2014-02-09 15:48:26

Françesku: Lojrat Olimpike të Soçit janë festë e sportit dhe e miqësisë; të krishterët të jetojnë si “llambë e ndezur” në botë


Lojrat Olimpike dimërore të Soçit janë “festë e sportit dhe e miqësisë”. Kështu u shpreh Papa Françesku në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit. Një mendim i posaçëm i Papës, ishte ai drejtuar të sëmurëve, në prag të 11 shkurtit, Ditë, që u kushtohet. Papa i ftoi gjithë të krishterët t’i japin shije mjediseve të ndryshme, në të cilat jetojnë. U kujtoi se duhet të jenë “llamba të ndezura” në botë, me dëshminë e tyre.

Në Engjëllin e Tënzot, një urim i posaçëm drejtuar Lojrave Olimpike, që vijojnë në Soçi të Rusisë. Urim për ata, që e organizuan ngjarjen e madhe, si dhe për protagonistët e disiplinave të ndryshme sportive:
Këto ditë, në Soçi të Rusisë, zhvillohen Lojrat Olimpike Dimërore. Do të dëshiroja të arrinte atje përshëndetja ime drejtuar organizatorëve dhe të gjithë sportistëve, me urimin që të jetë festë e vërtetë sporti e miqësie”.
Para se të kujtonte Lojrat Olimpike, duke komentuar Ungjillin, Papa nënvizoi se edhe ne, si dishepujt, që ndiqnin pas Krishtin, duhet të jemi “kripë e tokës” e “dritë e botës”. E kjo, vijoi, do të bëhet e mundur, nëse do të jemi “të varfër në shpirt, me zemër të butë, të pastër, të mëshirshme”. Të krishterët “Izraeli i ri”, vijoi Papa, marrin nga Krishti një mision: “Ta orientojnë, ta shenjtërojnë, ta bëjnë pjellor njerëzimin:
Të gjithë ne, të pagëzuarit, jemi dishepuj misionarë e edhe të thirrur të bëhemi në botë ungjill i gjallë: me një jetë të shenjtë, do t’i japim ‘shije’ mjediseve të ndryshme e do t’i mbrojmë nga prishja, siç bën kripa; e do të çojmë dritën e Krishtit me dëshminë e dashurisë së vërtetë. Po nëse ne, të krishterët, humbasim shijen e shuajmë dritën, kemi humbur e kemi shuar edhe dëshminë tonë”.
I krishteri, vijoi Papa, duhet të jetë njeri i dritshëm, që çon dritë, që jep dritë! Dritë, vërejti, që nuk është e tija. Është dhuratë e Zotit, dhuratë e Jezusit. Më pas, një pyetje, drejtuar turmës në Shesh:
“Po unë tani dëshiroj t’ju pyes, ju si doni të jetoni? Si llambë e ndezur, a si llambë e shuar? E ndezur, apo e shuar? Si dëshironi të jetoni? Po nuk dëgjohet mirë këtu! Si? Llambë e ndezur, e? Është pikërisht Zoti, që na e jep këtë dritë, e ne pastaj ua japin të tjerëve. Llambë e ndezur! Kjo është thirrja e krishterë!”.
Papa kujtoi se më 11 shkurt Kisha kremton Ditën Botërore të të Sëmurit, në përkujtimin liturgjik të Zojës Lurdë. Rast i përshtatshëm, pohoi, për t’i vënë të sëmurët në qendër të vëmendjes së bashkësisë, për t’u lutur për ta e me ta, për të qenë gjithnjë pranë tyre. Posaçërisht, shtoi, mund të ndjekim shembullin e Jezusit në sjelljen ndaj të sëmurëve të të gjitha llojeve: Jezusi kujdeset për të gjithë, ndan me ta vuajtjen e ua mbush zemrën me shpresë. Më pas Ati i Shenjtë kujtoi edhe punonjësit e shëndetësisë që, theksoi, bëjnë një punë vërtet me vlerë. Ata, shtoi, duke u takuar çdo ditë me të sëmurët, nuk shikojnë vetëm trupa të ligështuar, por njerëz, të cilëve u duhet kushtuar vëmendja e duhur, për t’u dhënë edhe përgjigjet e duhura:
Dinjiteti i njeriut nuk rrëgjohet kurrë në fuqitë a në aftësitë e tij, e nuk mungon, kur njeriu është i ligshtë, i paaftë për punë, nevojtar për ndihmë. Mendoj edhe për familjet, ku kujdesi për të sëmurin është normal; por nganjëherë situatat bëhen tejet të rënda…Shumë më shkruajnë, e sot dua t’i siguroj se lutem për gjithë këto familje, e u them: mos kini frikë nga brishtësia! Ndihmojeni njëri-tjetrin me dashuri e do ta ndjeni praninë ngushëlluese të Zotit”.
Sjellja bujare e të krishterit ndaj të sëmurëve, pohoi Papa, është kripë e tokës e dritë e botës. E, më pas, iu lut Virgjërës Mari të na ndihmojë ta praktikojmë e të nxjerrë nga Zoti hirin e paqes për gjithë të vuajturit.
Në çastin e përshëndetjeve drejtuar shtegtarëve, Papa Françesku kujtoi posaçërisht ata, që po kalojnë çaste të vështira për shkak të kohës së keqe:
“Lutem për të gjithë ata, që pësojnë dëme e shqetësime për shkak të fatkeqësive natyrore në vende të ndryshme, e edhe këtu, në Romë; jam shumë pranë tyre. Natyra na sfidon duke kërkuar të jemi solidarë e të vëmendshëm në ruajtjen e gjithësisë, edhe duke i parandaluar, përsa të jetë e mundur, pasojat më të rënda”.







All the contents on this site are copyrighted ©.