2014-02-05 15:12:12

Përkujtimi i Shenjtores Agata. Papa, të rinjve: ju ndihmoftë ta kuptoni rëndësinë e pastrisë e të virgjërisë


Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa kujtoi se Kisha kremton sot festën liturgjike të Shën Agatës, apo Ages. Ja edhe fjalët e Françeskut:
Sot kremtojmë festën e Shën Agatës, virgjër e martire. Virtyti i saj heroik ju nxitët ju, të dashur të rinj, posaçërisht studentë të Shkollave të Kongregatës së Shën Gjon Pagëzuesit, të ecni në gjurmët e saj. Ju ndihmoftë, sidomos, ta kuptoni rëndësinë e pastrisë e të virgjërisë;
ju ndihmoftë ju, të dashur të sëmurë, ta pranoni kryqin, në bashkim shpirtëror me Zemrën e Krishtit;
e ju nxitët ju, të dashur bashkëshortë të rinj, ta kuptoni rolin e gruas në jetën tuaj familjare”.
Liturgjia e Orëve na propozon sot këtë tekst të ofices së Leximeve kushtuar Shën Agatës, që pësoi martirizimin, ndoshta, në Katanie, në kohën e perandorit romak Decio, sipas traditës, më 5 shkurt të vitit 251.
“Fjalë kushtuar Shën Agatës”, nga Shën Metodit Sikulo, ipeshkëv:
“Përkujtimi i përvitshëm i Shën Agatës na mblodhi, që të nderojmë një martire. I përket sa lashtësisë, aq edhe ditëve tona. Na duket sikur ajo e vijon luftën, e vijon edhe ta fitojë. Për ditë! Ditë për ditë kurorëzohet e zbukurohet me dhanti të reja hiri hyjnor.
Shën Agata lindi nga Fjala e Zotit të pamort e nga Biri i Tij i vetëm, i vdekur si njeri për ne. Thotë Shën Gjoni: “Atyre, që e pranuan, u dha forcën të bëhen bij të Hyjit” (Gjn1,12). Agata, shenjtorja jonë, që na ftoi sot në gostinë fetare, është nusja e Krishtit. Është virgjëra, që i skuqi buzët me gjakun e Qengjit dhe e ushqeu shpirtin me vdekjen e të dashurit të saj hyjnor. Stola e shenjtores sonë ka ngjyrën e gjakut të Krishtit, por edhe atë të virgjërisë. Dëshmi, kjo, për të gjitha breznitë. Shenjtorja është e mirë sepse, duke i përkitur Zotit, mbetet gjithnjë përkrah Dhëndrit të saj, për të na bërë të gjithë pjesëtarë të pasurisë, të cilën ajo e ka në emër: Agata do të thotë “e Mirë”, e kjo e mirë na u dhurua nga vetë burimi i mirësisë, Zoti. Mirësia e Ages përkon sa me emrin, aq me realitetin e jetës e të fundit të Virgjërës. Agata, e cila për dëshminë e madhërishme mbart një emër të lumnueshëm, na bën t’i shikojmë gjestet e kryera prej saj e na tërheq deri me emrin, sepse na nxit të gjithëve, me shembull, të hyjmë në garë për të fituar të mirën e vërtetë, që është Zoti”.







All the contents on this site are copyrighted ©.