2014-02-09 13:08:28

Kardinal Sodano mbi lirinë fetare në Shqipëri


Të hënën e kaluar, u mbajt në Romë, simpoziumi me temë “Liria fetare, shekullarizimi dhe zhvillimet e fundit në Shqipëri”. Në sallën prestigjoze të Protomotekës, bashkë me basorelievin e Antonio Canova-s e me bustet e njerëzve të mëdhenj të Italisë, si Dante e Petrarka, u ulën dekani i kolegjit kardinalor, Angelo Sodano, profesorë e studiues, të ftuar nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, organizatorja e takimit. Ndër relatorët, edhe kolegu ynë meshtar, don Marjan Paloka, i cili foli për besnikërinë e shqiptarëve e të Kishës ndaj Selisë Apostolike, në përpjekjen për të përballuar tallazet e historisë. Ia afruam mikrofonin kardinalit Sodano. Ja ç’na tha:
Tema është një reflektim mbi epokën e re të lirisë së Kishës e të shtetit në Shqipëri, pas 45 vjetësh persekutimi të tmerrshëm. Natyrisht, që nga viti 1945 deri më 1990, u shkrua një faqe e trishtuar në historinë e Shqipërisë. Me rënien e murit të Berlinit, 25-vjetorin e të cilit do ta kremtojmë së shpejti (9 nëntor 1989) u hap një faqe e re edhe për Shqipërinë. Falë Provaninë Hyjnore, e cila udhëheq historinë e popujve, edhe për Shqipërinë erdhi kjo ditë. Urojmë të përdoret mirë kjo liri, e drejtë e çdo populli, dhuratë e Zotit. Pas epokës së ateizmit shtetëror, dëshirojmë që feja të bëhet baza e jetës shoqërore për myslimanë, ortodoksë e katolikë. Pa u thelluar në vlerat fetare, shteti nuk mund të ekzistojë. Feja ka të drejtën e qytetarisë në çdo shtet, sepse njeriu është i lirë e, kush dëshiron ta ndjekë fenë e vet, duhet të përkrahet nga shteti. Në këtë çast, u qëndrojmë pranë ipeshkvijve shqiptarë, rregulltarëve dhe rregulltareve, që punojnë në fushën e bamirësisë, të shkollës, të mjeteve të komunikimit shoqëror. Urojmë të përdoret mirë kjo periudhë për të rikujtuar rrënjët e krishtera e fetare të popullit. Mesazhi i krishterë ka ardhur në Shqipëri që para 2000 vjetëve, në fillim të ungjillëzimit, për vepër të Shën Palit Apostull. Shqipëria t’i qëndrojë besnike këtij mesazhi lirie. Unë kujtoj se kështu tha Papa Gjon Pali II, kur shkoi në Tiranë e në Shkodër, në prill 1993. Ky qe edhe mesazhi im, kur në vitin 2002, shkova në Tiranë për të përuruar katedralen e re.








All the contents on this site are copyrighted ©.