2014-02-04 12:48:59

Biblioteka e Vatikanit studion “Letrat Marega” mbi përndjekjen e të krishterëve në Japoni ndërmjet viteve 1600-1800


Biblioteka Apostolike e Vatikanit njofton fillimin e një bashkëpunimi me institucionet japoneze, që kanë lidhje me Nationat Institute for Humanities, për hetimin,ruajtjen, dixhitalizimin, studimin dhe katalogizimin e rreth dhjetëmijë dokumentave të fondit “Letrat Marega”, që flasin për përndjekjet e pësuara nga të krishterët japonezë gjatë shekujve XVII-XIX. Fondi i Bibliotekës së Vatikanit, që quhet “Letrat Marega”, e merr emrin nga saleziani don Mario Marega, i cili ka qenë misionar na Japoni gjatë shekullit të kaluar dhe gjatë viteve 1930-1940 u mor me mbledhjen e këtyre dokumenteve. Për zanafillën e këtij bashkëpunimi ndërmjet institucioneve vatikanase dhe japoneze, të dëgjojmë prefektin e Bibliotekës Apostolike, Imzot Cesare Pasini:

Ky bashkëpunim lindi, sepse, sapo e kthyem edhe një herë vëmendjen tek këto letra, të cilat meritonin një inventarizim më të mirë dhe ia vlente të njiheshin e të studioheshin, u lidhëm me Japoninë dhe vumë re sa shumë interes kishin institucionet e atjeshme për këto letra. Kuptohet rëndësia e tyre historike. Kështu lindi qarku virtuoz që shpesh herë krijohet ndërmjet institucioneve kulturore: Biblioteka e Vatikanit nga njëra anë dhe ato japoneze nga ana tjetër. Lindi dëshira për të ndërtuar së bashku diçka që më vonë mund të japë një fryt më të qartë: njohjen më të mirë të këtyre letrave, njohjen e historisë nga e cila vijnë. Këtë punë e kemi bërë, duke rindërtuar hap pas hapi një projekt, që tani po e bëjmë të njohur.
Edhe financimi i dixhitalizimit të këtyre dokumenteve është fryt i bashkëpunimit?
Ky projekt merret me dixhitalizimin, por jo vetëm. Janë dokumente kaq të veçanta,sa kanë nevojë të organizohen si duhet, të ruhen me kujdes e mbi të gjitha të inventarizohen. Prandaj, gjatë nxjerrjen nga qeset origjinale në të cilat gjenden ende, atë që përdoreshin në zyrat publike të Japonisë (ishulli jugor i Japonisë, ku ruheshin), duhet t’i rendisim si duhet. Prandaj, qoftë dixhitalizimi, qoftë studimi dhe inventarizimi ecin me të njëjtin hap.
Çfarë lloj dokumentesh përfshijnë këto “Letrat Marega”?
Janë dokumente civile, qeveritare, pra nuk vijnë nga burimet e krishtera, por nga ato publike, që duhej të ishin nën kontrollin e popullsisë. Sepse, që nga fundi i viteve pesëqind, por mbi të gjitha nga viti 1612, autoritetet e atëhershme – Shoguani, që mori pushtetin në Japoni në vend të perandorit – miratoi disa dekrete që urdhëronin dëbimin e të krishterëve. Atëherë duheshin gjetur e duheshin detyruar të hiqnin dorë nga feja. Dokumentet përmbajnë një sërë elementesh që kanë të bëjnë me braktisjen e fesë, në rastet kur kjo është vërtetuar, ose informacione në lidhje me familjen. Mes tyre gjenden edhe dokumentet e vdekjeve të këtyre personave, por edhe dokumentet konkrete prej ku del cilat ishin përpjekjet për t’i zmbrapsur të krishterët nga feja, me anë të procedurës së famshme – që na ngjeth mishtë vetëm duke e treguar – sipas të cilës, për të treguar se nuk janë më të krishterë, njerëzit duhej të shkelnin ikonat e shenjta ose edhe vetë kryqin. E gjithë kjo është e dokumentuar.
Mund të themi se institucionet japoneze, në bashkëpunim me ju, e përkrahin njohjen e teksteve, që tregojnë se Japonia, para disa shekujsh, i përndiqte të krishterët. Mund të themi se kjo u jep nder institucioneve japoneze, nga pikëpamja kulturore?
U jep nder dhe, nëse mund të them kështu, ne të Bibliotekës jemi mirënjohës, por edhe nuk jemi të befasuar, sepse jemi mësuar me faktin se kultura i hap rrugët, bën të mundur mirëkuptimin, sepse njohja e të vërtetës, të vërtetës historike, është gjë e mirë. Takimi ndërmjet personave që duan ta kuptojnë më mirë të shkuarën e tyre, për të bashkëpunuar më mirë në të tashmen, është pasuri e ndërsjellë. Jemi me të vërtetë të kënaqur që japonezët, me gjithë kompetencën, kulturën, rregullsinë dhe njerëzinë e tyre, e kanë marrë për zemër punën me këto letra.








All the contents on this site are copyrighted ©.