2014-02-03 13:58:07

Papa: njeriu i qeverisë nuk e përdor për interesat e veta Zotin, as popullin


Mos e përdor Zotin, as popullin, për të mbrojtur veten në çaste të vështira. Kjo ishte porosia kryesore e Papës Françesku gjatë Meshës, kremtuar sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës. Duke komentuar sjelljen e mbretit David, kur e tradhtoi i biri, Absalomi, Papa kujtoi se çdo shqetësim duhet lëshuar gjithnjë në dorë të Zotit.

Mbreti David ikën, sepse i tradhtuar nga i biri, Absalomi. Papa Françesku e përqendroi homelinë tek Leximi I, shkëputur nga Libri II i Samuelit, që rrëfen historinë e kësaj tradhtie të madhe dhe pasojat e saj. Davidi është i trishtuar, sepse edhe populli ishte me të birin, kundër mbretit. E i biri i duket si të ishte i vdekur. Por, ç’qëndrim mban Davidi përballë kësaj tradhtie të madhe? Papa foli për tri mënyra sjelljeje: mbi të gjitha, Davidi, si drejtues shteti, e shikon realitetin ashtu siç është, duke e kuptuar se lufta do të jetë shumë e ashpër e se do të ketë edhe të vdekur. Prej këndej, vendos të mos e dënojë me vdekje popullin e vet. Ai mund t’i kundërvihej të birit me forca ushtarake, po vendos të mos e shkatërrojë Jeruzalemin:
Davidi, e kjo është mënyra e parë e sjelljes, për t’u mbrojtur, nuk përdor as Zotin e as popullin e vet, e kjo tregon dashurinë e mbretit për Zotin e për popullin. Një mbret mëkatar – e dimë historinë - por edhe një mbret, që dinte të donte, me dashuri shumë të madhe, që ishte tepër i lidhur me Zotin e vet e tepër i lidhur me popullin e vet. Prej këndej, nuk i përdor për t’u mbrojtur as Zotin, as popullin. Në çaste të hidhura të jetës, ndodh që, ndoshta prej dëshpërimit, ndokush përpiqet të mbrohet si të mundet e madje edhe ta përdorë Zotin e t’i përdorë edhe njerëzit, që e rrethojnë. Ai, jo! Sjellja e tij e parë është: të mos e përdorë Zotin e as popullin, për të mbrojtur vetveten”.
Vendos, atëherë, të ikë. Sjellja e tij e dytë është pendestare. Ngjitet në mal, duke qarë, duke ecur kokëmbuluar e këmbëzbathur; e nësa ngjitet, vijon të qajë me lot të valë. Është shtegtim i vërtetë pendestar. Ndoshta, reflektoi Papa, në zemrën e tij përbluante punët e këqija e mëkatet e shumta, që kishte bërë; mendonte se nuk ishte ashtu krejt pa faj. Por edhe se nuk ishte aspak e drejtë ta tradhtonte pikërisht i biri. Gjithsesi, e pranon se nuk është shenjt, e zgjedh udhën e pendesës:
“Kjo ngjitje në mal na bën të mendojmë për një tjetër ngjitje, atë të Jezusit, edhe ai i zeherosur, këmbëzbathur, me kryqin e vet, ngjitej mbi mal. Kjo është sjellje pendestare. Davidi e pranon se ka mort, e qan. Ne, kur na ndodh ndonjë gjë e tillë në jetë, kemi një instinkt, që na shtyn gjithnjë të shfajsohemi. Davidi nuk justifikohet, është realist, kërkon të shpëtojë arkën e Zotit, popullin e vet, e bën pendesë përmes kësaj udhe. Është njeri i madh: mëkatar i madh e shenjt i madh. Po si shkokan bashkë këto dy gjëra?... Zoti e di!”
E duke shtegtuar, vijoi Papa, duket një personazh tjetër, Simei, që i gjuan me gurë Davidin e shërbëtorët e tij. Është armik e shkon duke e mallkuar mbretin. Njëri nga miqtë e mbretit, pohoi Ati i Shenjtë, i sulet e kërkon ta mbysë këtë “faqezi”, këtë “qen të zgjebosur”. Po Davidi e ndalon: në vend që të zgjedhë rrugën e hakmarrjes kundër gjithë këtyre sharjeve, zgjedh rrugën e lëshimit në dorë të Zotit. Madje e lë t’i vijojë mallkimet, sepse, mendon, mallkon me urdhër të vetë Zotit. E shton: “Zoti e di gjithnjë atë që ndodh dhe e lejon”. Ndoshta, mendon akoma Davidi, Zoti do ta shikojë brengën time e do të ma kthejë mallkimin në bekim.
Sjellja e tretë e Davidit është, pra, lëshimi i plotë në dorë të Zotit. E kjo sjellje mund të na ndihmojë edhe ne, sepse ne të gjithë, gjatë jetës, kalojmë shumë çaste të errta, çaste të vështira prove. Ja, atëhere, tri mënyrat e sjelljes së Davidit: “Mos tregto me Zotin, as me përkatësinë ndaj Tij, pranoje pendesën e qaj për mëkatet tua, mos kërko të vësh në vend drejtësinë me dorë tënde, por besoja Zotit”:
Është e bukur ta dëgjosh këtë e t’i shikosh këto tri mënyra sjelljeje: një njeri, që e do Zotin, e do popullin e vet e nuk e nxjerr në treg; njeri që e di se është mëkatar e bën pendesë; njeri plot siguri në Zotin e vet, në dorë të cilit lëshohet me besim e shpresë. Davidi është shenjt e ne e nderojmë si shenjt. T’i kërkojmë të na e mësojë këtë sjellje në çaste të këqija të jetës”.












All the contents on this site are copyrighted ©.