Papa Françesku: edhe Zoti vajton, ka zemrën e një ati, që nuk i mohon kurrë të bijtë
Edhe Zoti vajton: vaji i Tij është si ai i një ati, që i do fort të bijtë e nuk i
mohon kurrë, megjithëse rebelohen. I pret gjithnjë. Kështu tha sot Papa Françesku,
gjatë homelisë së meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Leximet e ditës
na paraqesin figurën e dy baballarëve: nga njëra anë, mbreti David, që vajton për
vdekjen e të birit rebel Absalomi, ndërsa nga ana tjetër, Jairi, kreu i sinagogës,
që i lutet Jezusit të shërojë të bijën. Papa shpjegoi vajtimin e Davidit, i cili nuk
priste fitoren, priste të birin, pavarësisht se ky ishte ngritur kundër tij dhe e
donte për vete mbretërinë. Davidi ishte atë i mirë, nënvizoi Papa Françesku, prandaj
vajtonte: “Thoshte duke u larguar: ‘Biri im, Absalom. Biri im! Biri im, Absalom!
Të kisha vdekur unë në vendin tënd! Absalom, biri im! Biri im!’ Kjo është zemra e
atit, që nuk e mohon kurrë të birin. ‘Është bandit. Është armik. Por është im bir!’
E nuk e mohon atësinë: qan… Dy herë, Davidi derdhi lot për një bir: këtë herë e atë
tjetrën, kur po vdiste biri i kurorëthyerjes. Edhe në atë rast agjëroi, bëri pendesë,
për të shpëtuar jetën e të birit. Ishte atë!” Babai tjetër, për të cilin foli
Ati i Shenjtë, kreu i Sinagogës, ishte njeri me rëndësi, por para sëmundjes së të
bijës nuk pati turp të gjunjëzohej në këmbët e Jezusit e ta luste me gjithë shpirt
të vinte në shtëpinë e tij e ta shpëtonte, pavarësisht se në kundërshtim me krerët
e tjerë hebraikë. Davidi e Jairi janë dy etër: “Për ta, është më i rëndësishëm
i biri, e bija! Nuk ekziston asgjë tjetër. Kjo është e vetmja gjë e rëndësishme! Na
bën të mendojmë për fjalët e para, që i themi Zotit në Besojmë: ‘ Besoj në Tënzonë,
Atin…’ Na bën të mendojmë për atësinë e Hyjit. Zoti është kështu. Është kështu me
ne! ‘Por, more atë, Zoti nuk qan!’. Po si jo! Kujtoni Jezusin, kur derdh lot për Jeruzalemin.
‘Jeruzalem, Jeruzalem! Sa herë jam munduar t’i mbledh bijtë e tu, si klloçka zogjtë
e saj, nën krahë’. Zoti vajton! Jezusi derdh lot për ne! E ai vaj i Jezusit është
pikërisht vaji i Atit, që na do të gjithë rreth Vetes”. Në çastet e vështira,
vazhdoi Papa Françesku, Ati na përgjigjet. Të kujtojmë Isakun, kur shkon për t’u flijuar
nga Abrahami. E dinte se do ta flijonin, e kupton, e ç’thotë: “Atë”. E përgjigja vjen
menjëherë: “Ja ku jam o bir!” Edhe Jezusi, në Malin e Ullinjve, thotë me ankth në
zemër: “O Atë, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk!” E engjëjt erdhën
për t’i dhënë forcë. Kështu është Zoti ynë, është atë, si ai që priste kthimin e
djalit plangprishës. Ati nuk mund ta kuptojë vetveten pa birin, prandaj ka nevojë
për të. E pret, e do, e kërkon, e fal, e do pranë, si klloçka me zogjtë: “Le
të shkojmë sot në shtëpi me këto dy ikona: Davidin që vajton e tjetrin, kreun e Sinagogës,
që gjunjëzohet para Jezusit, pa pasur frikë se mos bëhet lojë e të tjerëve. Është
fjala për bijtë: biri e bija. E me këto dy ikona, le të themi: ‘Besoj në Tënzonë,
Atin e Gjithpushtetshëm…’ E t’i lutemi Shpirtit Shenjt – sepse vetëm Shpirti Shenjt
mund ta bëjë këtë – të na mësojë të themi Hyjit ‘Abbà, Atë!’ Është hir të kemi mundësinë
për t’i thënë Zotit ‘Atë’ me gjithë zemër. T’ia kërkojmë këtë Shpirtit Shenjt!”