2014-02-02 14:08:45

Kisha në Botë


Vatikan: Afrohen Kreshmët:RealAudioMP3
të martën e ardhshme, më 4 shkurt, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë do të mbahet Konferenca e Shtypit për paraqitjen e mesazhit të Papës Françesku, kushtuar Kreshmëve 2014, me temë: “U bë i varfër, për të na pasuruar me varfërinë e Tij” (cfr 2 Kor 8,9).


Stamboll: Kardinali Angelo Scola takohet me patrikun Bartolomeu
“Jemi këtu me dëshirën për të bërë një hap të vogël në rrugën drejt bashkimit të plotë të gjithë të krishterëve. Ky unitet, jemi thellësisht të vetëdijshëm, nuk mund të jetë tjetër, veçse fryt i hirit të të Ngjallurit. Është Ai, që e merr nismën”. Janë fjalët, me të cilat kardinali Angelo Scola, kryeipeshkëv i Milanos, e përshëndeti në Fanar, Seli e Patriarkanës ortodokse, patrikun ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeun I. Përmes këtij takimi, kardinali Skola i ktheu Bartolomeut vizitën në Milano, më 14 e 15 maj 2013, me rastin e kremtimeve të 1700-vjetorit të nënshkrimit të Ediktit të Milanos, me të cilin perandori Kostandin, themelues i qytetit mbi Bosfor, u njohu lirinë e plotë fetare të gjithë banorëve të Perandorisë.
“Dëshirojmë t’ju shprehim afërsinë e ndihmën tonë, duke uruar t’i rikthehet plotësisht liria Kishës në trojet tuaja”, vijoi kardinali Skola, duke pasur parasysh situatën e vështirë të të krishterëve në Turqi. Nuk ekziston liri fetare, atje ku nuk njihet nga të gjithë e nga çdo njeri, vijoi. Pavarësisht nga problemet e ndryshme të Lindjes e të Perëndimit, veprimtaria në mbrojtje të lirisë fetare na bashkon plotësisht, theksoi kardinali i Milanos, që shtegtoi këto ditë në Stamboll, së bashku me një delegacion ambrozian. Gjatë shtegtimit, nisur më 31 janar, kardinali Scola vizitoi edhe ishullin Kalki, seli e fakultetit teologjik ortodoks. Ndërsa sot mori pjesë në kremtimin e Liturgjisë hyjnore, për festën e Paraqitjes së Zotit në Tempull.


Manifestim evropian në mbrojtje të familjes
Paris, Lion, Bruksel, Bukuresht, Madrid, Varshavë, Romë... Në të njëjtën kohë, në qytete të ndryshme të Evropës, sot lëvizja “Manif pour tous” (Manifestim për të gjithë) organizoi manifestimin evropian në mbrojtje të familjes natyrore dhe të lirisë së mendimit, kundër përpjekjes për të miratuar, më 4 shkurt, pa diskutim në Parlamentin Evropian, raportin Lunacek mbi barazinë, themeluar mbi “orientimin seksual dhe identitetin gjinor”. Të shumta, familjet dhe shoqatat katolike, që morën pjesë në këtë Family Day kontinentale. Ripohuan me forcë ç’shkruhet në Kushtetutat e vendeve kryesore evropiane, duke kërkuar lirinë e mendimit, të opinionit e të familjes natyrore. Dy parime, që sot rrezikohen nga projekt-ligje të ndryshme në vende të ndryshme të Kontinentit. Në sheshe manifestuan përfaqësues të shoqatave katolike të feve të ndryshme si dhe njerëz me orientim homoseksual, që nuk e pranojnë ideologjinë gjinore. E kjo, sepse mbarë bota ndodhet përballë një emergjence antropologjike. Martesa e një burri me një grua është vlerë shoqërore, që i përket çdo kulture e çdo feje. E mbrojtja e familjes nuk i takon një njeriu, e as një kombi: sot është emergjencë universale, është vlerë, që duhet mbrojtur! Me vetëdijen se ligjet, që i kundërvihen, mund të kundërshtohen e të modifikohen.

Romë: Në Itali sot u kremtua Dita e 36-të për jetën. Me këtë rast u organizuan shumë veprimtari kishtare e shoqërore, nën drejtimin e Konferencës ipeshkvnore italiane.
Sot paradite, në famullinë e Shën Marisë në Traspontinë, imzot Lorenco Leuci kryesoi Meshën solemne, organizuar nga Zyra dioqezane për baritorinë universitare, gjallëruar nga kori “Të rinjtë dhe universitarët e Gjon Boskos”.
Në përfundim, pjesëmarrësit, së bashku me kardinalin Agostino Valini, mëkëmbës i përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për dioqezën e Romës, shkuan në Sheshin e Shën Pjetrit për të kremtuar, së bashku me Atin e Shenjtë, lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Ndërsa dje, gjithnjë me rastin e Ditës kushtuar jetës, u mbajtën dy kuvëndime. I pari, me temë “Të lindësh sot në Itali; problematika mjekësore e shoqërore”, organizuar nga Departamenti i Neonatologjisë, u mbajt në Sallën e klinikës pediatrike të Poliklinikës ‘Umbreto I’.
I dyti, me temë “Kriza e lindjeve dhe promovimi i shëndetit për lindjet”, organizuar nga Departamenti i Gjinekologjisë dhe Ostetrikës së Universitetit të Romës, u mbajt pranë sallës Karlo Urbani të Spitalit të Shën Andreut.

Venedik: Dje, në Mester, në Kishën famullitare të Zemrës së Papërlyer të Zojës, Patriku i Venedikut, imzot Françesko Moralia, kryesoi lutjet e mbrëmjes për dioqezën, me temë “Të lindim ardhmërinë”. Nisma organizohej nga Dioqeza, në bashkëpunim me Lëvizjen për jetën dhe Qendrën e ndihmës për jetën të Venecia-Mestre-s.
Lutja dhe reflektimi prekën temat e theksuara nga mesazhi i Ipeshkvijve italianë për Ditën, por edhe u thelluan në përmbajtjen e dokumentit titulluar “Detyra edukative është mision kyç”, kushtuar problemeve me karakter antropologjik dhe edukativ.

Java e harmonisë: Java nga 1 deri më 7 shkurt i kushtohet harmonisë ndërfetare. U themelua nga OKB-ja për të përhapur mesazhin e harmonisë ndërfetare dhe të vullnetit të mirë, në të gjitha kishat, xhamitë, sinagogat, tempujt dhe vendet e tjera të kultit, në mbarë botën, bazuar mbi dashurinë për Zotin e për të afërmin, sipas traditave të secilës fe.

Thirrje e përbashkët e Patrikut Kirill dhe Patrikut të Antiokisë, për paqe e tërësi territoriale në Siri
Patriku i Moskës dhe ai greko-ortodoks i Antiokisë, bënë një thirrje të përbashkët për paqen dhe pavarësinë e Sirisë . “Të dyja Kishat besojnë se vetëm përmes dialogut të hapur e të ndershëm, mund të garantohet paqja e vërtetë në Siri, pavarësia e vendit dhe tërësia territoriale, si dhe të sigurohen të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët” lexohet në Komunikatën, përhapur në përfundim të vizitës së Patrikut të Antiokisë, Gjoni X Jazigi, në Moskë.

SHBA: Dje, në Vashington, u organizua takimi vjetor i drejtuesve dioqezanë të baritorisë shoqërore me temë: “Një Kishë e varfër, për të varfërit”.

Filipine: Një delegacion i Kishës amerikane, i kryesuar nga kryetari i Konferencës ipeshkvnore(Usccb), imzot Jozef E. Kurtc, është që dje në Filipine për të vizituar zonat e dëmtuara nga tufani Hajan-Jolanda i 8 nëntorit të kaluar. Vizita organizohet nga Catholich Relief Service(Crs), agjenci humanitare e Kishës në SHBA.

Rumani: Kisha greko-katolike e vendit u lut sot, për t’i shprehur solidaritetin Kishës greko-katolike të Ukrainës dhe të gjithë ukrainasve, që po jetojnë çaste nga më të vështirat të historisë së tyre. E lexojmë këtë në një notë të kryeipeshkvit të madh greko-katolik Lucean Muresan. Rumunët luten, nësa ukrainasit vijojnë të manifestojnë kundër qeverisë dhe forcave të sigurimit, duke lënë shpesh në shesh edhe të vrarë e të plagosur. Prej këndej lutja, që vendi të sigurojë paqen, aq të dëshiruar.

Kosta Rika: Sot u votua për zgjedhjen e presidentit dhe anëtarëve të Asamblesë Ligjvënëse. Për herë të parë morën pjesë në votime edhe kostarikanët, që jetojnë e punojnë jashtë e vendit. Kisha vendase bëri thirrje që të gjithë ta kryejnë detyrën tejet të rëndësishme të hedhjes së votës, sepse nga kutitë e votimit, në vendet vërtet demokratike, shpesh varet vetë ardhmëria e votuesve. E, sidomos, kërkoi nga politikanët katolikë t’i kundërvihen moralit me dy fytyra e të jenë koherentë, besnikë ndaj fesë, që praktikojnë. Në një mesazh, titulluar “Koherenca e politikanëve katolikë”, kryeipeshkvi i San Josè, imzot Rafael Quiros, nënvizon se për politikanin katolik të pranojë publikisht fenë e vet, nuk do të thotë të mbështesë me servilizëm Kishën. Është e dënueshme, nëvizon prelati, që politikani katolik, kur është fjala për të mbështetur një propozim a një aksion, siç është ai për mbrojtjen e jetës, për shembull, të shikojë vetëm interesat e veta politike, që i bien ndesh fesë. Kryeipeshkvi kujton edhe porosinë e Papës në takimin me Trupin diplomatik: “Nuk ndërtohen ura ndërmjet njerëzve, duke e harruar Zotin!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.