2014-02-07 18:55:58

Atë Lombardi: dokumenti i Komitetit të OKB-së për të miturit, me anomali e kufizime të rënda, përtej kompetencave të tij


Nuk ndalen polemikat, pas botimit, të mërkurën e kaluar, në Gjenevë, të vërejtjeve përfundimtare nga ana e Komitetit të OKB-së për të drejtat e fëmijëve, lidhur me Selinë e Shenjtë. Na sqaron për këtë, përmes një note, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi:

“Pas një mori artikujsh e komentesh, në vijim të botimit të porosive të Komitetit të verifikimit të Konventës për të drejtat e fëmijëve, na duket e nevojshme të bëjmë disa reflektime e saktësime.

Nuk është rasti të flitet për ndeshje “ndërmjet OKB-së e Vatikanit”. Kombet e Bashkuara janë një realitet tejet i rëndësishëm për njerëzimin e sotëm. Selia e Shenjtë e ka mbështetur gjithnjë fort Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke e parë si pikë takimi të të gjitha Kombeve, për të favorizuar paqen në botë dhe zhvillimin e bashkësisë së popujve, në harmoni, respekt reciprok e pasurim të anasjelltë. E dëshmojnë këtë një numër i madh dokumentesh dhe ndërhyrjesh të Selisë së Shenjtë në nivelet e saj më të larta si dhe pjesëmarrja aktive e përfaqësuesve të Selisë Apostolike në shumë nga organizmat e OKB-së.

Përfaqësuesit më të lartë të OKB-së kanë qenë gjithnjë të vetëdijshëm për rëndësinë dhe mbështetjen e autoritetit moral e fetar të Selisë së Shenjtë lidhur me zhvillimin e bashkësisë së popujve, prandaj edhe i kanë ftuar Papët ta vizitojnë Organizatën e t’ia drejtojnë fjalën Asamblesë së saj të Përgjithshme, gjë që, duke ecur në gjurmët e Palit VI, e bënë Gjon Pali II (dy herë) e Benedikti XVI. Mund të themi, prandaj, se Kombet e Bashkuara, në instancat e tyre më të larta, e çmojnë dhe e dëshirojnë mbështetjen e Selisë së Shenjtë dhe dialogun pozitiv me të. E këtë e dëshiron edhe Selia e Shenjtë, për të mirën e familjes njerëzore. Nga kjo perspektivë duhen parë marrëdhëniet.

Konventat ndërkombëtare, të promovuara nga Kombet e Bashkuara, janë udhë, përmes të cilave bashkësia ndërkombëtare kërkon të nxisë dinamikën e kërkimit të paqes e të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në fusha të posaçme. Shtetet janë të lira të anëtarësohen. Selia e Shenjtë/ Qytet Shteti i Vatikanit, ka marrë pjesë në ato, që mendon se janë më të rëndësishme në dritën e veprimtarisë së saj e të misionit të saj (Duhet kujtuar se ratifikimi i një konvente, nënkupton impenjime lidhur me pjesëmarrjen, marrëdhëniet etj, etj, gjë që kërkon personel e burime; prandaj Selia e Shenjtë detyrohet të zgjedhë një numër të kufizuar Konventash, në përpjestim me mundësitë e saj për të marrë pjesë). Ndërmjet tyre, Selia e Shenjtë nënshkroi, me shpejtësi, ndër të parat në botë, atë, që iu kushtua të drejtave të fëmijëve, në dritën e punës tejet të madhe të bërë në këtë drejtim, përherë e në forma të ndryshme (edukative, bamirëse, etj etj), nga bashkësia katolike në botë, e sidomos në dritën e mësimeve të Kishës në këtë fushë, të frymëzuar nga vetë sjellja e Jezusit, sipas përshkrimit të Ungjijve.

Natyrisht, veprimtaria e OKB-së është shumë e gjerë dhe e ndërlikuar, e, si çdo organizatë e madhe – e pikërisht për natyrën e saj ndërkombëtare edhe më e mundshmja universale - përfshin në gjirin e saj njerëz, qëndrime, zëra nga më të ndryshmet. Nuk është për t’u çuditur, prandaj, nëse në botën e saj të gjerë takohen ose ndeshen vizione të ndryshme. Por që rezultati i përgjithshëm të jetë pozitiv, duhet shumë gatishmëri, dialog e respekt i vëmendshëm ndaj rregullave themelore procedurave dhe konceptimit të veprimtarive.

Për verifikimin e vënies në jetë të Konventës mbi të drejtat e fëmijëve, ekziston një Komitet, me seli në Gjenevë, që mblidhet në dy sesione gjatë vitit, merr raporte nga shtete të ndryshme anëtare, i studion, i diskuton me delegacionet e dërguara prej tyre dhe formulon porositë për një zbatim sa më të mirë, në përkim me përmbajtjen e vetë Konventës. Porositë e formuluara nga Komiteti janë shpesh të pamjaftueshme e me peshë relative. Nuk është e rastit, prandaj, që nuk kanë pasur pothuajse asnjë herë jehonë në nivel shtypi ndërkombëtar, edhe në rastin e vendeve, ku të drejtat e njeriut e të fëmijëve janë në gjendje vërtet të rëndë.
Në rastin e Raportit, që Selia e Shenjtë ia paraqiti Komitetit muajt e kaluar, mbi zbatimin e Konventës e të protokolleve përkatëse, pyetjeve, formuluar më pas me shkrim nga ana e Komitetit, iu dha përgjigje e plotë me shkrim, pasuar nga dita, në të cilën u dëgjua zëri i një delegacioni të Selisë së Shenjtë në Gjenevë, më 16 janar. Tani, më 5 shkurt, u botuan vërejtjet dhe porositë përfundimtare të Komitetit. Gjë që pati jehonë e reagime shungulluese.
Ç’duhet vërejtur lidhur me këtë?

Mbi të gjitha, pjesëmarrja e Selisë së Shenjtë në Konventë u motivua nga impenjimi historik i Kishës universale dhe i Selisë së Shenjtë në ndihmë të fëmijëve, për të mirën e tyre. Kush nuk e përfill ç’përfaqëson kjo për të mirën e fëmijëve në botë, do të thotë se nuk e njeh mirë këtë përmasë të realitetit. Prandaj Selia e Shenjtë – siç ka thënë imzot Parolin - do të vijojë të impenjohet për të vënë në jetë Konventat e për të mbajtur një dialog të hapur, konstruktiv e impenjativ me organet e caktuara. Do të mbajë qëndrime të mëtejshme e do të japë llogari e kështu me radhë, pa pretenduar të heqë dorë nga një dialog i vërtetë, nga proceduart e parashikuara, nga gatishmëria për të dëgjuar kritikat e justifikuara, e do ta bëjë këtë me guxim e vendosmëri, pa kurrfarë druajtjeje.

Në të njëjtën kohë, nuk mund të mos vërë në dukje se porositë e fundit, botuar nga Komiteti, duket se paraqesin – sipas gjykimit të atyre, të cilët e kanë ndjekur mirë procesin, që i parapriu - kufizime të rënda. Nuk i kanë pasur parasysh si duhet as përgjigjet me shkrim e as ato me gojë, dhënë nga përfaqësuesit e Selisë së Shenjtë. Kush i ka lexuar e i ka dëgjuar këto përgjigje, nuk gjen pasqyrime të rregullta në dokumentin e Komitetit, aq sa të shtyn të mendosh se ai, praktikisht, u shkrua, ose së paku, u mendua, para dëgjimit.

Veçanërisht duket i rëndë moskuptimi i natyrës së posaçme të Selisë së Shenjtë. Është e vërtetë se bëhet fjalë për një realitet, që ndryshon nga shtetet e tjera e kjo e vështirëson kuptimin e rolit dhe të përgjegjësive të saj. Por kjo është shpjeguar shumë herë hollësisht gjatë njëzet e sa vjetëve të pjesëmarrjes në Konventë, e posaçërisht, në përgjigjet e fundit dhënë me shkrim. Mungon aftësia, apo dëshira për të kuptuar? Në të dyja rastet, nuk mund të mos çuditesh.

Mënyra si paraqiten vërejtjet e ngulmimi mbi disa raste të veçanta, të bëjnë të dyshosh se i është kushtuar shumë më tepër vëmendje OJQ-ve të mirënjohura, me paragjykime kundër Kishës katolike e Selisë së Shenjtë, sesa qëndrimeve të vetë Selisë së Shenjtë, nënshkruese e Konventës, gjithnjë e gatshme për dialog të thelluar me Komitetin. Është tipike për këto organizata, prirja për të mos pranuar ç’është bërë nga Selia e Shenjtë e në Kishë këto vitet e fundit, lidhur me pranimin e gabimeve, risimin e rregullave, marrjen e masave formuese e parandaluese. Kaq shumë kanë bërë pak a ndoshta aspak organizata ose institucione të tjera. Po nuk është kjo, që kuptohet, duke lexuar dokumentin, në fjalë.


Së fundi, e kjo është ndoshta vërejtja më e rëndë, vërejtjet e Komitetit, në shumë drejtime, duket se shkojnë përtej kompetencave të tij e ndërhyjnë në vetë qëndrimet doktrinore e morale të Kishës katolike, duke dhënë udhëzime, që kanë të bëjnë me vlerësimet morale të ndalimit të shtatzanisë e të vetë abortit, ose të edukimit në familje a të vizionit të seksualitetit njerëzor, në dritën e vizionit të tyre ideologjik të seksualitetit. Prej këndej, në Komunikatën zyrtare, botuar të mërkurën paradite, flitet për një “përpjekje për të ndërhyrë në mësimet e Kishës katolike mbi dinjitetin e njeriut e në ushtrimin e lirisë fetare”.
Në fund, nuk mund të mos vërejmë se toni, shtjellimi dhe publiciteti, që i bëri Komiteti dokumentit të tij, janë absolutisht anormale, në krahasim me procedimet normale lidhur me Shtetet e tjera pjesëmarrëse në Konventë.

Nëse Selia e Shenjtë ishte, sigurisht, objekt i një nisme e i një vëmendjeje mediatike, sipas nesh, padrejtësisht të dëmshme, duhet pranuar se vetë Komiteti është kritikuar rëndë, me kritika të bazuara. Pa dashur t’ia atribuojmë Kombeve të Bashkuara këtë që ndodhi, duhet thënë se në opinionin e përgjithshëm, vetë Kombet e Bashkuara kanë pasoja negative për qëndrimin e mbajtur, përtej kompetencave të veta, nga një Komitet, që ka emrin e tyre.

Të kërkojmë, prandaj, rigjetjen e një plani korrekt impenjimi, për të mirën e fëmijëve, edhe përmes mjetit të Konventës. Selia e Shenjtë nuk do të ngurrojë të japë përgjigje të vëmendshme e të argumentuara.










All the contents on this site are copyrighted ©.