2014-02-07 16:24:54

Ta përqendrojmë vëmendjen në familjen, qelizë themelore e shoqërisë: kështu Papa, ipeshkvijve polakë


Takim, në prag të shenjtërimit të Papës Gjon Pali II, për t’i përsëritur Kishës në Poloni ftesën që të ndërtojë udhën e paqes e të bashkimit, pa ndarje, duke i kushtuar rëndësi të veçantë familjes së themeluar mbi martesën, të rinjve dhe thirrjeve të reja. Në audiencë me Papën Françesku, ipeshkvijtë polakë në vizitë “ad Limina”, të cilëve Ati i Shenjtë u dorëzoi “me përvuajtëri” fjalën e përgatitur, në vend që ta lexonte “me madhështi”, siç tha vetë.
Figura e Karol Vojtilës qe në qendër të bisedës së përzemërt. Ka qenë bari i madh, u tha Papa ipeshkvijve, “shembull i ndritshëm i lëshimit të plotë në dorën e Zotit e të Nënës së tij, model i përkushtimit të jashtëzakonshëm ndaj Kishës e njeriut”. I Lumi Vojtila do të shpallet shenjt më 27 prill e Papa Françesku u ndal në tre aspekte të shoqërisë e të Kishës në Poloni, veçanërisht të dashura edhe për Gjon Palin II: familja, të rinjtë e thirrjet për meshtar. Familja, tha Ati i Shenjtë, është vendi ku mësojmë të jetojmë bashkë, pavarësisht se të ndryshëm; vatra, ku prindërit u mësojnë fëmijëve respektin për të tjerët dhe u transmetojnë fenë e të parëve:
“Ndërsa sot, martesa konsiderohet shpesh si plotësim i nevojës për dashuri, që mund të organizohet në çdo lloj mënyre e të ndryshojë sipas ndjeshmërisë së secilit. Fatkeqësisht, ky këndvështrim ndikon edhe në mendësinë e të krishterëve, duke sjellë divorce e ndarje faktike, pa u menduar shumë”.
Është detyrë e barinjve të Kishës, vazhdoi Papa Françesku, t’i formojnë njerëzit e të mos i përjashtojnë nga bashkësia e krishterë ata që gjenden në vështirësi:
“Duhet të pyesim si ta përmirësojmë përgatitjen e të rinjve për martesë, që të zbulojnë gjithnjë e më shumë bukurinë e këtij bashkimi, i cili, nëse ka baza të shëndosha në dashurinë e përgjegjësinë, është në gjendje të kapërcejë sprova, vështirësi, egoizma me anë të faljes, duke ndrequr ç’rrezikon të prishet… Duhet të pyesim si t’i ndihmojmë familjet të jetojnë e t’i vlerësojnë si çastet e gëzimit, ashtu edhe ato të dhimbjes e të dobësisë”.
Në këtë kuadër, e duke pasur parasysh edhe Ditën Botërore të Rinisë 2016, që do të mbahet në Krakovë të Polonisë, Papa Françesku vuri theksin në punën me të rinjtë:
“Sot, bota e pasur me mjete informatike u ofron atyre mundësi të reja komunikimi, por njëkohësisht, zvogëlon mundësitë për marrëdhënie personale e për kontakte të drejtpërdrejta, për shkëmbimin e vlerave e të përvojave. Megjithatë, në zemrat e të rinjve vlon dëshira për diçka më të thellë, që ta vlerësojë plotësisht personalitetin e tyre”.
Papa Françesku i këshilloi ipeshkvijtë t’i nxisin të rinjtë të marrin pjesë në lëvizje e veprimtari kishtare, të bëhen misionarë për t’u çuar të gjithëve Lajmin e Mirë të Ungjillit. Vërejti më pas, rënien e thirrjeve në jetën rregulltare, sidomos në institutet femërore:
“Uroj që Institutet rregulltare femërore të vazhdojnë të jenë, në përshtatje me kohën, vende të privilegjuara për afirmimin dhe zhvillimin njerëzor e shpirtëror të grave. Rregulltaret të jenë gati për të kryer detyra e misione të vështira e kërkuese, që vlerësojnë aftësitë e tyre intelektuale, emocionale e shpirtërore, talentet e karizmat e tyre personale. Të lutemi për thirrje femërore e t’i vlerësojmë motrat tona, që shpesh, heshtazi e pa u parë nga askush, ia kushtojnë jetën Zotit dhe Kishës, në lutje, në baritori e në bamirësi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.