2014-02-05 15:03:06

Papa në audiencën e përgjithshme: Eukaristia është bukë që shpëton; çdo fëmjë ta marrë Kungimin e Parë


“Bukë, që na shpëton, na fal, na bashkon me Atin”. Janë fjalët, kushtuar nga Papa Françesku Eukaristisë, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit. Ka rëndësi, pohoi ndërmjet tjerash, që të gjithë fëmijët të përgatiten mirë, para se ta marrin Krishtin në zemër për herë të parë. Më pas, Ati i Shenjtë bëri thirrje për solidaritet ndaj zonave e njerëzve të përmbytur nga shirat e rrëmbyera, që vijojnë të reshen mbi shumë zona të Italisë, e të botës.RealAudioMP3

Është një ditë, në të cilën bëhesh i krishterë: dita e Pagëzimit. Po është edhe një ditë tjetër, në të cilën kjo dhuratë bëhet ‘bukë’ për t’u ngrënë, së paku çdo të dielë, që të ushqesh me të fenë e fituar me Pagëzimin. Është Kungimi i Parë.
Përsëri nën shi, edhe këtë të mërkurë, Papa Françesku vijoi misionin e tij të katekistit në praninë e 25 mijë “guximtarëve”, të gjithë me çadra të hapura, që e ndoqën në Sheshin e Shën Pjetrit, pa marrë parasysh lojën e motit. Me një përjashtim të vetëm, të domosdoshëm: në Shesh nuk ishin të sëmurët, që e ndoqën audiencën përmes ekranit, në mjedisin e ngrohtë e mikpritës të Sallës së Palit VI. Papa doli në tremen e Bazilikës menjëherë pas takimit dhe përshëndetjes së përzemërt me ta.

Elteri, që të bën të kujtosh gostinë; Kryqi, që të kujton flijimin e Krishtit mbi këtë elter e amvona, që dëshmon se edhe fjala e shpallur është ‘shujtë’, janë të gjithë elementë, pohoi Papa Françesku, që e vënë me forcë në dukje rëndësinë e sofrës eukaristike.
“Të dashur miq, nuk do të mund ta falënderojmë kurrë aq sa duhet Zotin, për dhantinë që na bëri me Eukaristinë! Është dhuratë tepër e madhe e, prej këndej, tepër e rëndësishme të shkosh në meshën e së dielës; të shkosh në meshë jo vetëm për t’u lutur, por, sidomos, për të marrë Kungimin, bukën, Korpin e Jezu Krishtit, që na shëlbon, na fal, na bashkon me Atin. Është e bukur ta bëjmë këtë. Prandaj e diela është shumë e rëndësishme për ne. E duke marrë Eukaristinë, e ndjejmë edhe se i përkasim Kishës, popullit të Zotit, Korpit të Zotit, Jezu Krishtit”.
Papa Françesku e drejtoi fanarin e katekizmit të tij edhe mbi ritet, ndjekur mijëra herë gjatë meshës, e ndoshta pikërisht për këtë arsye, të pakuptuara si duhet nga shumëkush. Duke u nisur nga dhantia e Jezusit që, në Darkën e Mbrame na dhuron korpin e gjakun e vet:
Gjesti i Jezusit në Darkën e Mbrame është falënderimi kulmor, që i bën Atit për dashurinë e Tij, mëshirën e Tij. ‘Falënderim’ në gjuhën greke thuhet “Eukaristi”. Prandaj ky sakrament quhet ‘Eukaristi’. Është kulmi i falënderimit drejtuar Atit, që na deshi aq, sa të na dhuronte të Birin, për dashuri”.
Nga ky sakrament dashurie buron çdo udhë e vërtetë feje, bashkimi, dëshmie, nënvizoi në vijim Papa, prej këndej, Mesha është shumë më tepër se gosti, e shumë më tepër se liturgji, që vijon të përsëritet:
Përkujtim” nuk do të thotë vetëm kujtim, kujtim i thjeshtë, por do të thotë se, sa herë e kremtojmë këtë Sakrament, marrim pjesë në misterin e mundimeve, të vdekjes e të ngjalljes së Krishtit. Eukaristia është kulmi i veprimit të shëlbimit të Zotit: Zoti Jezus, duke u bërë bukë e thyer për ne, na ndikon gjithë mëshirën e dashurinë e Tij, aq sa të na i rinojë zemrat, jetën, lidhjet e marrëdhëniet tona me vëllezërit”.
T’i kërkojmë pra, Zotit, përfundoi Papa, që ky sakrament të vijojë ta mbajë gjallë në Kishë praninë e Tij e t’u japë trajtë bashkësive tona në dashuri të krishterë e në bashkim, sipas zemrës së Atit:
“E kjo bëhet gjatë gjithë jetës, por nis ditën e Kungimit të Parë. Ka rëndësi që fëmijët të përgatiten mirë për Kungimin e Parë e që asnjë fëmijë të mos mbetet i pakunguar, sepse është hapi i parë që bëhet për t’i përkitur Jezu Krishtit, fort, fort, pas Pagëzimit e Krezmimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.