2014-02-09 19:04:01

75-vjetori i vdekjes së Piut XI: iu kundërvu totalitarizmave, për të mbrojtur njeriun


Më 10 shkurt 1939 vdiste Piu XI, në shekull, Achille Ratti. I zgjedhur papë më 1922, i priu Kishës universale për 17 vjet, në një epokë historike të vështirë. Tri, janë aspektet themelore të papnisë së Piut XI: nënshkrimi i Pakteve Lateranense me Shtetin italian, më 1929; dënimi i hapur i totalitarizmave dhe themelimi i Radio Vatikanit. Intervistuam Agostino Gavazzi-n, drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve dhe Dokumenteve “Piu XI”, me seli në Desio, vendlindje e Papës, për një reflektim mbi këtë papni:

Përgjigje: - Aspekti i parë, që do të theksoj, është aktualiteti i madh i këtij Pape, aktualitet, që mund ta vërejmë në Konkordatin i cili, i dëshiruar fort nga Piu XI, e i realizuar më 1929, është ende sot aktual, edhe pas rishikimeve të Kraksit e të kardinalit Nikora, në vitin 1984. Disa jetëshkrime të Piut XI kujtojnë se, kur ishte student në seminar, duket se u pati thënë disa miqve të tij: “Nëse një ditë do të bëhesha papë, do të dëshiroja të bëj paqe me shtetin italian, me një Konkordat”.

Pyetje: - Një aspekt tjetër themelor për papninë e Piut XI është vëmendja për komunikimin: ishte pikërisht Papa Ratti, që e deshi lindjen e Radio Vatikanit, në shkurt 1931…

Përgjigje: - Piu XI ka qenë gjithnjë i vëmendshëm ndaj të gjitha mjeteve të komunikimit, prandaj deshi që zyrat e tij të pajiseshin me telefone e makina shkrimi. Duke e parë sa rëndësi do të kishte radioja, i kërkoi Gulielmo Markonit të krijojë një stacion radiofonik, që ta mundësonte për t’i folur botës. Një temë tjetër, për të cilën u interesua fort Papa Piu XI, ishte ajo e kinematografisë: përmes Papës, lindi një revistë katolike kushtuar kinemasë, për njohjen më të thellë të fesë.

Pyetje: - Papa Ratti jetoi vite historikisht e politikisht të vështira, vite kur sunduan nazizmi e komunizmi. Piu XI e ngriti gjithnjë zërin në mbrojtje të njeriut, kur njeriu digjej në furra krematore e jepte shpirt në kampe përqendrimi të zeza e të kuqe…

Përgjigje: - Pa dyshim! E bëri me enciklikat, që e dënuan komunizmin e paZot, si shumë të dëmshëm për dinjitetin e njeriut, ashtu edhe fashizmin si totalitarizëm që pengonte lirinë e zhvillimit të individit e nazizmin, me brutalitetet e tij kriminale. Piu XI pati guxim prej luani, kur ishte fjala për të dënuar ata, që i kundërviheshin Kishës e Njeriut.

Pyetje: - Piu XI shkroi shumë: mjafton të mendojmë vetëm për enciklikat. Në 17 vjet papnie, shkroi 26-të...

Përgjigje: - Mua më pëlqen posaçërisht Quadragesimo Anno, Enciklikë e rëndësishme shoqërore, që flet, ndoshta për herë të parë, për parimin e ndihmës. Në këtë Enciklikë flitet edhe për punën, si mjet i dinjitetit të njeriut, për zhvillimin e tij; flitet për fitimin, që në vetvete nuk është i keq, por bëhet i tillë, nëse çon në pasurimin e pak njerëzve e jo në krijimin e pasurisë për mbarë njerëzimin. E këtu del në pah edhe një herë aktualiteti i mendimit të Papës Ratti.

Pyetje: - Shtëpia atërore, ku lindi Achille Ratti, në Desio, sot është muze. Çfarë objektesh ruhen aty?


Përgjigje: - Ruhen veshje, si kardinal e si papë, ruhen mobiljet e studios, që Piu XI i përdori në ato pak muaj, kur ishte kardinal i Milanos. Në muze ruhet edhe një shishe me verë: në vitin 1938, Piu XI ishte i sëmurë; i kishin dhuruar disa shishe vere nga Kartagjena e kishte vendosur t’i linte dy për Papën e 2000-it. Interesante është se Papa Piu XI e quante veten ipeshkëv polak, sepse u shugurua ipeshkëv pikërisht kur ishte nunc apostolik në Poloni. E Papa i vitit 2000, që i mori shishet si dhuratë, ishte Papa polak, Karol Vojtila! Gjon Pali II e ruajti një shishe për vete, ndërsa tjetrën ia dhuroi Muzeut të Desios. E ne sot e kemi të ekspozuar këtë shishe, me etiketën: “Piu XI, për Pasardhësin e tij të vitit 2000”.







All the contents on this site are copyrighted ©.