AIIS renditet mes instituteve kryesore studimore në shkallë globale
Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare është renditur i 24-ti mes instituteve
kryesore studimore të Europës Qendrore e Lindore, sipas raportit vjetor të botuar
nga Universiteti i Pensilvanisë
Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare
është renditur në vendin e 24-t, midis 60 instituteve kryesore studimore të Europës
Qendrore dhe Lindore, sipas rezultateve të raportit të shtatë vjetor, të vitit 2013,
Global Go to Think Tanks.
Viti 2013 është viti i tretë radhazi që Instituti
Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare (AIIS) renditet mes instituteve më të mira studimore
të të Europës Qendrore e Lindore. Kjo arritje u bë e njohur me Treguesin Global tw
vitit 2013 Go to Think Tank (GGTTI), që organizohet çdo vit nga Programi Think Tank
dhe i Shoqërisë Civile i Universitetit të Pensilvanisë. Raporti i vitit 2013 u prezantua
më 22 janar 2014, në Uashington, DC, në një konferencë shtypi organizuar nga Banka
Botërore. Ky tregues është bërë një standard i artë për institutet studimore nëpër
botë dhe citohet gjerësisht nga qeveritë, donatorët, gazetat dhe vendimmarrësit e
politikës, si një profil dhe punë e shquar e instituteve studimore në çdo rajon të
botës. AIIS ka qenë vazhdimisht i vetmi institut studimor shqiptar, që shfaqet në
vendin e 24-t të kësaj renditjeje për një rajon të gjerë që shtrihet nga Hungaria
deri në Rusi, duke përfshirë edhe Ballkanin, çka flet për angazhimin e gjatë dhe cilësinë
e punës kërkimore të stafit të institutit. Treguesi Global Go to Think Tank, i
vitit 2013 përmban një varg renditjesh globale dhe sektoriale, të organizuara mbi
bazën e vendosjes gjeografike dhe specializimit tematik. Rezultatet e tij janë nxjerrë
mbi bazën e përpjekjeve masive, globale, me anën e një sërë konsultimesh me ekspertë
të kësaj fushe dhe të një rrjeti të gjerë kontaktesh. Raporti është hartuar me
ndihmën e më shumë se 1500 instituteve analoge dhe ekspertëve nga media e shkruar
dhe elektronike, akademia, institucionet donatore publike dhe private, si dhe të qeverive
në mbarë botën dhe radhit në shkallë globale 150 institute. I krijuar në vitin
1997, nga një grup akademikësh dhe analistësh me përvojë të madhe në çështjet e politikës
së jashtme dhe hartimit të politikave, AIIS ka dhënë kontribut të rëndësishëm nëpërmjet
analizave, projekteve dhe botimeve në fushat e integrimit euro-atlantik, demokracisë,
sigurisë dhe tranzicionit, si dhe për sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal. Përveç
realizimit të kërkimeve të pavarura dhe sondazheve, AIIS është një nga botuesit kryesorë
të librave për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe organizator i disa konferencave dhe
seminareve të rëndësishme për vendin. Tirana Times është partneri mediatik i institutit. ‘Në
një botë të mbushur me cicërima dhe tinguj të çjerrë, që shpesh janë sipërfaqësorë
dhe të ngarkuar politikisht, ka rëndësi të dihet se kur u duhet kthyer propozimeve
të fuqishme politike, që trajtojnë çështje politike komplekse, me të cilat përballen
hartuesit e politikës dhe publiku, –thotë Xhejm Mekgan, drejtor i Programit Think
Tanks dhe Shoqërisë Civile në Universitetin e Pensilvanisë. -Ky tregues synon të ndihmojë
për të identifikuar dhe njohur qendrat kryesore të ekspertizës në kërkimet e politikës
publike në mbarë botën.”