2014-02-05 17:23:21

Ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë: lufta ndaj krimit dhe dhunës fryt i punës së përbashkët


Ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri kanë vënë re me shqetësim një përshkallëzim të dhunës në jetën e përditshme. Të shqetësuar, në mënyrë të veçantë për dhunën në familje dhe atentatet ndaj integritetit fizik të personave, Ipeshkvijtë e Shqipërisë sot kanë dalë me një deklaratë për shtyp në mbrojtje të jetës dhe familjes, dy vlera, të cilat duhet të mbështeten e të ruhen nga të gjithë. Në këtë deklaratë, ata theksojnë se organet e drejtësisë, të policisë dhe të shtetit nuk mund t'ia dalin vetëm, pa bashkëpunimin e të gjithëve dhe u bëjnë thirrje të gjithë individëve të mos heshtin, por të bëhen bashkëpunëtorë të organeve kompetente dhe denoncues të krimit kur ai ndodh dhe kur dikush ka qenë dëshmitar.
Në fund të deklaratës, barinjtë e Kishës Katolike shprehin mbështetjen e tyre të palëkundur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Por ja deklarata e plotë:

Ne, Ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri, ndjekim me kujdes dhe vëmendje zhvillimin e jetës së vendit tonë në përkim me natyrën e saj baritore, jo vetëm duke u kujdesur për të gjithë të krishterët katolikë, por edhe duke kërkuar të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti për jetën shoqërore.
Jo pa një farë shqetësimi po ndjekim në kohët e fundit një përshkallëzim të dhunës në jetën e përditshme, në mënyrë të veçantë dhuna në familje dhe atentatet ndaj integritetit fizik të personave. Jeta dhe familja janë dy vlera të cilat duhet të mbështeten e të ruhen nga të gjithë ne. E drejta e jetës dhe e familjes përbëjnë themelin e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Në mënyrë të veçantë janë institucionet shtetërore ato që duhet të kujdesen për sigurinë e jetës së qytetarëve të tyre. Ne jemi një popullsi e vogël dhe çdo gjë që ndodh ka një ndikim të menjëhershëm në jetën e familjeve dhe individëve, sidomos në një kohë kur mediat dhe mjetet e tjera të informacionit përcjellin gjithçka dhe menjëherë.
Ne si Kishë Katolike mundohemi nëpër komunitetet tona që të përçojmë një frymë bashkëpunimi dhe paqeje, jo vetëm me anëtarët e Kishës Katolike, por me të gjithë bashkatdhetarët. Sigurisht duhet ende shumë punë e duhet të angazhohemi më shumë sidomos në fushën e edukimit nëpërmjet shkollave të administruara prej Kishës dhe grupeve rinore që frekuentojnë famullitë tona.
Por nga ana tjetër ky përshkallëzim i dhunës na shqetëson, aq më tepër kur shpesh vendin e punës për përmirësimin e situatës e zënë polemikat e vazhdueshme, akuzat e ndërsjella dhe përplasjet shpesh të dhunshme të atyre që duhet të jenë shembull dhe t’i prijnë popullit si udhëheqës.
Në radhë të parë ne u drejtohemi organeve kompetente që të luftojnë krimin në të gjitha hallkat e tij pa kompromis. Kriminaliteti dhe dhuna megjithatë nuk mund të luftohen vetëm duke bërë ligje më të forta apo duke favorizuar një klimë vetëm ndëshkuese. Kërkohet gjithashtu një strategji e mirëfilltë edukimi që kalon nëpërmjet shkollës dhe familjes.
Po ashtu shpesh krimi ka si zanafillë varfërinë ekonomike dhe papunësinë e moshës së re. Mjerimet ekonomike që ekzistojnë në familje, papunësia e moshës së re, çojnë drejt lloje krimesh nganjëherë të paimagjinueshme. Si ka thënë Papa Françesku, “Pabarazia shoqërore shkakton herët a vonë një dhunë që armët as nuk e zgjidhin e as munden kurrë ta zgjidhin” (Evangelii Gaudium, n. 60). Ne besojmë se politikat e punësimit dhe të edukimit janë parandaluese të krimit jo vetëm në familje, por edhe në shoqëri.
Organet e drejtësisë, të policisë e të shtetit në përgjithësi nuk mund t’ia dalin vetëm pa bashkëpunimin e të gjithëve: Individët të mos heshtin, por të bëhen bashkëpunëtorë të organeve kompetente dhe denoncues të krimit kur ai ndodh dhe kur dikush ka qenë dëshmitar i tij; grupet e ndryshme shoqërore, ekonomike dhe fetare me institucionet e tyre, me transparencën dhe nxitjen e paqes e të dialogut ndërmjet njëri-tjetrin dhe me të ndryshmit; po ashtu, e sidomos forcat politike, duke bërë një politikë konstruktive dhe jo një politikë nxitëse dhe ndjellëse të konfliktit, e cila nxit më shumë dhunën, por nuk zgjidh problemet.
Populli i tëri e sidomos të rinjtë kanë të drejtë të kenë një shembull të mirë dhe siguri në jetën shoqërore. Afati i afërt i marrjes së statusit të vendit kandidat për në Evropë na ngarkon të gjithëve me përgjegjësi, në mënyrë të veçantë politikën, që të jemi bashkëpunues për një rrugë të pakthyeshme dhe të vendosur drejt Bashkimit Evropian, ku ne si popull aspirojmë.
Ne si Barinj të Komunitetit Katolik shprehim mbështetjen tonë të palëkundshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe lutemi që Hyji të frymëzojë mendjet dhe zemrat për një shoqëri shqiptare më të mirë dhe paqësore, larg dhunës dhe arrogancës për zgjidhjen e problemeve dhe të konflikteve.
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Ipeshkëvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri








All the contents on this site are copyrighted ©.