2014-02-02 16:56:22

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa i quajti rregulltarët “ikona të mirësisë së Zotit” dhe kërkoi solidaritet me viktimat e kohës së keqe


“Dhurata, që rregulltarët e rregulltaret përfaqësojnë për familjen njerëzore, por edhe mbështetja e atyre, që mbrojnë jetën, sidomos atë të fëmijës së palindur e solidariteti për viktimat e valës së fundit të kohës së keqe, në Italinë qendrore”. Të gjitha këto tema ishin, sot paradite, në qendër të vëmendjes së Papës, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kryesuar nga dritarja e studios së tij, në praninë e mijëra njerëzve, nësa Sheshi i Shën Pjetrit rrihej nga një shi i rreptë, që vijon prej ditësh ta sulmojë Qytetin e Amshuar, në këto ditë tipike dimërore.RealAudioMP3

Po të mungonin rregulltarët e rregulltaret, të cilët sjellin në jetën e përditshme të çdo njeriu, që jeton në kaosin e metropoleve a nën strehën e çadrave të refugjatëve, mëshirën e Zotit, duke jetuar si ikona të Jezusit, bota do të ishte, sigurisht, më e keqe. Në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, Papa vijoi të zhdridhte fillin e homelisë së posashqiptuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke treguar faqen tjetër të medaljes së jetës rregulltare, vlerën e saj publike, si dhuratë e Zotit:
“Çdo njeri, që i kushtohet Zotit e të afërmit, është dhuratë për popullin e Hyjit në shtegtim. Ndjehet fort nevoja për këto prani, që fuqizojnë e përtërijnë impenjimin e përhapjes së Ungjillit, të edukimit kristian, të dashurisë së krishterë ndaj nevojtarëve, të lutjes kundruese; impenjimin për formimin njerëzor e shpirtëror të të rinjve, të familjeve; impenjimin për drejtësinë e paqen në familjen njerëzore”.
E, duke i rrokur simbolikisht të gjitha rregulltaret e botës, Papa Françesku shtoi, jashtë tekstit:
“Pa të mendojmë pakëz, ç’mund të ndodhte, nëse nuk do të ishin murgeshat, motrat në spitale, motrat në misione, motrat në shkolla? Mendojeni një Kishë, pa murgesha…Jo, nuk mund të mendohet. Janë ajo dhuratë, ai tharm, që e çon popullin e Zotit përpara. Të mëdha, këto gra, që e kushtojnë jetën e tyre dhe çojnë përpara mesazhin e Jezusit”.
Gjithsesi, përsëriti Papa, ndonëse njerëzit e përkushtuar janë tharm për mbruajtjen e një shoqërie më të drejtë e më vëllazërore, profecia e ndarjes së përbashkët të të mirave me të vegjlit e të varfërit, rrënjë e thirrjes së tyre të veçantë, i përket çdo besimtari:
“Ky dhurim i vetvetes Zotit ka të bëjë me çdo të krishterë, sepse të gjithë i kushtohemi Zotit përmes Pagëzimit. Të gjithë jemi të thirrur t’i dhurohemi Atit me Jezusin e si Jezusi, duke e bërë jetën tonë dhuratë bujare në familje, në punë në shërbim të Kishës, në veprat e bamirësisë”.
Për rregulltarët e mbarë botës, janë muaj të një vigjiljeje të gjatë, asaj, që do të përfundojë në vitin 2015, me përurimin e Vitit të jetës rregulltare. Papa Françesku ia kujtoi ngjarjen turmës, që e ndiqte në Sheshin e Shën Pjetrit, duke e ftuar t’i rrethojë me ndihmë e nderim rregulltarët, posaçërisht ata, që përgatiten të ecin në këtë rrugë:
Prandaj është e nevojshme të vlerësohen me mirënjohje përvojat e jetës rregulltare e të thellohet njohja e dhuratave dhe përshpirtërive të ndryshme. Duhet të lutemi që shumë të rinj t’i përgjigjen ‘po’ thirrjes së Zotit e t’i kushtohen plotësisht Atij, për një shërbim pa kurrfarë interesi ndaj vëllezërve”.
Papa Françesku kërkoi solidaritet për të gjithë ata që, prej disa ditësh, vuajnë nga shirat e pareshtura e nga pasojat e këtyre reshjeve, shumë të dëmshme, sidomos në Italinë qendrore:
Mendimi im i përzemërt shkon tek popullsitë e Romës e të Toskanës, të dëmtuara nga shirat, që shaktuan vërshime e përmbytje. Të mos u mungojë këtyre vëllezërve, në çaste prove, solidariteti ynë konkret, lutja jonë. Të dashur vëllezër e motra, jam shumë, shumë pranë jush”.
Dita e Jetës Rregulltare përkon edhe me kremtimin, në Itali, të Ditës për jetën, sot në edicionin e 36-të. Papa Françesku e theksoi fort këtë nismë, duke falënderuar organizatorët e duke vlerësuar posaçërisht pedagogët universitarë dhe impenjimin e tyre kushtuar kuvëndimeve mbi problematikat e lidhura me lindjen e fëmijëve:“Bashkoj zërin me atë të Ipeshkvijve italianë në pohimin se ‘çdo bir është fytyrë e Zotit, dashuronjësit të jetës, dhuratë për familjen e për shoqërinë’. Secili, në rolin e vet e në mjedisin e vet, ta ndjejë veten të thirrur për ta dashur jetën e për t’i shërbyer, për ta mirëpritur, për ta respektuar e për ta promovuar, posaçërisht kur është e brishtë, kur ka nevojë për kujdes, që nga kraharori i nënës, deri në përfundimin e saj mbi këtë tokë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.