2014-02-04 12:48:47

Përkujtojmë Atë Ambroz Martinin, 4 vjet pas vdekjes


RealAudioMP3 Po e kujtojmë atë Ambroz Martinin, 4 vjet pas vdekjes, me dy fragmente, shkëputur nga Epistolari i tij, tejet i pasur, burim i paçmuar për historinë e Kishës shqiptare në mërgim. 1

Deka e Nanës së mergimtarit
San Francisko, 09. 02, ‘70

... Dje bashkuem të gjith shqyptarët në Kishë - të kshtênë e muhamedan - pse thamë Meshë për shpirtin e nanës së Zef Shllakut2. Pardje i erdh lajmi se i ka dekë. Si kur e muer lajmin, ashtu edhe gjatë kremtimit tejet të përmallshem, Zefi qindroi bojagi mirë. Dje, por, në nade, kur un e pveta - pse fjeta te ai - se si e kishte pasë emnin Nana e sa fëmijë kishte pasë, ai shpërtheu në vaj, hatashem. Kur, tek e mbramja, pushoi, më tha: “Vetun kur të ndjeva tue më pvetë si i kanë thanë emnit, u kujtova se nanë mâ nuk kam! Se s’di as ku e ka vorrin. E as a kam me kja ndonjiherë mbi atë vorr, ku pushon ajo, që e kjau për së gjallit birin, fajtor vetem pse ishte nxanës fretensh. Të birin, ende me pantallona të shkurta, kur iku, pa mujtë as me i thanë lamtumirë! Për t’i pështue prangave. Kjava boll - tha Zefi - por mirë që shfreva. Se njeri mujtka edhe me plasë....”. E ngushëlloi por, pjesëmarrja e gjith shqyptarëve në Meshë, që u tha në Santa Rosa e edhe u filmue. Si kreu Mesha, Ndoj Prendushi i thirri të gjith, në restorantin e vet, e u qiti dreken. Drekë morti, si në viset tona. Gjatë meshës, fola shkurt, pse nuk âsht e letë me gjetë fjalë ngushëllimi, kur të des nana, që e ke dishrue për sa e sa vjet, që i ke shkaktue aq shum trazim, që s’mundesh as me ia puthë fëtyren e ngrime deket. Megjithatê, kjava edhe unë vetë e kjane deri muhamedantë, se të tjerët po se po. Kah flitshem, mendojshe jo vetëm për nanen e Zefit, por edhe për têmen, tanden, për tanë nanat e atyre fatzezëve, që ishin mbledhë në atë Kishë të huej, me gjetë ngushëllim rreth elterit të Zotit! E me mendue se më duhet t’i mësoj këta njerëz me thanë: “Zoti i faltë ata, që na lanë pa nana”. Tue e pasë tejet vëshirë me shtue: “Pse nuk e dijnë çka bâjnë”. Sepse e dijnë. E fort mirë, madje!

Kryqi, e kryqat
(Fragment prej nji letre, në gjuhen italiane, drejtue sicilianes Konçeta Valvula, prej San Francisco, me 25. 11. ‘70. Perkthimi asht i redaktores)

Njerëzit pyesin vazhdimisht. Herë vedin, e herë të tjerët: “Pse kjo e pse ajo? E pse, e pse, e pse? Pse lémë, sidomos. E aq mâ tepër, pse desim?”. Pseja e jetës, e lindjes dhe e dekës sonë âsht: me vuejtë, me bájtë kryqin tonë, me ndërtue banesen e amshimit tonë. Nuk kemi lindë për t’u martue, e as për të pasë shtëpi, pare, pasuni. Jo, jo! Kemi lindë për të meritue jeten e pasosun. Po amshimi nuk meritohet e as nuk fitohet, tue e zgjedhë na vetë se si duhet të jemi e shka duhet të bâjmë! Na duhet me pranue atê, që na ven Zoti i mirë mbi shpinë: kryqin! Kryqin tonë. E kryqi në këtë botë të lashtë ka njimijë forma. Për dikend ka formen e dhimbjes. Për tjetrin, formen e mungesës së bukës së përditshme. Formen e ûsë. Tjetri ka kryqin e etjes. Tjetrës i peshon ma se ‘i kryq, i shoqi. Tjetrit, e shoqja. Dikuj i bâhet kryq i tmerrshem vëllau; disave, frati; tjerëve, murgesha. Turmës së nuseve, vjehrra. Ka njerëz që e kanë kryq të ftoftin. Të tjerë, të xetin. Shum bájnë mbi shpinë kryqin e pasunisë; të tjerë, të vorfnisë. I bukuri shtypet nen barren e kryqit të lakmisë, kah shef se ka të tjerë edhe mâ të bukur. I shëmtuemi bán barren e kryqtë të hukubetit të vet. Dikush ka kryqin e dijes. Tjetri të padijes. E tjetri mendon se sa ma pak të dish, aq ma lehtë e bán kryqin e jetës.
Unë, që nuk kam as shtëpi, as grue, as vjehrrë, as pasuni, edhe unë kam kryqin têm - kryqat e mi. Punoj si rob. Lëvizi mâ shpejt se satelitët. Përballoj mija rreziqe shpirtnore e morale. Se edhe unë, që po të shkruejë, nuk jam gurit, e as mermerit. Jam njeri, si ti. E pra, tue ecë kështu, e ndjej vedin të lum. Tallazet kalojnë, kalon uji e kalojnë rrebeshet, por shkambijtë mbesin në vend të vet. Prandej jetoj në mâ të madhen paqë. Nuk e ndiej barren e kryqit, sepse jam i lidhun me Zemren e Zotit. Ai e mbush plot gjith amshimin e kohës, pafundësinë e hapsinës. E s’po mujka Ai i Lumi me e mbushë plot e përplot zemren teme të vogël!? Prandej jeta, ndonëse plot me kryqat e dishirave, të tundimeve, të kërkesave, të pohimeve, të mohimeve, âsht e bukur, e mrekullueshme, sepse na krijon mundësitë të ngjitemi gjithnji mâ nalt, kah banesat e Zotit! Ku s’ka mâ kryq as kryqa.
______
1 Josephus P. Ambrosius Martini
Zef Martini leu me 2 dhetuer 1928 në Okol të Thethit, dioqeza e Pultit, në familjen e Martin Ndokës e të Lulë Bales. Hyni ndër fretën me 17 shtator 1938. Me 1926 veshi zhgunin françeskan. Me 1944 ishte novic. Në kallnduer 1947, ushtar. Me 26 korrik 1948 u arratis në Jugosllavi, së bashku me Fra Vlash (Lin) Delinë, me motrën stigmatine, Orsolinen e vëllaun, Palin. Kohët e para të arratisë i kaloi në Vitomiricë (afër Pejet), së bashku me Atë Daniel Gjeçajn e grupin e malësorëve të arratisun së bashku me tê. Në vjetët 1949-1951 ndoq Fakultetin e Arteve të Bukura, pranë Universitetit të Herceg Novit, për të shërbye, mandej, një vit si profesor në Vladimir (Ana e Malit). Me 1953-55 studjoi letërsi klasike në Universitetin e Beogradit.
Më 12 kallnduer 1955, së bashku me një grup klerikësh e shekullarësh, hyni në Itali. U vendos në Firence-Fiezole ku, më 23 marc 1957, mbasi kishte plotësue studimet teologjike, bani kushtet e përhershme rregulltare. U shugurue meshtar me 29 qershuer 1957, në Fiezole, në duert e imzot Ferronit.Vijoi, ndërkaq, studimet në fakultetin e letërsisë moderne, pranë Universitetit të Firences.
Me 1964, në kulmin e emigracionit, u vendos në kuvendin françeskan romak të Shën Pjetrit në Montorio, së bashku me Atë Daniel Gjeçajn. Nisi, kështu, shërbimin e kapelanit për mërgimtarët, të cilët i ndoq në San Francisco (SHBA) më 16 kallndur 1970; në Bruksel, me 2 tetuer 1974; në Montecatini (Itali) me 6 kallnduer 1999. Me 1983 mori nenshtetësinë belge. U rikthye për herë të parë në Shqipni me 24 prill 1993, për të ndjekë vizitën e Gjon Palit II. Vendosi të mos largohej ma prej Provincës, ku kishte nisë jetën rregulltare. Deri më 2006 shërbeu në Kuvendin e Arrës së Madhe, pranë Kishës së Zojës Rruzare; prej këtij viti e deri sa vdiq, në Kuvendin françeskan të Shën Françeskut, në Gjuhadol, ku kreu shtegtimin tokësuer më 4 fruer 2010, në orën 2.40.
La mbas disa piktura, sidomos grafika, ndermjet të cilave, portretin e Atë Bernardin Palajt e një autoportret, si dhe një pjesë të letërshkëmbimit me Atë Daniel Gjeçajn, me vlerë të madhe njohëse e, jo ma pak, artistike, me stil tejet origjinal, që e radhit përkrah Atë Bernardin Palajt.

V.O. Të dhanat për Pater Ambrozin në “Scematismus” (Provinça Françeskane Shqiptare, prej P. Donat Kurtit), fq.114, nuk janë të sakta, as të plota, tue nisë prej ditëlindjes.2 Zef Shllaku: laik katolik, bamirës i madh. Me kursiemt e veta të pakta, i ndihmoi sa mundi, të gjithë artistët shqiptarë mërgimtarë, duke nisur nga profesor Arshi Pipa, për të vijuar me Martin Camajn e Lin Delinë. Pipa i kushton një nga botimet e “Librit të Burgut”.







All the contents on this site are copyrighted ©.