plotësinë e jetës. Falë kësaj vetëdije, falë fesë, kjo plotësi e jetës vërshon në shpirtin e besimtarit qysh para vdekjes, prandaj, duke mos pasur më frikë nga vdekja, njeriu që ndjek Krishtin nuk ka më frikë as nga bota, por jeton në botë si shenjë e dukshme e një bote të re.
Në Ungjillin sipas Gjonit, Jezusi thotë se nxënësit e tij janë në botë, por nuk i përkasin botës. Lidhja me Krishtin na jep një përkatësi tjetër dhe vetëm falë kësaj lidhjeje është e mundur të rrimë në botë, pa u përpirë nga bota. Pra, Jezusi është ai që ka ardhur nga Hyji, për të na shpëtuar nga bota pa Hyjin.
Duke pranuar shpëtimin e tij, të krishterët rrinë në botë jo më si viktima të mekanizmave të saj të mbrapshtë, por si ruajtësit e saj të vërtetë dhe ndriçuesit e errësirës së saj. Këtë u thotë Jezusi nxënësve në Ungjillin e sotëm: “Ju jeni kripa e tokës” (Mt 5.13) dhe “Ju jeni drita e botës” (Mt 5,14).
Bota ka bukuritë dhe joshjet e veta, por nuk ia arrin kurrë ta shuajë tërë etjen e njeriut për bukuri e jetë. Në kërkim të shuarjes së kësaj etjeje, njerëzit mund të pinë sa të duan nga kupa e botës, por nuk do t’u mjaftojë, sepse në thellësitë e njeriut gjendet, që nga krijimi, aftësia dhe nevoja për të ndenjur me Hyjin e vërtetë e jo me gjithçka që shikojmë si hyj dhe e adhurojmë derisa të na zhgënjejë, për t’u nisur përsëri në një tjetër kërkim, e kështu pa fund, si endacakë në kërkim të lumnisë.
Krishti është burimi i lumnisë. Kush pi në atë burim, me anë të fesë, rri në këtë botë jo për ta shfrytëzuar botën, por për ta ruajtur nga prishja, për t’i dhënë shije e për ta ndriçuar.
Ju jeni kripa e tokës! Kripa, në lashtësi, përdorej për të ruajtur ushqimet nga prishja. Në mes të një bote të korruptuar, të krishterët duhet të jenë si kripa. Tundimi për t’u përshtatur me botën, për ta zbutur Ungjillin ose për ta zëvendësuar me një doktrinë fetare, që mbështetet disi në Ungjill, i ka munduar gjithmonë të krishterët dhe Kishën. “Ju jeni kripa e tokës, por nëse kripa e humb shijen...”. Të krishterët janë si kripa në atë masë në të cilën rrinë të bashkuar me Krishtin. Ai i jep shije jetës sonë, gëzimit dhe dhimbjes, madje edhe vdekjes. Nëse e humbim bashkimin me Krishtin e gjallë, humbim shijen e kripës dhe kripa, që nuk ka shije, “nuk shërben për asgjë, përveçse për t’u hedhur e për t’u shkelur nga njerëzit”. Jezusi e ka parashikuar rrezikun e nxënësve të tij për t’u përshtatur me botën, sikurse ka parashikuar edhe rrjedhojat: hedhjen tej dhe shkeljen nga njerëzit. Nganjëherë gënjehemi se, duke u përshtatur me botën, e bëjmë Ungjillin më të kuptueshëm e Kishën më tërheqëse. Pikërisht atëherë e humbim shijen. Humbim shijen e kryqit, shijen e dashurisë së mëshirshme, shijen e shpresës, që nuk është e themeluar në aftësitë tona, por në premtimet e Zotit, shijen e lutjes dhe shijen e veprave të mira. Kur kisha shndërrohet në një shoqëri të kësaj bote, nuk shërben për asgjë, përveçse për t’u hedhur e për t’u shkelur nga njerëzit.
Ju jeni drita e botës! “Nuk ndizet llamba, për ta vënë nën magje, por përmbi shandan, që të bëjë dritë për të gjithë ata që janë në shtëpi” (Mt 5,15). Nëse tundimi i parë, lidhur me kripën, është ai i përshtatjes me botën dhe i humbjes së shijes, tundimi i dytë i të krishterëve është ai i turpit nga bota dhe i fshehjes. E dimë se logjika e ungjillit është krejtësisht ndryshe nga logjika e botës, e dimë edhe se duam të ndjekim logjikën e ungjillit, por nuk duam që të tjerët ta dinë, prandaj e jetojmë fenë në fshehtësi. Kush përqafon Krishtin bëhet dritë. Jezusi e përshkruan botën si shtëpinë e njerëzve, ku mungon drita. Është e vërtetë se shpesh herë njerëzit mund të kenë frikë nga drita, sepse kanë shumë gjëra për të fshehur, por drita e Krishtit është drita e dashurisë së mëshirshme të Hyjit, që i lan papastërtitë e botës. Jezusi e ndriçon jetën jo duke vënë në dukje mëkatet tona, por duke na i falur ato, në mënyrë që ta themelojmë jetën tonë të re mbi faljen e tij.
Nuk ndizet llamba për ta vënë nën magje. Bota nuk e duron dritën e Krishtit, prandaj e përndjek Kishën. Një Kishë e trembur nga bota është një Kishë e fshehur nën magje. Në këtë shtëpi të madhe të njerëzimit, që është bota, Kishat tona, në vend që të jenë vatra ku ndizemi me dritën e Krishtit, për ta përhapur në botë, shpesh herë kthehen në magjen ku takohemi vetëm me njeri-tjetrin.
Kripë dhe dritë janë të krishterët, por jo vetëm për vete. Sikurse ekzistenca e Krishtit është ekzistencë për të tjerët (Krishti ka lindur për ne, ka vuajtur për ne, ka vdekur për ne), edhe jeta e të krishterit është jetë për të tjerët. Jetë që buron nga Ati, u dhurohet të tjerëve, e kthehet tek Ati, në këtë qarkullim të mrekullueshëm të dashurisë, që e gjejmë të shprehur në Ungjillin e sotëm me këto fjalë të Jezusit: “Kështu të shndrisë drita juaja par njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiell” (Mt 5,16).








All the contents on this site are copyrighted ©.