Kardinali Joao Braz de Aviz: Viti i Jetës Rregulltare është një dhuratë e madhe nga
Papa
Siç dihet, Kisha do t’ia kushtojë 2015-tën jetës së shuguruar. Dymbëdhjetë muaj plot
me nisma, rëndësinë e të cilave Papa e theksoi edhe gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot,
dje. Radio Vatikani intervistoi prefektin e Kongregatës për Jetën Rregulltare, Kardinalin
Joao Braz de Aviz (Zhoao Bras de Avis), i cili flet për gëzimin e eprorëve të kongregatave
rregulltarë kur, gjatë takimi, në fundin e nëntorit të kaluar, Papa i njoftoi të parët
për hapjen e këtij viti të veçantë: Më kujtohet gëzimi,
që shpërtheu, për shkak të këtij lajmi, tek të gjithë të pranishmit dhe më kujtohet
edhe se njëri nga eprorët e përgjithshëm tha kështu: “Papa na mblodhi si vëllezërit
e shumtë të një familjeje të vetme dhe, si një atë, na foli si në shtëpi”. Një mënyrë
shumë e bukur, për të treguar besimin, afërsinë, gjithçka që mund të ndjehej në atë
moment. Ky njoftim erdhi si një gjë e natyrshme, por edhe e domosdoshme, për të gjithë
ne. Jemi shumë të kënaqur, sepse kjo pjesë e historisë, që po përjetojmë, është plot
me mundime e vështirësi, prandaj nxjerrja në dritë e këtyre aspekteve të Kishës, që
përfaqësojnë rregulltarët e rregulltarët, është shumë e rëndësishme. Zgjedhja e vitit
2015 ka edhe arsye të tjera, si, për shembull, fakti që mbushen pesëdhjetë vjet nga
Perfectae Caritatis, dekreti mbi Jetën Rregulltare, i cili përditësoi jetën rregulltare.
Dëshirojmë që ky çast e kjo përtëritje e pesëdhjetë viteve të fundit, të mund ta shtyjë
përpara edhe tani jetën rregulltare. Çfarë prisni nga kjo nismë? Edhe
ne përpiqemi të shikojmë, gjithnjë e më shumë, drejt të ardhmes. Viti i Jetës Rregulltare
do të na ndihmojë shumë për këtë gjë. Prandaj, verë e re në kacekë të rinj. Nuk duhet
të qahemi, të kërrusemi mbi problemet, por, siç ka Bërë Jezusi me anë të kryqit, nëpërmjet
pastrimit të historisë, duhet ta ndezim brenda nesh këtë gëzim, këtë plotësi të jetës
me Të, që mund të na e japë jeta rregulltarë. Kjo është rruga që po përpiqemi të bëjmë.
Tani do të fillojmë të mendojmë si duhet ta realizojmë konkretisht. Dëshirojmë t’u
përgjigjemi edhe pyetjeve që Papa na drejton vazhdimisht ne rregulltarëve. Kemi mbledhur,
ndoshta, rreth pesëdhjetë pyetje, që ai na drejton, dhe i kemi vënë në dukje, kështu
që, gjatë gjithë këtij viti, të mund të përgjigjemi dalë ngadalë. Pastaj do të vijnë
nismat e ndryshme, që do të përpiqemi të organizojmë. Do të organizohen mbledhjet
e eprorëve të përgjithshëm, të përgjegjësve për formimin rregulltar dhe do të organizohen
mbledhje të ndryshme, të cilat do të na e bëjnë të mundur ta konkretizojmë këtë vit.